Është e pamundur të konkurrosh me precizionin kirurgjikal të Doktor Berishës në llogaritjen e pjesëmarrësve në protesta – plot gjysmë milion shqiptarë ishin në protestën e së shtunës, deklaroi ai! Dhe kur Doktori deklaron numra kaq precizë, mua më mbetet të bëj vetëm krahasime relative…Qysh nga protesta e 11 Dhjetorit 1990, s’kisha parë në Tiranë ndonjë që t’i afrohej asaj për nga pjesëmarrja – një lumë prej dhjetra mijë kryeqytetasish u derdhën atë natë në mënyrë spontane në sheshin e Qytetit Studenti, me dëshirën e shpresën se sistemi do të ndryshonte – si kudo në Europën Lindore.
Të shtunën në darkë (20 qershor) pashë në bulevard një protestë që i afrohej disi asaj të 11 Dhjetorit 1990 për nga pjesëmarrja, por jo nga përbërja. Te kjo e tanishmja kishte qytetarë të Tiranës, por edhe shumë nga trojet e tjera shqiptare dhe nga diaspora. Ata ishin grumbulluar me dëshirën e shpresën se do të rrëzonin qeverinë Rama.
Në fund të protestës së 11 dhjetorit 1990, një grup nismëtar themeloi Partinë Demokratike, me në krye studentin Azem Hajdari. Dhe të nesërmen, partia e sapokrijuar prezantoi një program politik me 14 pika në një meting madhështor në sheshin e Qytetit Studenti. Dhe 14 muaj më vonë ajo parti fitoi 2/3 e mandateve parlamentare...
Nga ana tjetër, protesta e së shtunës përfundoi me një grup qëndrestar para kryeministrisë, që e gëdhiu natën me premtimin se protestat do të vazhdojnë (shihni foton e mëposhtme). Dhe në fakt, të dielën u rikthye protesta e përnatshme rutinore bulevardore…

SHËNIM: Turma më e madhe që kam parë në Tiranë është mbledhur më 1991, për të dëgjuar fjalimin e Sekretarit të Shtetit, James Baker. Absolutisht e paarritshme për nga madhësia!
Komente










