Meqenëse në Shqipëri po flitet për një reformë tjetër zgjedhore, e cila është urgjente dhe aq jetike për fatet e demokracisë,  në këtë shkrim dua të jap vetëm tre sugjerime që kam për një reformë zgjedhore në interes të Shqipërisë dhe jo të dy a tre kryetarëve të partive politike, sikurse është vepruar në 30 vitet e fundit. 

Reforma zgjedhore duhet jo vetëm të garantojë zgjedhje të ndershme e përfaqësim real të vullnetit të zgjedhësve, por duhet edhe t’u përgjigjet ndryshimeve të mëdha demografike, ekonomike e sociale të vendit. 

1. Duhet eleminuar Sistemi i sotëm Zgjedhor i listave të mbyllura , që është provë e korrupsionit politik e klientalist, shkelje flagrante e barazisë së votës, deformim i vullnetit real të votuesve. 

Unë mendoj se sistemi mazhoritar është më i miri sepse krijon mundësinë që zgjedhësit të kenë lidhje direkte e të vlerësojnë integritetin personal të kandidatit për të cilin do të votojnë. Prandaj edhe partitë politike do synojnë të nxjerrin kandidatë sa më konkurues dhe në këtë mënyrë cilësia e Parlamentit do të rritet.

Disa mendojnë se ky sistem është i pafavorshëm për partitë e vogla. Por partitë e vogla në Shqipëri nuk kanë arritur dhe nuk do mund të bëhen të mëdha në asnjë sistem zgjedhor, sepse, për fat të keq, shumica e tyre ose janë copëzime të partive të mëdha, ose preferojnë të jenë nën strehën e dy partive të mëdha që të sigurojnë ndonjë vend në Parlament dhe favore të tjera.

Pra një parti mund të rritet e të fitojë jo duke u bërë fresk Partisë Socialiste e Partisë Demokratike, por duke shpalosur një program e politikë që pëlqehet, mbështetet e krijon besim tek zgjedhësit. Mbase shembulli i partisë opozitare që fitoi në Hungari mund t’ju shërbejë partive opozitare në Shqipëri.

Por nëse sistemin mazhoritar politikanët e sotëm nuk do ta pranojnë, atëhere le të zgjidhet sistemi i përzier Mazhoritar-Proporcional i ngjashëm me sistemin zgjedhor të vitit 1992. 

Pra, nëse Parlamenti do ketë 100 deputetë  atëherë 80 deputetë zgjidhen me sistem mazhoritar, dhe 20 deputetë me sistem të hapur proporcional. Ky sistem ndihmon partitë e vogla. 

2. Komisionet e Zgjedhjeve dhe mënyra e numërimit të votave nuk duhet të jenë partiake. 

Partitë politike dërgojnë vëzhgues pranë komisioneve, por nuk duhet të numërojnë e bëjnë pazare me votat, sikurse ka ndodhur në këto 30 vite. Votat duhet të numërohen aty ku votohet, pra në qendrat e votimit. Natyrisht që për votat me postë të imigrantëve duhet zgjidhje ndryshe. 

3. Numri deputetëve mendoj se duhet të jetë jo më shumë se 100 deputetë. Për një vend aq të vogël si Shqipëria (që për fat të keq duket se 
edhe popullsia e saj sa vjen e zvogëlohet), mendoj se 100 deputetë janë më se të mjaftueshëm për të përfaqësuar vullnetin e zgjedhësve. Edhe në planin financiar dhe ekonomik miliona euro në vit do të kurseheshin sepse do kishte 40 rrogtarë të majmë më pak. Këto kursime kanë më vlerë nëse shkojnë për të rritur pensionet dhe investimet për spitalet e shkollat.

Me një vullnet të ndershëm politik për një reformë më të mirë për Shqipërinë dhe jo vetëm për interesin personal të 2-3 kryetarëve të partive politike, shpresoj që Reforma Zgjedhore, që duhet të bëhet këtë vit, do të jetë reforma reale që ka nevojë Shqipëria, reforma që zbaton veç të tjerash edhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare.