Disa media financohen nga Rusia e Kina, PS i rikthehet ligjit anti-shpifje! U bllokua 2 vite më parë nga ndërkombëtarët, mund të hidhet për votim në Kuvend

Disa media financohen nga Rusia e Kina, PS i rikthehet ligjit anti-shpifje! U bllokua 2 vite më parë nga ndërkombëtarët, mund të hidhet për votim në Kuvend

Konferenca e Kryetarëve

Ambasadorja e amerikane në Tiranë Yuri Kim u shpreh në fund të muajit shtator 2022, se SHBA-të kanë informacione për disa media në Shqipëri që financohen nga rusët dhe kinezët, në kuadër të përpjekjeve për të ndikuar në vendin tonë. Disa ditë pas kësaj deklarata, në Kuvendin e Shqipërisë është rikthyer diskutimi për ligjin “Për mediat audiovizive”, i njohur ndryshe si ligji anti-shpifje, i rrëzuar nga presidenti me dekret në janar të vitit 2020, i kritikuar nga ndërkombëtarët si një nismë që cenon lirinë e medias si dhe i rrëzuar nga Komisioni i Venecias.

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të datës 3 tetor 2022, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se do të vlerësohet mundësia e përfshirjes së dekretit, rrjedhimit nismës ligjore, për shqyrtim në seancën plenare.

Si argument shtesë Balla solli në vëmendje aktorët e huaj jo miqësorë, të cilët sipas tij përdorin media të caktuara në Shqipëri për shpërndarjen e lajmeve të pavërteta. Balla u shpreh se mazhoranca do të vlerësojë mundësinë e përfshirjes së dekretit të Presidentit për votim në seancë plenare. Nëse Kuvendi voton rrëzimin e dekretit, kujtojmë që ligji më pas hyn në fuqi dhe veprim, duke parashikuar masa të forta ndaj mediave.

“...është vërtet një çështje me rëndësi në kushtet e krijuara, ku shpifja, keqinformimi apo dezinformomi janë kthyer në sfida të rëndësishme të së vërtetës, dhe të gjithë biem dakord, duke futur këtu edhe aktorët e huaj jomiqësorë, të cilët përdorin medie të caktuara për shpërndarjen e lajmeve të pavërteta, është mbështetur nga ana jonë në legjislaturën e kaluar një ligj, i cili do të rregullojë të drejtën e gjithkujt, që goditet nga lajme të pavërteta, për t’iu drejtuar organeve të drejtësisë, por edhe vetë burimeve të keqinformimit ose të dezinformimit. Prandaj, në këtë aspekt, besoj se deri në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së Kryetarëve do të kemi një qëndrim të plotë lidhur me mënyrën e qasjes ndaj këtij dekreti, sepse dekreti duhet të shqyrtohet në Komisionin për Çështjet Ligjore. Në mos gaboj, ai është caktuar komision përgjegjës për këtë gjë. Dekreti shqyrtohet me votim dhe më pas votohet në seancë plenare. Nuk e di nëse komisioni e ka shqyrtuar apo jo, shërbimet... E ka shqyrtuar, atëherë të vlerësojmë mundësinë e përfshirjes për diskutim në seancë plenare”, tha Balla.

Në fakt ishte deputeti dhe kryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj, ai që kërkoi fillimisht që të shqyrtohej dekreti i Presidentit për kthimin për rishqyrtim të ligjit anti-shpifje.

“Jo se kam ndonjë gjë të veçantë, por nga ajo që ju keni përpiluar në draftkalendar, një gjë që më tërheq vëmendjen, në fakt, është pika 39 që ka një dekret të Presidentit të datës 19 janar 2020 “Për kthimin e ligjit për mediet audiovizive”, pra ligji i mediave. Ka një dekret të Presidentit që e ka kthyer këtë ligj dhe bëhen afërsisht 2 vjet që ky dekret nuk po shqyrtohet dhe duhet shqyrtuar. Sjell në vëmendjen tuaj që kjo është një nga çështjet më të debatuara edhe në rangun e kushteve që Shqipëria ka në kuadrin e integrimit europian; ligji i medieve dhe mbajtja pezull kaq gjatë, së pari, në njëfarë mënyre është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe, së dyti, do të duhet të ketë qartësisht një qëndrim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për këtë dekret të Presidentit”, tha Alibeaj.

