TIRANE - Përfaqësues të politikës, veteranë dhe të afërm të të rënëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare përkujtojnë sot 5 Majin, Ditën e Dëshmorëve.
 
Ceremonitë e homazheve në nderim të tyre nisën mëngjesin e kësaj të hënë ku drejtues të lartë të Partisë Demokratike vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
 
Ashtu si çdo vit, tashmë e kthyer në traditë, politikanët qëndrojnë të ndarë në dy kampe edhe në përkujtimin e të rënëve të luftës.

Ishin ish-kryeministri Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kandidati i koalicionit të djathtë për Bashkinë e Tiranës Halim Kosova, të parët që mbërritën në “Varrezat e Dëshmorëve” ku vendosën kurora me lule në monumentin “Nëna Shqipëri”.
 
Lideri i opozitës Lulzim Basha nuk i ka lënë deklaratat elektorale as në këtë ditë, kur në fjalimin e rastit për mediat pas ceremonisë kërkoi votën e qytetarëve për të larguar qeverinë.
 
“Sot rikthehemi në këtë altar të lirisë kombëtare për të kujtuar çmimin e lartë të saj dhe për të përkujtuar ata që dhanë jetën e tyre për lirinë. Liria është vlera më e shtrenjtë për të cilën luftojnë kombet dhe njerëzit. Shumica dërrmuese e dëshmorëve të atdheut, të atyre që u flijuan në emër të lirisë, ishin të rinj. Ata patën një zgjedhje, një zgjedhje më të rëndë se ato që ka rinia sot: të flijoheshin për liri. Edhe ne sot kemi një zgjedhje, të forcojmë dhe mbrojmë lirinë e qytetarëve për t'u shprehur, për të votuar dhe për të larguar me votë qeverinë. 5 Maji është ditë thirrjeje për çdo shqiptar që të bëjë zgjedhjen e duhur për vete dhe familjen, duke nderuar sakrificën e dëshmorëve”, - u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. 

Zoti Basha vizitoi sot dhe familjet e heroit të demokracisë Azem Hajdari, në familjen e dëshmorit Isuf Ismail Gjashta dhe të dëshmores Sofie Hamza Xhuka.

Redaksia Online
(s.m/Shqiptarja.com)