Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Rama gjatë një mbledhjeje sot me socialistët e njësisë 14, kur tha se disa të paudhë shkojnë në Bruksel dhe nxijnë Shqipërinë duke kërkuar bllokimin e anëtarësimit.
Bardhi shprehet se kjo i përket një fushate shpifjesh që po ndërmerr Rama sikur PD po bllokon negociatat.
Në këtë kontekst Bardhi shton se Rama ka sulmuar drejtësinë duke mbrojtur ish-zv.kryeministrin Belinda Balluku e akuzuar nga SPAK për abuzime me tenderë, çka ka alarmuar partnerët europianë.
Këta të fundit janë në alarm edhe prej dosjes së AKSHI-t, që rrezikon të dhënat e qytetarëve shqiptarë dhe të një vendi anëtar të NATO-s, duke vendosur kufij Ramës edhe në lidhje me integrimin në BE.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
KUSH PO E DËMTON REALISHT INTEGRIMIN?
Edi Rama ka ndërmarrë një fushatë denigruese shpifjesh në raport me sjelljen e opozitës ndaj anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Ne kurrë nuk kemi kërkuar për asnjë sekondë dhe askund që të ndalet procesi. Edi Rama e ka bërë këtë, kur ishte në opozitë, duke vonuar për tre vjet marrjen e statusit të vendit kandidat, dhe tani si kryeministër.
Nuk po i hyj rekordeve të tjera të errëta të Edi Ramës për të vonuar integrimin që meritat të mos i merrte Partia Demokratike, e cila kreu reforma rekord për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në NATO, por më duhet të theksoj vetëm një rast të freskët sesi Edi Rama minoi besimin e vendeve anëtare tek Shqipëria.
Ky është rasti famëkeq i Belinda Ballukut!
Në vend që të sillej si kryeministër që vë përpara interesat e shqiptarëve, Edi Rama u soll si kukull e Belinda Ballukut. Kjo është e vetmja e vërtetë pse sot ne kemi vende anëtare që nuk kanë besim tek qeveria e Shqipërisë.
Çfarë kemi kërkuar ne si opozitë në raport me integrimin?
Të njëjtat standarde që kërkon Bashkimi Europian:
– të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, të mos ketë Belindë dhe Edi Ramë që dalin mbi ligjin
– zgjedhje të lira dhe të ndershme
– ekonomi pa oligarkë
– tendera pa paracaktim
– përdorim eficient dhe jo vjedhje të fondeve të BE
Këto nuk janë kërkesa të opozitës. Janë kushtet e Europës për anëtarësim.
300 milionë euro nga IPARD nuk i hoqi opozita. I pezulloi Bashkimi Europian, pasi u zbuluan abuzime të rënda me fondet nga qeveria e Edi Ramës.
Dhe sot, hezitimet e disa vendeve anëtare nuk kanë të bëjnë me opozitën,
por me pyetjet që ngre vetë Europa:
– për korrupsionin
– për presionin ndaj drejtësisë
– për mbrojtjen politike që i bëhet njerëzve të pushtetit në urdhër të kryeministrit
Kur kryeministri sulmon drejtësinë dhe mbron Belinda Ballukun apo kur do që të përdorë veglat e veta në Gjykatën e Lartë për të zhbërë SPAK-un, ai është shndërruar në armikun më të madh të Shqipërisë për anëtarësimin në BE.
Opozita ka të njëjtin qëndrim si studentët që pyetën sot Edi Ramën për integrimin dhe, në vend të një shtetari, panë një avokat të korrupsionit.
Anëtarësimi në BE nuk zgjidhet duke shpallur armiq të jashtëm dhe të brendshëm.
Shansi real që ne të rikthejmë besimin e vendeve anëtare është një qeveri e pakorruptuar, që vendos të parin interesin e qytetarëve dhe jo pushtetin personal.
Lajmi kryesor:
Riorganizimi i PS, Rama nga njësia nr.14 në Tiranë: Numri i turistëve dhe investimet e huaja në Shqipëri janë shumëfishuar gjatë qeverisjes sonë











