Dita Botërore e Mjedisit, kreu i AKZM, Dedej: Kemi bërë progres në fushën e mjedisit, problem ndotja e ajrit dhe trajtimi i mbetjeve

Në ditën botërore të mjedisit, kreu i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura Zamir Dedej tha në Report TV se duhet punuar më shumë për cilësinë e ajrit dhe menaxhimit të mbetjeve. Përpos këtyre dy problematikave Dedej tha se vendi ka bërë progres në fushën e mjedisit dhe është rritur ndërgjegjësimi.

5 qershori shënon ditën botërore të mjedisit. Një datë ku shtohet më shumë thirrja për tu kujdesur dhe për të pastruar mjedisin. Shqipëria është një nga vendet që ende duhet të punojë për të arritur standardet evropiane dhe kapitujt e BE-së sa i takon kësaj fushe dhe që kërkohen për integrimin e vendit.

Por edhe pse ka ende punë për tu bërë kreu i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura Zamir Dedej tha në Report TV se është rritur ndërgjegjshmi i qytetarëve në raport me mjedisin.

“Në 10 vitet e fundit ndërgjegjësimi i popullatës ndaj mjedisit është përmirësuar. Qytetarët po sillen më mirë me mjedisin, të kritikojnë qevrinë për probleme të ndryshme, janë prezent në vendimmarrje. Shqipëria është vend që ka bërë progres sa i takon mbrojtjes së natyrës. Ndikim pozitiv kanë dhënë edhe moratoriumet për ndalimin e prerjes së pyjeve për lëndë drusore, që ka pasur një situatë pozitive si dhe moratoriumi për të mbrojtur shpendët pasi ka pasur më shumë shpendë të egra”, shprehet Dedej.

Dedej thotë se aktualisht problem është trajtimi i mbetjeve dhe ndotja e ajrit për të cilat ende duhen projekte dhe punë shumë.

“Një nga problematikat më të mëdha që nuk është vetëm e vendit tonë është edhe për botën, është problemi i mbetjeve. Nga studimet e fundit të Kombeve të Bashkuara është parë që njerëzimi me këtë shfrytëzim apo prodhim të mbetjeve i duhet 1.6 sipërfaqe tokësore, pra i duhet më shumë rruzull tokësor sesa kemi sot në dispozicion, pra ne jemi në një situatë agresiviteti njerëzimi ndaj mjedisit. Mbetjet janë një nga problematikat kryesore që është prezente. Do të ndalesha tek problemi tjetër, ndotja e ajrit. Në zonat urbane nga intensiteti i njerëzve dhe makinave, ajri urban është një problematikë që ne e kemi dhe vazhdojmë ta cilësojmë si prioritet për tu ndrequr. Pastaj janë pyjet që lidhet edhe me erozionin natyror”, tha Dedej.

Nga ana tjetër Dedej foli edhe për zonat e mbrojtura ku tha se po konkurrojmë denjësisht me vendet e rajonit për destinacionet turistike.

“Zonat janë pjesë e turizmit, janë shumë të vizitueshme Alpet mbi 150 mijë turistë në Valbonë e Theth kemi vizita në Butrint, kemi pelegrinazhin në Malin e Tomorit dhe më pas vazhdojmë me zonat bregdetare siç është Divjaka apo Velipoja”, u shprehet kreu i AKZM.

Ndërkohë shtoi se do të rriten investimet për të përmirësuar infrastrukturën e e zonave të mbrojtura.

“Ne kemi vetëm 3 vende ku grumbullojmë tarifa, është ‘Syri i Kaltër’, Mali i Dajtit dh Kune Vain. Me vendim të qeverisë në 2020 të gjitha tarifat që paguhen për zonat e mbrojtura do të përdoren për infrastrukturën në zonat e mbrojtura. Asnjë lekë nuk do të shkojë dëm por do të ripërdoret për investime”, pohoi ai.

Sa i takon pandemisë ai tha se viti 2020 ishte periudha më e vështirë për turizmin por që ndikoi pozitivisht në shtimin e shpendëve e kafshëve.

“Duhet të jap një shembull pozitiv që shkaktoi pandemia, me pa-dashjen e vet. Mbyllja e njerëzve, tërhoqi edhe aktivitetet njerëzore ndërsa bota e egër avancoi, dhe kafshë të egra ishin prezente ku më parë rrinin njerëzit, zonat rurale kuptohet”, pohoi Dedej.

Dedej u shpreh optimist për turizmin e vitit 2021, pasi lëvizjet kanë nisur.

“Në vitin 2019, ne kishim rreth 7 milionë turistë, në vitin 2020 kishim një rënie drastike dhe kishim turistë kryesisht të ardhur nga Kosova. Këtë vit kemi një situatë mjaft pozitive, vendi ka hapur dyert dhe kjo ka bërë që aktiviteti turistik të filloj shumë më para. Jemi në fazën që kanë filluar të vijnë turistë nga Bjellorusia, Ukraina, Ceki dhe Poloni dhe po tentojmë të jemi më prezent në turizmin rajonal. Kjo është një luftë mes vendeve kush do të marrë më shumë turistë, dhe ndonjëherë edhe pengimi i njerëzve për tu lidhur mund të jetë edhe për shkak se shtetet duan ti mbajnë turistët në vendin e vet. Shqipëri po bën një politikë agresive në thirrjen e turistëve, duke lehtësuar kushtet si pasojë e pandemisë, hoteleria është gati dhe gjithashtu natyra jonë është një nga atraksionet e shtuara që ne kemi në raport me vendet e tjera”, shtoi ndër të tjera Dedej.

 

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Rama akuzon PD-në: Nxit akte anti-shqiptare në tokë të huaj

Rama akuzon PD-në: Nxit akte anti-shqiptare në tokë të huaj