Çështja kombëtare dhe Lugina e Preshevës ishin në qendër të veprimtarisë së organizuar këtë të enjte në kuadër të 28 Nëntorit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Shoqata Atdhetare “Tirana”, së bashku me 14 shoqata të tjera atdhetare, organizatat e veteranëve të LANÇ-it, të luftës së Kosovës, si dhe Unionin Shqiptar të Shoqërisë Civile, zhvilluan aktivitetin, gjatë të cilit u promovua edhe libri me poezi “Zëri im për ty Medvegjë” i autores Majlinda (Linda) Shaqiri, magjistre e filologjisë, zyrtare e lartë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës dhe fituese e disa çmimeve letrare. E emocionuar, ajo tregoi se rrugëtimi i saj letrar buron pikërisht nga përjetimet e shpërnguljes dhe dhimbjet e Medvegjës.

“Jo më kot kam thënë dhe do të vazhdoj të them dhe nuk do të rreshi asnjëherë duke thënë ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar, sepse me të vërtetë gjithçka e rrugëtimit tim, i krijmtarisë dhe veprimtarisë atdhetare lidhet me vargun dhe pikërisht Shqipëria, Tirana janë ato që m’i hapën dyert. Vij nga Medvegja ashtu siç e kuptuat dhe edhe pse jetoj ne Kosovë nga viti kur u shpërngula si fëmijë. Ajo ditë ishte po kjo ditë, si sot, me shi, një zbrazëti shumë e madhe që unë largohem nga vendlindja dhe që aty ka filluar rrugëtimi im i zemrës, lufta ime e ndjenja e brendshme patriotike atdhetare dhe lindën edhe vargjet e para.”, tha autorja Majlinda Shaqiri.

Të pranishmit theksuan rëndësinë e sensibilizimit për gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, duke kërkuar më shumë angazhim institucional nga qeveritë shqiptare, ajo e Kosovës dhe faktorët ndërkombëtarë.

Në fjalën e tij, Av. Idajet Beqiri, kujtoi edhe protestën e madhe kombëtare “Liria e ka emrin UÇK”, të zhvilluar në fillim të vitit 2025 në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. Ai theksoi se çështja kombëtare mbetet një dhe e pandashme në të gjitha trevat shqiptare.

“Brenda atij libri ka shumë dhimbje kombëtare. ka më shumë elementë të asaj qe ne jemi një komb, jemi në truallin tonë. Pavarësisht që Presheva, Bujanovci dhe Medvegja ndodhen sot në Serbi, pra, duam, s’duam ta pranojmë janë të kolonizuara nga Serbia, ne jemi një dhe kur themi jemi një, këtë duhet ta tregojmë vazhdimisht.”, tha Beqiri.

Ish-presidenti Alfred Moisiu nënvizoi domosdoshmërinë që shqiptarët e Luginës së Preshevës të gëzojnë të drejtat e tyre bazë, ashtu siç kërkohet nga standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në përfundim, organizatorët ranë dakord t’i dërgojnë një dokument të përbashkët institucioneve të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe organizatave ndërkombëtare, për të kërkuar ndërprerjen e represionit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.