Çdo ditë, në pavijonet pediatrike, zhvillohet një betejë e heshtur. Fëmijë që përballen me kancerin dhe mjekë që luftojnë orë pas ore për t’u dhënë një shans më shumë. 15 Shkurti, Dita Botërore e Kancerit Pediatrik, është një kujtesë e fortë se kjo luftë nuk ndalet.
Diagnostikimi i hershëm mbetet arma më e fortë. Sa më shpejt të kapet sëmundja, aq më shumë rriten shanset për shërim dhe për një të ardhme normale për këta fëmijë.
Mirela Xhafa, mjeke onkohematologe pediatre në QSUT, thotë se forma më e shpeshtë është leucemia akute, e njohur si kanceri i gjakut. Pas saj vijnë tumoret e trurit, limfomat dhe rreth 15% përbëhen nga tumore të tjera.
“Ne këtu aktualisht luftojmë çdo ditë, çdo orë me këto patologji. Vlerësimi në kohë është i rëndësishëm. Pacientët duhet të paraqiten kur kanë simptoma, por edhe të kryejnë vizita rutinë që nuk duhen neglizhuar”, thotë ajo.
"Temperaturë e zgjatur, zbehje, lodhje, bark i fryrë, zmadhim të gjëndrave limfatike. Janë shenja që kërkojnë vëmendje të menjëhershme. Hapi i parë është pediatri i bazës, më pas specialisti", shpjegon ajo.
Në vendet e zhvilluara, niveli i shërimit arrin deri në 85%. Në vendet me zhvillim më të ulët, shifra zbret në rreth 40%. Diferenca është e madhe, por mesazhi është i qartë: reagimi i shpejtë shpëton jetë dhe u jep fëmijëve një të ardhme më të sigurt.
Komente







