Epoka e denoncimeve ndaj Edi Ramës, që Sali Berisha e konsideron përgjegjësin kryesor për të ashtëquajturën farsë elektorale të 11 majit, po shkon drejt fundit.  Tashmë selia blu ka kthyer sytë nga vetja. Berisha po kërkon armiqtë e brendshëm, që sipas tij në fushatë punuan për kundështarin.

“Foltorja ka qëllimin e vet, debat të hapur, pa filtra para kamerave me mbështetësit tanë, shënojmë kritikat që bëjnë, në mënyrë që të përmirësohemi, por do ishte jo reale nëse do pretendohej që ne me foltore ne ezaurojmë analizën e punës sonë. Do bëhet në çdo qelizë, nuk jemi parti e gjahut të shtrigave, por as symbyllur s’jemi. Mbaruan zgjedhjet, pati nga ata që kishin marrë rrogën si deputet të PD, të tjerë anëtarë kryesie që shkuan u punësuan, u bënë drejtorë, këshilltarë në strukturat e narkoshtetit. Pati edhe të tjerë që gjatë fushatës elektorale nuk kanë punuar asnjë ditë, pati të tjerë që shkuan me pushime, apo që punuan për PS”, u shpreh Berisha.

Për ta, paralajmëron prerje kokash, që nuk do të kursejë as drejtuesit e lartë të kupolës blu.

“Këta do japin llogari, do jenë strukturat që do e përcaktojnë qëndrimin ndaj tyre, do bëjnë të gjitha propozimet, mendimet. Do ketë diskutime, do ia themi njëri-tjetrit gjërat. Ka patur raportime për njerëz që kanë punuar kundër, por është lënë të bëhet analiza”, vijoi ai.

Armikun e parë brenda partisë, Berisha e ka gjetur. Ai është Ervin Salianji, që gjatë fushatës ishte në burg, por që së fundmi ka nisur një lëvizje për forcimin e PD-së.

“Asnjë takim privat nuk më impresionon. Ndërkohë do të dëgjohet çdo zë, brenda forumit, kjo është detyra ime. Ata që zgjedhin private, është punë e tyre”, theksoi Berisha.  

Lëvizjen e këtij të fundit kërkon ta zhbëjë nga brenda, duke takuar këdo që e mbështet. Berisha pohon se ka pritur në zyrë, Ilir Alimehmetin, i pari që doli në krah të Salianjit.

“Ilir Alimehmetin e kam pritur se më ka kërkuar takim, Salianji nuk ka kërkuar. Alimehmeti s’ka sjellë platformë, por kemi bërë një bisedë. Ta dijë kushdo, për asnjë lloj qëllimi unë Edi Ramës si jepja lugë, nuk i jepja material kundër raportit të ODIHR. Ajo do ishte tradhti ndaj demokratëve”, tha kreu i PD.

Ndërkohë, Report Tv ka mësuar se gjatë këtyre ditëve, Salianji po zhvillon të tjera takime jashtë syrit të medias me demokratë, ndërsa javën e ardhshme do të mbajë foltoren e ardhshme.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:52
'Zgjedhjet ishin të lira', Berisha sulmon sërish Marta Kos: Deklarata pasionante....

 

Kryetari i PD-së, Sali Berisha sulmoi sërish Komisioneren për Zgjerim në BE, Marta Kos, lidhur me deklaratën e saj për zgjedhjet e 11 majit.

Ai i cilësoi si deklarata pasionante të bëra nga Kos. Mes të tjerash ai tha se i vjen mirë që BE nuk i mbështeti këto deklarata.

“Shqetësimi dhe krimi në vend kanë marrë përmasa botërore. Të gjithë ata që i lexuan kuptuan se shqetësimi më madhor i tyre për shqiptarët dhe amerikanët janë organizatat kriminale dhe bashkëpunëtorët e tyre. Në qindra artikuj të publikuar konfirmohen ato që opozita shqiptare i ka thënë me kohë. Burime të shërbimeve sekrete i kanë konfirmuar Washington Azamaier se përfitues i karteleve të drogës është Edi Rama. Gjer sot, dihet që përfitues është Maduro, i lidhur direkt dhe i dyti është Rama Duro, ose Edi Rama i Tiranës. Kjo shënon një arritje të madhe. Duhet të dëgjosh të vërtetën. Sa i përket deklaratës së zonjës Marta Kos, përshëndet deklaratën e Komisionit por dhe të ambasadorit të BE dy ditë më parë, që e lanë deklaratën apasionante të Kos, pa komentuar. Të gjithë janë të detyruar që të flasin për zgjedhjet atë që thonë institucionet zyrtare.”, tha ai.

Ora 13:50
Lëvizja e Salianjit/ Berisha e sulmon sërish: S’më impresionojnë takimet private! Me Alimehmetin jam takuar, ai s’ka kërkuar

Sali Berisha e sulmoi sërish lëvizjen e Ervin Salianjit duke thënë nga selia blu se nuk e impresionon asnjë takim privat. Berisha thotë se me analizën brenda PD-së, do të dëgjohet çdo zë, por ata që zgjedhin takime private është punë e tyre.

“Nuk i mbyllet kujt goja, I vetmi kusht është që bëhet brenda partisë, si të duan me media, pa media. Asnjë takim privat nuk më impresionon. Ndërkohë do të dëgjohet çdo zë, brenda forumit, kjo është detyra ime. Ata që zgjedhin private, është punë e tyre. Po, ka mendime që në PD do ndahen funksionet, kjo do bëhet me vullnetin e demokratëve, asgjë nga pozicione private”, tha Berisha.

I pyetur nëse ka patur takimin me Salianjin, Berisha tha se ai nuk e ka takuar, por konfirmoi se ka pasur një takim me Ilir Alimehmetin, i cili po ashtu iu bashkua foltores së ish-deputetit.

“Ilir Alimehmetin e kam pritur se më ka kërkuar takim, Salianji nuk ka kërkuar. Alimehmeti s’ka sjellë platformë, por kemi bërë një bisedë. Ta dijë kushdo, për asnjë lloj qëllimi unë Edi Ramës si jepja lugë, nuk i jepja material kundër raportit të ODIHR. Ajo do ishte tradhti ndaj demokratëve”, theksoi Berisha.