Dita e dytë e ministrit Dritan
Demiraj, masakër në Vlorë

Dita e dytë e ministrit Dritan<br />Demiraj, masakër në Vlorë
Terror nga Durrësi deri në Vlorë. Masakër me thika në Durrës. Bilanc tragjik në Vlorë. Kjo është siguria e Republikës së Re.

Katër viktima, paniku dhe tmerri në dy qytete bregdetare, kanë shënjuar orët e para në detyrë të ministrit të ri të Brendshëm, Dritan Demiraj, shëmbëlltyra e Republikës së Re, e cila përpos të tjerave, u shpall edhe për t’u rikthyer shqiptarëve ‘sigurinë e munguar’.

Ende pa u fashitur tmerri që prodhoi masakra me thika në Durrës, një tjetër ngjarje po aq e rëndë, tashmë me natyrë mafioze, ka tronditur mbrëmë opinionin publik, sidomos qytetarët e Vlorës, disa prej të cilëve u shpëtuan për pak plumbave, por jo traumës që do t’i shoqërojë gjatë. Të vrarë mbetën pronari i një televizioni privat dhe drejtoi i OSHEE, po atentati mafioz në Sheshin e Flamurit në Vlorë, për shkak të mbipopullimit, mund të prodhonte një masakër të përmasave të frikshme, duke mos kursyer as fëmijët. Rastësi apo jo, rizgjimi i krimit përkon me dy ditët e para të ushtrimit të detyrës nga ministri i Brendshëm, Dritan Demirajt, i propozuar nga Partia Demokratike. Kjo e fundit, për katër vite me radhë, çdo vrasje në vend, ia ka faturuar Ministrisë së Brendshme dhe konkretisht ish-ministrit Saimir Tahirit, shpeshherë edhe qeverisë ‘Rama’ në tërësi.

Përdorimi i ngjarjeve kriminale për politikën e përditshmërisë ka qenë vektori i politikës së Partisë Demokratike gjatë katër viteve në opozitë. Madje, disa nga akuzat e Sali Berishës tejkalonin edhe skenarët e filmave tiller. Ndërkaq, rrallëkush mund ta besonte se, vetëm dy ditë pasi Partia Demokratike mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme, dinamika e terrorit, nuk mund të krahasohet me asnjë segment kohor gjatë katër viteve të fundit.

Nuk ka dyshim se pesha e përgjegjësisë rëndon mbi Ministrinë e Brendshme, por kurrsesi ngjarja nuk mund të lidhet me krerët e saj, siç bënte në çdo rast Sali Berisha, para se të fuste njërën këmbë në qeveri. Megjithatë, Partia Demokratike sot hesht. Hesht pasi nuk ka një ‘Saimir’ për ta akuzuar. Lulzim Basha nuk thotë asnjë fjalë. Hesht pasi nuk ka kurajo politike për të marrë përgjegjësi.

Nuk ka kurajo për të ndërtuar një raport të sinqertë me qytetarët. Hesht sepse shqiptarët nuk e kanë votuar për t’i qeverisur, aq më tepër një muaj para zgjedhjeve. Ndaj, për herë të parë, nuk kemi një palë që palë që akuzon dhe një palë tjetër që kundërpërgjigjet.

Nga kjo masakër nuk skandalizohet askush. Madje as nuk bën sikur skandalizohet. Ky është paradoksi i parë, kur në Shqipëri nuk ka një opozitë.

Ndoshta, Partia Demokratike, dje do të donte të kishte propozuar vërtetë një ministër teknik. Ndoshta sot, Sali Berisha do të donte të ishte vërtetë në opozitë.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Morën ryshfet për të favorizuar një ndërtim pa leje, shpallen në kërkim kryeinspektori e inspektori i IMT Elbasan

Morën ryshfet për të favorizuar një ndërtim pa leje, shpallen në kërkim kryeinspektori e inspektori i IMT Elbasan