Disfata 0-1 kundër Teutës, të dielën në Superligë, sipas të gjitha gjasave ka qenë ndeshja e fundit e Ardian Nuhiut në drejtimin e Tiranës. Burime për Report TV, bëjnë me dije se bardheblutë kanë vendosur të bëjnë ndryshime në bankinë për pjesën e mbetur të sezonit.
Pas nisjes pozitive të 2026, Tirana që lufton për mbijetesë, barazoi me Dinamon dhe më pas pësoi dy humbje, që kanë lëkundur besimin e drejtuesve te 47-vjeçari. Më shumë se pikët ka qenë loja që nuk ka bindur, ndërsa të dielën Nuhiu u vërshëllye edhe nga tifozët.
Situatën e Tiranës e komplikoi edhe fitorja e Bylisit, që të shtunën bëri befasinë e madhe duke mposhtur 2-1 Vllazninë kryesuese, që vinte pas 7 fitoresh radhazi. Po të shtunën Elbasani fitoi 2-1 në fushën e Vorës, ndërsa java e 25 e Superligës nisi me 3 pikët e Egnatias kundër Dinamos. ‘Nëndetësja’ e Ilir Dajës vijon të mos njohë fitore në 2026 dhe tani i rrezikohet seriozisht vendi i 4 që të dërgon në ‘final-four’.
Pozicioni i Dinamos është vënë në pikëpyetje nga Partizani, që duket skuadra më në formë e javëve të fundit. Të dielën, ekipi i drejtuar nga Kërnaja, përmbysi 1-2 Flamurtarin me ‘dopietën’ e Sidibe, duke siguruar fitoren e 3 radhazi në kampionat. Sukses ky që e ka dërguar në kuotën e 36 pikëve, po aq sa Dinamo.
Pas javës së 25, Superliga udhëhiqet nga Vllaznia me 48 pikë, 2 më shumë se Egnatia e vendit të dytë dhe 3 më shumë se Elbasani i vendit të tretë. Flamurtari vijon të jetë i fundit me 20 pikë, 1 më pak se Tirana e vendit të 9 dhe 3 më pak se Bylisi i vendit të tetë.
Komente








