TIRANË - Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë kanë pasur sot në rend të ditësë të Drejtat e Fëmijëve dhe Rekomandimet e Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve për Shqipërinë. I pranishëm në seancë ka qenë edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

"Jemi të ndërgjegjshëm për kushtet e vështira të fëmijëve romë dhe atyre jetimë. Do të nxisim qeverinë të adresojë më shumë prioritetet për politikat në ndihmë të fëmijëve. Është e papranueshme të ketë raportime për dhunë të fëmijëve. Do të përmirësojmë legjislacionin në ndihmë të fëmijëve dhe për të patur një sistem drejtësie për fëmijët", tha Meta.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Altin Hazizaj u shpreh se “dhuna ndaj fëmijëve kërkon një vëmendje të veçantë edhe në legjislacion. 11.9 për qind janë shprehur se ngacmohen seksualisht. Shqipëria ka shumë pak ligje për dhunën ndaj fëmijëve".

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla theksoi se "sfida e shoqërisë është realizimi i të drejtave të fëmijëve në shkollë, mbështetja e reformave sociale dhe shkollat tona, që duhet të jenë cilësore".

Avokati i Popullit, Igli Totozani diskutoi mbi vështirësitë e fëmijëve të ngujuar. Raporti i Avokatit të Popullit për këtë çështje është në zyrat e Kuvendit. "Projekt-Rezoluta është hartuar mirë, por mungon një institucion monitorues. Avokati i Popullit ka kërkuar që në institucionet tona të hapet një zyrë e veçantë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve të ngujuar", tha Totozani.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)