Dirty Dokto

Dirty Dokto
Edi Rama na lë pa mend! Duke shikuar fotografitë që zbulojnë korrupsionin higjienik të qeverisë së shkuar, ambientet skajshmërisht të ndyra të institucioneve të Shqipërisë, nga Kryeministria deri te Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, nuk mund të durosh pa bërtitur “a është kjo shoqëri e kalbur!”. Veç zombi, veç qelbësi, minjtë e mikroorganizmat mbijetojnë në ato ambiente të paimagjinueshme për mesjetën.

A janë edhe shtëpitë e zyrtarëve të institucioneve në gjendje të rëndë papastërtie sikurse ambientet e tyre të punës!

Pse zyrtarët nuk e kanë marrë vetë fshesat në dorë për të pastruar secili tavolinën e vetë të punës?

Çfarë organizmi kanë ata zyrtarë që kanë mbijetuar në atmosferën më depresive që mund të merret me mend!

Papastërtia kaq e madhe tregon për një gjendje të rëndë depresioni të shoqërisë shqiptare, që për kaq vite sa është zhvilluar kjo papastërti, ka qëndruar indiferente dhe nuk e ka “denoncuar” bërllokun publikisht.

Ku janë gazetarët e terrenit? Pse asnjë gazetar shqiptar deri tani nuk ka bërë reportazhe të përditshme për të zbuluar se Shqipëria është e varur nga bërlloku i saj.

Pastërtia është gjysma e shëndetit. Dhe, gjithmonë ndërlidhet me kualitetin moral të shoqërisë, me respektin dhe superioritetin dhe prandaj thuhet “pastërtia është pranë hyjnive”.

Nuk mund ta respektosh njeriun e papastër. Papastërtia largon engjëjt, largon mendimet pozitive, optimizmin dhe shpirtrat e mirë.

Askush nuk të merr seriozisht kur të sheh të fëlliqtë e të lënë pasdore.

Papastërtia dhe rrëmuja zbulojnë papastërtinë morale dhe rrëmujën mendore të një njeriu apo të një sistemi.

Pastërtia i kontribuon bukurisë dhe shëndetit trupor e mendor. Pastërtia është gjendje, ku njeriu ndjehet i lirë nga fëlliqësia. Pastërtia është kushti i parë për të qenë i lirë.

Vetëm lypsarët nuk e prishin rendin e natyrës dhe shoqërisë pse duken të palarë. E lypsarët nuk kërkojnë liri.

Pastërtia është virtyt i gjenive. Shopenhauer, me vete gjithmonë e merrte një gyp për të pirë ujë nga çezmat.

Kryeministri shqiptar, duke denoncuar papastërtinë e qeverisë së kaluar, po e zbulon Dirty Doktorin dhe po e demanton thënien e doktorit amerikan, Charles Meigs se “doktori është xhentëlmen e xhentëlmeni i ka duart e pastra”.

Tash po dihet pse Sali Berisha nuk ishte kundër që ta shndërrojë Shqipërinë në shportë bërlloku të Italisë. Sepse, asnjë bërllok nuk mund ta bëjë më të ndyrë Shqipërinë sesa bërlloku i saj i brendshëm.

Zyrtarët e qeverisë së kaluar filluan të puçërrosen, pa imunitetin e vajzave romake, të cilat e lyenin fytyrën me djersën e trupit të gladiatorëve për ta ruajtur nga rrezet e diellit dhe nga rrudhat.

Varret në fshatrat më të prapamendura të Kosovës janë më të pastra, më të rregulluara sesa shtretërit e spitalit “Nënë Tereza” në Shqipëri!

P.S. “Vetëm aty ku ka varre ka edhe ringjallje”( Nietzsche)

Marre nga gazeta Tema
(sg/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

112 vite Pavarësi, flamujt kuqezi valëviten kudo, festime në të gjithë Shqipërinë

112 vite Pavarësi, flamujt kuqezi valëviten kudo, festime në të gjithë Shqipërinë