Real Madrid fitoi dje 2-5 me Liverpoolin në transfertë. Ndeshja e parë vlente për fazën e 1/8 në Champions League, me spanjollët që për 14 minuta ishin në disavantazhin e dy golave dhe më pas përmbysën ndeshjen. Pas duelit trajneri i "Galaktikëve", Carlo Ancelotti tregoi se djemtë nuk e humbën besimin.
"Nuk ishte e lehtë, sidomos duke parë se si nisi ndeshja. Nuk e humbëm besimin dhe pak nga pak morëm kontrollin e topit, duke qenë gjithmonë efektivë në sulm. Vinicius bëri një lojë të pabesueshme. Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje shkoi mirë dhe duhet të mendojmë se në sfidën e dytë duhet të luftojmë dhe të vuajmë", tha fillimisht trajneri.
Më pas italiani tregoi edhe se çfarë mendoi kur skuadra e tij po humbiste 2-0 dhe më pas përmbysi ndeshjen.
“Mendova për Manchester City-n dhe me shpresë se e njëjta gjë do të ndodhte. E njëjta gjë ndodhi, madje edhe më mirë. Filluam të shënonim, të krijonim rrezik, përmirësuam aspektin mbrojtës. Ata na krijuan dëm në të majtë, sepse Henderson hyri shumë prej andej, më pas ne e kontrolluam më mirë duke vendosur Valverden në të majtë, i cili kishte më shumë energji”, tha Carlo Ancelotti.