20-vjet nga çlirimi i Kosovës/ Albright dhe Clark nderohen me 'Çmimin e Lirisë'! Clinton: NATO fitoi luftën, ju paqen

U mbajt sot ceremonia e shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë kur morën pjesë edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeline Albright, ish-komandanti i NATO-s gjenerali Wesley Clark si dhe të tjera personalitete nga vendi dhe bota. Në ceremoni morën pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta.

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, tha se ndihet i nderuar që ka qëndruar me popullin e Kosovës “kundër spastrimit etnik dhe për lirinë e tij”. 

Gjatë ceremonisë presidenti Hashim Thaçi nderoi ish-sekretaren amerikane të shtetit Madeleine Albright dhe gjeneralin Wesley Clark me 'Çmimin e Lirisë'.

Albright, tha gjatë fjalës së saj se lufta në Kosovë ishte një përballje ndërmjet vrasjeve barbare dhe të drejtave themelore të njeriut, ndërmjet tiranisë dhe demokracisë. Ajo deklaroi se në dy dekada qytetarët e Kosovës dëshmuan se janë të aftë të ndërtojnë paqen.

Ndërsa zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer deklaroi se Kosova duhet të punojë më shumë për dialogun me Serbinë deri në njohjen reciproke të të dy shteteve.

Trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë 12 qershori i vitit 1999 cilësohet si dita e lirisë së Kosovës.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:00
Kosovë/ Meta takon Clinton: Të bëjmë të pamundurën...

Presidenti Ilir Meta ka qenë sot i pranishëm në Prishtinë, aty ku u mbajt ceremonia e shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Në këtë ceremoni Meta ka takuar ish-presidentin e SHBA-ve, Bill Clinton, i cili kishte ardhur posaçërisht për këtë ditë.

Nëpërmjet një statusi të publikuar në Facebook, Meta shprehet i lumtur për këtë takim.

Meta ka theksuar, atë ç'ka vetë Clinton nënvizioi për bërjen e të pamundurës, për sa i përket realizimit të shpresave dhe ëndrrave të të rinjve.

‘Shumë i lumtur të takoja e përshëndesja përzemërsisht qytetarë të Prishtinës e mbarë Kosovës dhe të shkëmbeja me ta urimet më të ngrohta për 20-vjetorin e Çlirimit. Ashtu siç me të drejtë theksoi sot Presidenti Bill Klinton është e domosdoshme të bëjmë të pamundurën, në Shqipëri dhe Kosovë, për t'u garantuar të rinjve realizimin e shpresave dhe ëndrrave, si dhe ndërtimin e së ardhmes së tyre në vendet tona’, shkruan Meta.

Ora 14:09
'Kamarieri shqiptar ra në gjunjë për të më falënderuar', Clinton ndan momentin e veçantë

1560337025_1560336294autobillllll730x4401560335942.jpg

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, teksa ka mbajtur fjalimin e tij në ceremoninë zyrtare të shënimit të 20 vjetori të lirisë së Kosovës, ka ndarë një moment jashtëzakonisht të veçantë që i kishte ndodhur kur ishte duke qëndruar në një hotel diku në SHBA.

“Që 19 vjet që prej kur kam dalë nga Shtëpia e Bardhë, gjëja më e mrekullueshme që më ndodh, është që më ndal dikush në New York, apo diku tjetër në botë, për të bërë një fotografi.Apo kur isha në një hotel, një kamarier shqiptar erdhi dhe më ra në gjunjë për të më falënderuar. Kjo është një gjë e mrekullueshme”, tha Clinton.

Ora 13:29
Haradinaj hedh një hap drejt Serbisë: Paqen e bëjnë të guximshmit dhe ne guxojmë të pajtohemi

1557242417_ramushharadinaj.jpg

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi gjatë fjalës së tij në ceremoninë e 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovës se paqen e bëjnë të guximshmit dhe populli i Kosovës e ka guximin të pajtohet me Serbinë, dhe këtë shtoi ai, e bëjnë në mirënjohje të SHBA-së.

“Për shumë kohë populli ynë e ka kërkuar lirinë, breza e breza kanë vuajtur dhe janë flijuar. Populli i Kosovës e priste nga Zoti ndihmën. Bijtë e bijat e këtij populli qëndronin me popullin. Qëndronin Jasharajt dhe luftëtarët e Lirisë. UÇK qëndroi me popullin. Spastrimi etnik dhe trenat e vdekjes u ndalën nga ju zoti President. Ju me avionët e jetës ndalët trenat e vdekjes dhe spastrimin etnik. Sot një popull i rilindur ju falenderon për jetë. Shteti i Kosovës është vlerë e re në rajon, vlerë e shtuar në botë dhe sjell paqe në rajon. Paqen e bëjnë të guximshmit dhe ne guxojmë të pajtuhemi me Serbinë.

I bëjmë thirrje popullit të Serbisë edhe presidentit Vuçiç ta njohë Kosovën si të pavarur në kufinjtë e vet në mënyrë që ne që qeverisim të punojmë më shumë e të fokusohemi në vendet e punës për qytetarët tonë dhe në qeverisjen më të lirë dhe në luftimin e korrupsionit. Në mënyrë që brezave tu lëmë lirinë e respektin dhe jo luftën për territore e kufij. 

Kosova është gati për tu pajtuar dhe i bën thirrje Serbisë për pajtim.  E bëjmë dhe në falenderim të ndihmës që na ka dhënë bashkësia ndërkombëtare. Presidenti Clinton jeni në shtëpinë tuaj. Të gjithë sot jemi në shtëpinë tonë. Zoti bekoftë Kosovën dhe aleatët e Kosovës”, u shpreh Ramush Haradinaj.

Ora 12:50
Palmer: Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun deri në njohjen reciproke

Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit amerikan, Matthew Palmer në ceremoninë e 20-vjetorit të hyrjes së Nato-s në Kosovë deklaroi se Kosova duhet të punojë më shumë për dialogun me Serbinë deri në njohjen reciproke të të dy shteteve.

“Sot po shënojmë 20-vjetorin mbylljes së operacionit të forcave të NATO-s dhe KFOR-it. Ne e njohim me respekt përkushtimin e forcave të NATO-së që i kanë bërë këtu për 20-vite. NATO ka intervenuar pas të gjitha shterimit të përpjekjeve diplomatike. Intervenimi ka qenë mundësia e fundit për të gjunjëzuar Millosheviqin dhe ndaluar shkatërrimet që po bëheshin në këtë vend.

Në këtë përvjetor solemn i përkujtojmë shumë ushtar që i kanë humbur jetën në mison. Sot e ri përsërisim zotimin ton për ta ndërtuar paqen dhe prosperitetin. Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë se bashku në emër të të gjitha viktimave. Duhet të lenë mënjanë hatër-mbetjet. SHBA qëndron prtanë kosovë për të inkurajuar përparimin. Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun deri në njohjen reciproke të të dy shteteve. Kosova dhe Serbia gjithnjë do të jenë fqinjë”, ka deklaruar Palmer.

Ora 12:43
Clinton në Kosovë: Nderi më i madh i jetës time është që kam qëndruar krah jush në spastrimin etnik

Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton në ceremoninw për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, tha se është nderi më i madh i jetës pasi ka ndalur spastrimin etnik në Kosovë para 20 vitesh.

“Më pëlqen shumë dhe gjithherë do të jetë nderi më i madh në jetën time që kam qëndruar me juve kundër spastrimit etnik dhe ju jam shumë mirënjohës që jam këtu me qytetarë që kanë qenë pjesë e asaj beteje.

E kam në zyrën time një New York një fotografi të Westley Clark, të Toni Blair dhe fotografinë time dhe të gjithë tjerët që ishin aty. Çdo ditë që qëndroj në atë zyre ia kujtoj vetës se cili ka qenë qëllimi i politikës. Më kujtohen fytyrat e qytetarëve kur i takova para 20 vitesh. Në shkollën fillore në Ferizaj atë ditë thash, dhe dëshiroj ta them edhe sot. 79 ditë të sulmeve mund ta kenë fituar atë luftë por vetëm qytetarët e Kosovës mund ta kanë fituar paqen. 20 vite më vonë keni bërë punë të shkëlqyeshme dhe e di se në kohë paqeje më e rëndësishmja është që të shqyrtohet se çfarë do të bëjmë më tutje. NATO e fitoi luftën, ju paqen”, tha Clinton.

Ora 12:30
Albright: Clinton më telefonoi natën kur vendosën që NATO të ndërhynte në Kosovë

Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright ne fjalimin e mbajtur sot ne ceremonine ne Prishtine per nder te 20 vjetorit te hurjes se NATO ne kete shtet, ka dhene mesazhe te forta para te pranishmeve. 

Ajo tha se vendimi për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, nuk ka qenë i lehtë, duke zbuluar bisedën që kishte bërë atë kohë me presidentin e 42-të të SHBA-ve, Bill Clinton.

“Kam kënaqësinë që jam këtu me ju. Lufta në Kosovë ka qenë e rëndë… Ne ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë.

 Nuk ishte vendim i lehtë, dhe kemi pasur shumë diskutime, dhe presidenti Clinton më telefonoi natën dhe më tha planet tona janë nisur dhe ne po bëjmë gjënë e duhur, i thashe po z.kryetar ne po bëjmë gjënë e duhur”, ka deklaruar Albright.

Ora 12:21
Ditëlindja e Lirisë/ Thaçi: Kosova është mburrja dhe krenaria jonë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në manifestimin qendror për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, ua ka uruar gjithë qytetarëve 12 qershorin, ditëlindjen e lirisë së Kosovës.

“12 qershori është në themelet e identitetit tonë si qytetarë, si popull, si Kosovë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe Perëndimit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë, se ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të, Bota e Qytetëruar, e personifikuar në SHBA-të, Bashkimin Evropian, Aleancën Veriatlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm.

“Ne mburremi që jemi sot populli më proamerikan, më properëndimor dhe më proevropian në këto anë të botës”, ka thënë ai, duke theksuar se liria e Kosovës është vlerë e përbashkët.

Fjalimi i plotë:

Dua qysh në fillim t’i uroj qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse 12 qershori i vitit 1999-të, është ditëlindja e lirisë së Kosovës.

Secili nga ne që jetojmë në Kosovë, por edhe shumë të tjerë që jetojnë kudo në botë, e kemi ditën kur u lindëm si njerëz.

Por, 12 qershori është datë që na bashkon të gjithëve si qytetarë të Kosovës.

Këtë ditë u rilindëm të gjithë ne, si qytetarë të lirë të këtij vendi të lirë.

12 qershori është në themelet e identitetit tonë si qytetarë, si popull, si Kosovë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe e Perëndimit.

Këtë kurrë nuk do ta harrojmë, do ta respektojmë përgjithmonë.

Ashtu siç jemi sot së bashku, si kosovarë, amerikanë, britanikë, gjermanë, francezë, italianë, e nga shumë vende tjera në këtë ditë të bukur qershori në kryeqytetin e shtetit të Kosovës, në Prishtinë, ashtu ishim bashkë në periudhën më të rëndë, më të errët dhe më tragjike në historinë e re të Kosovës:

-        atëherë kur ishte rrezikuar vetë mbijetesa e një populli,

-        atëherë kur qytetarët e Kosovës ishin në gjendje të sakrifikojnë gjithçka për liri dhe për t’u bërë zot të fatit të vet.

Ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të, Bota e Qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, Bashkimin Evropian, Aleancën Veriatlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm.

Ka qenë një hap vendimtar për ta shpëtuar një popull të tërë, për të mundësuar që e keqja të pësojë disfatë dhe që të gjithë neve të na ofrohet mundësia historike, që ta ndërtojmë një të ardhme për ne dhe për brezat e ardhshëm.

Sa të ketë jetë dhe njerëz në këto anë, sa të ketë Kosovë mbi këtë tokë, ne do të jemi falënderues për qëndrimin dhe vendimin tuaj njerëzor dhe qytetërues të pranverës së vitit 1999.

Ishte qëndrim dhe vendim i drejtë dhe i ndershëm!

Edhe sot, si President i Kosovës, ju them sërish, me sinqeritetin dhe përulësinë më të madhe: Ju faleminderit!

Edhe pas përfundimit të luftës dhe sigurimit të paqes edhe nga 50 mijë trupa të Aleancës Veriatlantike, Bota e Qytetëruar ishte së bashku me ne.

Ishte për ta ndryshuar me themel vendin tonë, në të gjitha aspektet e mundshme.

Për ta ndërtuar një Kosovë të re, në të gjitha dimensionet.

Kosova u bë demokracia më e re liberale në Evropë.

Mbajtëm me sukses zgjedhjet e para të lira, si në nivelin e pushtetit lokal, ashtu edhe në atë të pushtetit qendror.

U mësuam t’i respektojmë të drejtat e të gjitha pakicave dhe t’i mbrojmë të drejtat e njeriut.

Krijuam ekonominë e tregut të lirë.

Mundësuam investime nga jashtë.

U stabilizuam si shoqëri.

I bëmë hapat e parë drejt procesit të integrimit euroatlantik. 

Dhe më në fund, në respektim të vullnetit të popullit të Kosovës për ta bërë shtetin e vet, me gatishmëri për t’i gjetur zgjidhjet më të mira për akomodimin e të gjitha nevojave të komunitetit serb dhe të komuniteteve të tjera në Kosovë, ne shpallëm Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.

Liria e Kosovës është vlerë e përbashkët e të gjithë neve këtu.

Secili politikan i Kosovës, secili qytetar i saj, nuk ka as më të voglin dyshim se çka jemi ne si popull apo cili është identiteti ynë suprem.

Ne jemi evropianë dhe duam të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Ne jemi perëndimorë dhe duam të jemi shtet anëtar i Paktit NATO.

Ne mburremi që jemi sot populli më proamerikan, më properëndimor dhe më proevropian në këto anë të botës.

Por, ne jemi të bindur që së bashku duhet dhe mund ecim më shpejt drejt integrimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike dhe në Bashkimin Evropian.

Ne e meritojmë këtë.

Ashtu siç kemi merituar të jemi të lirë.

Ashtu siç e kemi merituar të bëhemi shtet.

Në anën tjetër, e dimë që rrëfimi për ne si Kosovë, si shtet, nuk mund të rrumbullakohet në tërësi pa e ngritur flamurin e Kosovës në East River, në selinë e OKB-së.

Pa e siguruar edhe njohjen nga pesë shtetet e BE-së.

Ashtu siç kemi qenë shumë vite më parë të gatshëm për ta bërë marrëveshjen historike me Serbinë, ashtu jemi edhe sot të vullnetshëm që të bisedojmë me Serbinë për ta bërë Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Ne sot e kësaj dite jetojmë ende me barrën e një historie të rëndë dhe tragjike që ka ndodhë në Kosovë.

Nuk mund ta harrojmë dot gjenocidin dhe spastrimin etnik!

Këtë kujtesë dhe respektin e pafund ia kemi borxh të gjithë atyre që vuajtën dhe u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Por, në anën tjetër, ne ia kemi borxh fëmijëve tanë dhe gjeneratave që po vijnë, që ta bëjmë marrëveshjen me Serbinë.

Që të jetojmë si shtet në paqe dhe në fqinjësi të mirë me të gjithë.

Që të sigurojmë mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Që të bëhemi shtet anëtar në OKB dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Dhe në fund, që ta ngrisim flamurin e Kosovës edhe në NATO dhe në BE.

Nuk ka kush të na ndalë!

Kosova është mburrëria jonë, është krenaria  jonë, është fati ynë.

Urime edhe një herë Dita e Lirisë së Kosovës.

Ju faleminderit për vëmendjen! /Kosova Press

Ora 12:16
Hashim Thaçi nderon Albright dhe Clark me 'Çmimin e Lirisë' (VIDEO)

Në ditën e festimeve të përvjetorit të 20-të të hyrjes së forcave të NATO në Kosovë, Presidenti Hashim Thaçi priti sot në selinë e Presidencës ish-sekretaren amerikane të shtetit Madeline Albright.
“Mirë se keni ardhur në shtëpinë tuaj, në familjen tuaj. Ju keni qenë dhe do mbeteni gjithmonë heroinë e popullit të Kosovës për angazhimin që keni treguar për ta ndaluar të keqen, vrasjet dhe dëbimet  si dhe për të krijuar mundësinë për rikthimin e njerzëve në shtëpitë dhe pronat e tyre. Për të punuar për reformat demokratike, për zhvillimin ekonomik të një vendi të ri në Evropë”- Me këto fjalë i uroi mirësëardhjen ish-sekretares amerikane Presidenti Thaçi.
Më pas, Presidenti Thaçi ftoi miken e popullit të Kosovës për të pranuar çmimin e akorduar.
Si president i Kosovës, më lejoni që të ndaj me ju çmimin e ‘Urdhrit të Lirisë’ për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës”.
Albright ka falënderuar Thaçin për çmimin e dhënë, duke thënë se është krenare që e bënë Kosovën e pavarur.
“Faleminderit shumë për këtë nderim. Jam krenar që e bëmë këtë gjë të ndodh, nuk do e harrojë kurrë kur erdha për herë të parë në Prishtinë dhe dëgjova popullin duke na falënderuar. Mendoj se SHBA bëri gjënë e duhur që ndihmojë njerëzit e Kosovës për të fituar lirinë” –deklaroi Albright.
Më pas ish sekretarja amerikane e shtetit u prit në takim dhe nga Kryeparlamentari Kadri Veseli.

Më pas Presidenti i Kosovës ka pritur dhe nderuar me medaljen “Urdhri i Lirisë” ish-Komandanti Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, Wesley K. Clark.

“Dëshiroj ta falënderoj gjeneralin Clark për ardhjen e tij në Kosovë, në shtëpinë e tij, në mesin e njerëzve që e duan dhe respektojnë. Me Presidentin Clinton dhe Sekretaren Albright kemi vlerësuar lart lidershipin dhe guximin tuaj për lirinë e Kosovës” –u shpreh Presidenti Thaçi
Clark tha se e ardhmja e kosovarëve do të jetë e ndritshme dhe se Kosova meriton të jetë pjesë e BE-së.
“Faleminderit që më nderuat mua. Është një eksperiencë e mrekullueshme të kthehem në Kosovë pas 20 vite, pas tërë asaj tragjedie dhe ta shoh vendin në liri. Ne do të punojmë me ju siç kemi bërë në të kaluarën që Kosova të bëhet pjesë e BE-së- u shpreh Gjenerali Clark./Përgatiti Ilir Çuçi

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • adamo311: 15/06/2019 01:43

    ... kunder spastrimit etnik.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston

NBA/ LeBron fiton 'betejën' me Curry-n, mposhten kampionët e Boston