Në ditën e 13 të grevës së urisë së naftëtarëve të Ballshit, pjesa tjetër e naftëtarëve që nuk janë të ngujuar në godinën e ish qendrës shëndetësore kanë zhvilluar protesta në qendër të Ballshit.
Me pankarta dhe thirrje në rrugë, naftëtarët e Ballshit u nisën nga oborri i rafinerisë në drejtim të qendrës së qytetit. Marshimit të tyre iu bashkuan edhe qytetarët e Ballshit, ku për rreth një orë ata mbajtën të bllokuar rrugën hyrëse të qytetit.
Sakaq në godinën e ish-qendrës shëndetësore të rafinerisë vazhdojnë të qëndrojnë të ngujuar 9 grevistët e urisë. Përjashtim bën krye-sindikalisti Sokol Dautaj i cili i vendos edhe kësaj radhe në krye të protestës, duke dalë në qendër të qytetit të Ballshit
"Nuk kam kërkuar lëmoshë, nuk kërkoj luks, kërkojmë që të rihapet rafineria pasi të gjithë sot në shesh e ardhmja e qytetit tonë është rafineria. Ne jetojmë mbi naftë por jemi të papunë, jetojmë me borxhe sepse shtetit kur i duhet të marra taksat e tatimet ai të tregon vendin. Të gjithë zyrtarët që rrojnë me taksat tona sot duhet të shohin vetëm këto pamje dhe ti vënë gishtin kokës. Urrejtja qytetare dhe naftëtarëve ka arritur kulmin ndaj atyre palaçove që hiqeshin si elefantët e sindikatave në Tiranë . Sot është një protestë paqësore dhe mesazh shumë i qartë i atyre q ë kanë sy të shohin e veshë të dëgjojnë. Nuk pranojmë më të tilla lojëra me oligarkë që vijën e tallen çdo 6 muaj", tha Dautaj.
Këtë të shtunë u vu re edhe prezenca e Arlind Qorrit, nga shoqëria civile. Naftëtarët e Ballshit kërkojnë marrjen e pagave të prapambetura dhe rifillimin e punës së rafinerisë. Edhe pse kanë 13 ditë në grevë urie, asnjë përgjigje nuk kanë marrë nga Ministria e Energjetikës. Nga e hëna e javës që vjen ata kanë paralajmëruar përshkallëzim e protestave dhe paralizim të jetës në qytet, deri tek bojkotimi i mësimit në shkolla.
Protestuesit bllokuan qendrën e Ballshit duke i thënë qytetarëve bashkohuni me ne "Duam lekët tona".
Dhjetra qytetarë të Ballshit i janë bashkuar protestës së thirrur nga naftëtarët. Ata kanë bllokuar rrugën kryesore dhe po marshojnë.