Atalanta u eliminua nga Club Brugge në play-off e Champions League. Me rezultatin e përgjithshëm 5-2 Brugge kaloi më tej dhe ishte surpriza e këtij edicioni.

Për bergamaskët në fushë 90 minuta luajti edhe Berat Gjimshiti, me kapitenin e Kombëtares që u ndëshkua edhe me karton të verdhë. Pas ndeshjes Berati foli i dëshpëruar për këtë disfatë.

“Është e vështirë të gjesh fjalët tani. Ne e urojmë Brugge, ata shënuan tre gola me tre kundërsulme, ata e dinin se çfarë po bënin dhe e bënë lojën tonë më të komplikuar.

Unë ende pashë shpirt nga skuadra, ne kurrë nuk u dorëzuam dhe pavarësisht kësaj disfate, ne duhet të ngremë kokën lart dhe të fokusohemi në ndeshjen e radhës në Serie A.

Tani ne duhet të rimbushim bateritë tona, ta marrim lojën një nga një dhe të mësojmë nga gabimet tona”, ka thënë Gjimshiti për Sky Sport Italia.