Paketa anti-shpifje u miratua nga Kuvendi në dhjetor të vitit 2019, përmes kundërshtive dhe polemikve.

Ligji i ndryshuar i jep kompetencë AMA-s të ndëshkojë portalet me gjoba, duke parashikuar edhe mbylljen e tyre, por me vendim gjykate. Në rast të lajmeve me përmbajtje shpifëse dhe dezinformuese, Këshilli i Ankesave në varësi të AMA-s gjobit portalin deri në 600 mijë lekë maksimumi, ndërkohë që për televizionet vlera mbeti e pandryshuar, 1 milionë lekë. Kur portali nuk zbaton vendimet e Këshillit të Ankesave (në varësi të AMA-s) dhe nuk publikon përgënjeshtrimet, gjoba shkon deri në 800 mijë lekë. Kur kapet në shkelje më shumë se 3 herë brenda vitit, portali gjobitet akoma më shumë, duke shtuar 50% të vlerës së gjobës.

Në janar të vitit 2020, ligji u rrëzua me dekret nga Presidenti. Sipas presidentit, ligji bie në kundërshtim me dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit, bien në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim, si dhe nuk është në harmoni me standartet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në korrik të vitit 2020, Komisioni i Venecias dha një opinionin kritik për përmbajtjen e paketës.

“Ligji vuan nga paqartësia dhe mund të ketë efekt mbi shtypjen e fjalës së lire në median online në  Shqipëri. Blogerët, përdoruesit e internetit mund të jenë shënjestër e ligjit. Komisioni i Venecias inkurajon autoritetet shqiptare të mbështesin krijimin e një organi vetë-rregullues të pavarur që funksionon në mënyrë efektive dhe të pavarur që përfshin të gjithë aktorët përkatës të komunitetit të mediave dhe të aftë për të siguruar një sistem efektiv dhe të respektuar të përgjegjshmërisë së mediave”.

Komisioni i Venecias vendos në pikëpyetje kompetencat që ky projektligj i jep Autoritet Audioviziv të Medias por edhe Komisionit të Ankesave.

Përfaqësuesi për mediat i OSBE Harlem Desir është shprehur se asnjëherë nuk është arritur një dakordësim i plotë me qeverinë shqiptare për paketën anti-shpifje. Ndërsa shefja e zyrës së medias e OSBE-së në Shqipëri, Irina Radu, është shprehur gjatë dëgjesave në parlament se “OSBE mendon që AMA ka shumë kompetenca të gjera për dënimin e mediave, po ashtu edhe përmasat e gjobave ndaj gazetarëve dhe mediave janë të larta. Po ashtu duhet ndarë qartë se çfarë janë kritikat politike dhe çfarë janë shpifjet”.

Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe UNDP kërkuan rishikimin e variantit të tretë të projekt-ligjeve, ose rifillimin e punës nga e para për ligjet me ndikim mbi mediat. Bashkimi Europian është shprehur se paketa antishpifje nuk është në përputhje me standartet dhe kërkesat europiane për lirinë e medias dhe duhet bazuar në parimin e vet-rregullimit të mediave.

Edhe Këshilli i Europës deklaroi se projekt-ligjet nuk janë në përputhje me standartet dhe praktikat e Këshillit të Europës. “Këshilli i Europës rekomandon që ligjvënësit shqiptarë t’i lënë mënjanë këto propozime dhe të nisin hartimin e një strategjie të re për përmirësimin e cilësisë së gazetarisë online dhe offline” - zonja Arkanda Bujari e Këshillit të Europës.

Organizatat ndërkombëtare këmbëngulën që shumica socialiste të mos e miratojë paketën antishpifje, pa përfshirë rekomandimet e tyre, medias, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit.

14 organizata shqiptare dhe 7 organizata ndërkombëtare të medias i kërkuan qeverisë shqiptare të tërheqë projektligjet, sepse sipas tyre, nuk mund të ketë regjim rregullimi administrativ për median online, dhe se një institucion administrativ si AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatat në shqyrtimin e ankesave ndaj përmbajtjes së një publikimi.

Pas opinionit të Venecias dhe shumë kritikeve, shumica në pushtet tha se do të ndryshonte nismën dhe se do të sillte në Kuvend një variant të ri.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbërori: 15/10/2022 08:03

    PS ështé koka e krimbur e shpifjeve sepse ështé proruse dhe dhe prokineze

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve