Distanca 'higjenike' Berisha-Meta

Distanca 'higjenike' Berisha-Meta

Berisha dhe Meta

Ilir Meta ndodhet në të njëjtën pozitë si Sali Berisha në majin e vitit 2021, kur u shpall Non Grata nga SHBA.

Pas shpalljes Non Grata, Sali Berisha nuk pati asnjë në krah nga aleatët e tij. Vetë Ilir Meta, i cili ishte President i Republikës në atë kohë, u prononcua disa ditë më pas, duke shprehur solidaritet për “Legjendën”. Por ato ditë për doktorin ishin muaj, e ndoshta më shumë. Gjithashtu, ai, Berisha pra nuk pati solidaritet nga asnjë figurë apo personazh me rëndësi i opozitës, përveç nga besnikët e tij të afërt, të cilët diheshin.

Gjithçka ndryshoi paksa, kur shpalli nismën për të hequr Lulzim Bashën nga kreu i PD-së, e mjaft që hynë në foltoren e Berishës, po tentonin ta përdornin si një mjet i dobishëm për karrierë, e hakmarrje për atë që u kishte bërë Basha.

Ndërkaq, sot Ilir Meta, prej shpalljes së një beteje kundër SPAK e Altin Dumanit, ai nuk ka pasur përkrahjen publike të asnjë emri të rëndësishëm të opozitës.

Deputetët e PD-së, thirrjes së Elisa Spiropalit në seancën e së enjtes për tu prononcuar për sulmet ndaj SPAK, e shmangën.

I vetmi që foli, Gaz Bardhi, përdori mjetin e tij të zakonshëm, për të zvetënuar pyetjen retorike të Spiropalit, me akuza e sulme të rënda, po sërish Ilir Metën nuk e përmendi.

Megjithatë, vetë Sali Berisha nuk ka dhënë ndonjë përkrahje solidare ndaj Ilir Metës, e kolonelët e tij nuk janë parë as në selinë e PL-së, as në shëtitjet në natyrë të kryetarit të Partisë së Lirisë.

Duket si një hakmarrje e doktorit për sjelljet analoge të aleatit të tij, edhe pse gjasat janë për diçka më të madhe se kaq.

Pasi nuk bëhet fjalë që në këto politikanë të regjur për 30 vjet, të ketë “cipë” që preket nga fjalë e inate “tokësorësh”.

Kjo distancë, që po vihet re ditë pas dite, më shumë se një sinjal, është një zhvillim politik mes aleatëve apo partnerëve, që pas zhvillimeve të fundit, kanë ngushtuar vizionin e zgjerimit të një koalicioni politik.

Edhe pse kanë një person që i lidh palët, një farë ambasadori-bëhet fjalë për avokatin e Sali Berishës që është pjesë e forumeve të Partisë së Lirisë, mes tyre nuk ka një mekanizëm real politik që ngjiz këtë aleancë.

Deputetët e PL-së nuk kanë asnjë lloj marrëdhënie prej kohësh me grupin e Gaz Bardhit që përfaqëson foltoren, ndërkohë që mungesa në “Rrugicën e Shpresës” është permanente.

Gjithsesi, më e rëndësishmja sesa kontakti i liderëve, është distanca higjenitke që ata kanë në ndërlidhjen politike.

Edhe pse në zgjedhjet e 14 majit 2023 ata ishin një aleancë e përbashkët, veprimi politik në qendër, por edhe në bashkitë ku kanë këshilltarë nuk se është i ngjizur.

Dalja e përbashkët në protestën kundër Veliajt në Tiranë, është më shumë një demonstrim për të treguar forcë, ndërsa janë të goditur nga SPAK.

Jo vetëm që nuk ka më ecejake te Metës në selinë e PD-së, edhe pse aty mungon “legjenda”, por nuk ka një vizion sesi do të funksionojë aleanca në zgjedhjet e vitit 2025. Meta në 5 prioritetet për të cilat bërtet këto ditë në çdo orë, kur është në hiperaktivitet, nuk ka përmendur të ardhmen e një koalicioni. Përveçse anektodën e doktorit Kryeministër e vetë Zv.kryeministër, për tu bërë më pas sërish President sërish me votat e doktorit.

Po kryeministër e president i kujt?

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton