Dita e çlirimit të Kosovës, Osmani: NATO pranë nesh në momentet më të errëta, Kurti: Sot kremtojmë paqen, Meta: Kjo ditë na kujton se sa e shtrenjtë është pavarësia

22 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milion shqiptarëve të Kosovës. Integriteti territorial i Kosovës është i garantuar me shpalljen e pavarësisë në 17 shkurt të 2008-ës, të njohur nga mbi 100 shtete të botës.

Gjatë paradites së sotme janë zhvilluar homazhe në nder të 22-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ku kanë qenë të pranishëm kryeministri Albin Kurti, presidentja, Vjosa Osmani dhe kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca.

Ata kanë kujtuar momentet e vështira dhe kanë vendosur kurora lulesh te Pllaka Përkujtimore të ushtarëve të NATO-s të cilët humbën jetën 22 vite më parë.

Edhe presidenti Ilir Meta ka kujtuar këtë ditë të rëndësishme e cila na kujton rëndësinë e pavarësisë dhe lirisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:01
22-vjetori i çlirimit të Kosovës, Basha: Ditë krenarie kombëtare, shqiptarët përjetë mirënjohës aleatëve tanë strategjikë dhe vendeve anëtare të NATO-s

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar Kosovën për 22-vjetori e çlirimit të saj.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, kryedemokrati ka shprehur fillimisht mirënjohjen e tij për bijtë dhe bijat e Kosovës të cilët dhanë jetën për liri, për lidershipin e Presidentit historik, Ibrahim Rugova, për luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simbolit të saj, Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Basha nuk ka harruar t’i shprehi mirënjohje edhe aleatëve strategjikë, vendeve anëtare të NATO-s të udhëhequr nga SHBA, e të gjithë partnerëve.

Sipas tij liria dhe shteti i Kosovës janë kontribut i përbashkët i shqiptarëve të saj.

“E ardhmja e Kosovës, si një shtet i fortë, demokratik, anëtar i NATO-s dhe BE-së, do ndërtohet bashkarisht me partnerët dhe aleatët tanë.”, shkruan ai në postimin e tij.

Ora 14:17
Dita e Çlirimit, homazhe në varrezat e familjes Jashari! Konjufca: S’ka përfunduar ende asgjë, Serbia ka plane për t’u kthyer në Kosovë

Në përkujtim të festës së çlirimit, në Poklek të Drenasit është mbajtur manifestimi qendror. Gjatë ceremonisë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha se kushdo që mund të dyshojë në drejtësinë e ndërhyrjes së NATO-s duhet të ndalojë fillimisht në Poklek.

“22 vjet më parë kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s vizitoi Kosovën na la një thënie e cila rezulton  aq shumë edhe tash pas më shumë se 2 dekada. Në pllakën që do ta shihni këtu në Poklek do ta shihni citatin e tij. Citoj” Kushdo që mund të dyshoj në drejtësinë e intervenimit të NATO-s duhet të vijë në Poklek”, tha ajo.

Osmani tha se 22 vjet më parë kur forcat e NATO-s hyn në Kosovë u realizua ëndrra e prijësve tanë, u realizua ëndrra e Ibrahim Rugovës dhe e Adem Jasharit, ëndrra e gjithsecilit që e synuam jetën e lirë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se 12 qershori është kurorëzimi i të gjitha përpjekjeve për liri.

“Rreziku dhe kanosja nga Serbia nuk ka kaluar ende, kërcënimi sot është më i pranishëm se kurrë më parë që nga 12 qershori i vitit 1999, sepse për sa kohë që Serbia ende ka plane për t’u kthyer në Kosovë edhe ato nuk i fsheh hiç ne duhet të jemi të gatshëm ta mbrojmë atdheun tonë me çdo kusht. Sa kohë Serbia na ka në kushtetutën e saj, asgjë nuk ka përfunduar me Serbinë. Prandaj 12 qershorin duhet ta festojmë me vigjilencë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se 12 qershori shënon fundin e gjenocidit në Kosovë.

“12 qershori shënon fundin e gjenocidit në Kosovë. Kosova është e lirë dhe e pavarur, ne do të punojmë që ta bëjmë Kosovën edhe të zhvilluar e sovrane. Ky partneritet si me NATO ku duam të anëtarësohemi. Jemi mbledhur këtu në Poklek se është dëshmi e gjenocidit serbë në Kosovë”, tha Kurti.

Kurti tha se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë dhe siguroi edhe njëherë që do të padisin Serbinë për gjenocid.

Në këtë manifestim të ditës së Paqes, morën pjesë edhe ambasadorët e shteteve mike e përfaqësues të institucioneve.

Ora 12:36
Ruçi përshëndet Ditën e Lirisë së Kosovës: Mbështetja e SHBA, NATO, BE mundësoi çlirimin, UÇK në anën e drejtë dhe të duhur të historisë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka përshëndetur sot Ditën e Lirisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij për këtë ditë të rëndësishme shkruan se sot është dita për të rikujtuar se vetëm vendosmëria e aleatëve të mëdhenj dhe të përhershëm strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe NATO-s, kurorëzoi luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëri të mundur çlirimin e Kosovës.

Ruçi shprehet gjithashtu se kjo ditë është për të na rikujtuar se ashtu si luftën për çlirim dhe pavarësi, edhe përpjekjet për zhvillim e përparim, dialogun me Serbinë dhe ndërtimin e paqes në rajon, Kosova mund, duhet dhe do t’i realizojë me sukses.

Mesazhi i Ruçit: 

“Sot Kosova kremton Ditën e Lirisë, e cila shënon datën e ndërhyrjes së NATO-s,  dislokimin e trupave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, më 12 qershor 1999.

Dita e Lirisë është dita të rikujtojmë se vetëm vendosmëria e aleatëve të mëdhenj dhe të përhershëm strategjikë të Shqipërisë, ShBA, BE dhe NATO-s,  kurorëzoi luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëri të mundur çlirimin e Kosovës.

Lufta e popullit kosovar dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe rezultati i saj është Kosova e lirë dhe e pavarur.

Kosova dhe Ushtria e saj Çlirimtare ishin në anën e drejtë dhe të duhur të historisë.

Dita e Lirisë së Kosovës është dita të rikujtojmë se ashtu si luftën për çlirim dhe pavarësi, edhe përpjekjet për zhvillim e përparim, dialogun me Serbinë dhe ndërtimin e paqes në rajon, Kosova mund, duhet dhe do t’i realizojë me sukses vetën në partneritet të ngushtë dhe duke iu bashkuar vizionit te aleatëve të përhershēm strategjikë të shqiptarëve, ShBA dhe BE-së.”, shkruan në mesazhin e tij përshëndetës Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi

Ora 11:43
22-vjetori i çlirimit të Kosovës, Haradinaj: Fitorja e UÇK-së dhe hyrja e forcave tokësore të NATO-s, momentet më kulminante të historisë, ta gëzojmë lirinë

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar Kosovën për 22-vjetorin e çlirimit të saj.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Haradinaj kujton 2 ngjarjet me kulminante në historinë e Kosovës, duke kujtuar së pari, fitoren e UÇL-së dhe hyrjen e forcave tokësore të NATO-s.

Ai ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj trimave të UÇK-së dhe aleatët e udhëhequr nga SHBA.

“Ta gëzojmë këtë liri, ta njohim vlerën e saj dhe të vazhdojmë në ndërtimin e të ardhmes sa më të mirë!”, shkruan ai në fund.

Ora 11:21
Homazhe për 22-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Osmani: NATO pranë nesh në momentet më të errëta të historisë, Kurti: Sot kremtojmë paqen dhe lirinë

Kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kreun e parlamentit Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, me rastin e 22-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Presidentja Osmani për mikrofonat e mediave vendase, është shprehur se NATO ka qëndruar pranë Kosovës në momente të errëta të historisë.

“Jemi këtu për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të secilit ushtar të NATO-s, të cilët i qëndruan përkrahë Kosovës në momentet më të errëta të historisë së saj. Jemi po ashtu këtu për të nderuar vazhdimin e këtij kontributi i cili nuk është ndalur në vitin 1999, atëherë kur edhe forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke u shndërruar kështu në shpëtimtarët e popullit të Kosovës, por kontribut i cili ka vazhduar edhe më tej dhe vazhdon edhe sot për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe gjithë rajonin”, tha ajo.

Lidhur me këtë ditë të rëndësishme, ka folur edhe Kurti i cili ka kujtuar 11 qershorin i cili ka qenë zjarr ne qiell dhe zjarr në tokë, ndërsa më 12 qershor këmbësoria e NATO-s i bashkohet ndërhyrjes nga ajri kundër Jugosllavisë së Millosheviçit për ta ndaluar gjenocidin mbi popullin shqiptar.

Ai tha se më 12 qershor kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë.

“Në qershorin e vitit 1999 kishim zjarr në qiell dhe zjarr në tokë por më 12 qershor këmbësoria e NATO-s i bashkohet ndërhyrjes nga ajri kundër Jugosllavisë së Millosheviçit për ta ndaluar gjenocidin mbi popullin shqiptar. Siç e tha edhe presidentja e Republikës, më 12 qershor ne kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë dhe këtë ia përkujtojmë vetës çdo ditë, sepse të gjithë ato gra e burra që u sakrifikuan, dhanë jetën ndodhen në themelet e institucioneve tona, të shtetit tonë, të pavarësisë sonë, të cilin duhet ta shpijmë më tej më zhvillim, drejtësi dhe demokraci”, tha Kurti.

Edhe kryeparlamentari Konjufca tha se liria e Kosovës ka ardhur fal kontributit të UÇK-së, dëshmorëve që dhanë jetën për liri.

“Liria jonë ka ardhur si kontribut i UÇK-së, i dëshmorëve tanë që e dhanë jetën për liri, por edhe i bashkimit, kontributit të përpjekjes sonë çlirimtare me faktorët ndërkombëtare që e ndihmuan luftën tonë dhe ne u çliruam nga okupimi i Serbisë. Vetë fakti se aleanca më e madhe ushtarake i doli në ndihmë popullit të Kosovës, e bombardoi Serbinë për shkak të gjenocidit që ajo shtroi mbi popullin e Kosovës kjo flet se kauza jonë ishte shumë e drejtë, liria jonë ishte shumë e shtrenjtë”, tha Konjufca.

Ora 10:44
Dita e çlirimit të Kosovës, Meta: Kjo ditë na kujton se sa e shtrenjtë është pavarësia, mirënjohje NATO-s dhe SHBA! Shqipëria krah jush në sfidat e ardhshme

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar ditën e çlirimit të Kosovës.

Ai shprehet se për këtë ditë çdo qytetar i Kosovës kontribuoi dhe sakrifikoi, duke na kujtuar sot se sa e shtrenjtë është liria dhe pavarësia.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, presidenti ka shprehur mirënjohjen e përjetshëm ndaj NATO-s, SHBA dhe vendeve demokratike mike, që kurorëzuan këtë aspiratë shekullore dhe kontribuojnë sot për të ndihmuar zhvillimin e pandalshëm të demokracisë, avancimit të proceseve integruese dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Meta shkruan se sot është dita për të nderuar rezistencën dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, Komandantin legjendar, Adem Jashari dhe të gjithë martirët e kombit shqiptar.

‘Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit të saj, avancimit të procesit të integrimit euroatlantik dhe në të gjitha sfidat e ardhshme.”, shkruan ai.

Urimin e tij Meta e ka shoqëruar edhe me videon emocionuese, të raportimit të gazetarit të njohur Asllan Bajrami, në ditën e veçantë të 12 qershorit të 1999, në këtë ditë të shënuar për kombin tonë.

 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Çuçi: Komision parlamentar kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja

Çuçi: Komision parlamentar kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja