Juristja Alesia Balliu, e cila u përjashtua nga gara për kreun e PD-së, është shprehur se Sali Berisha dhe klani i tij familjar kanë uzurpuar këtë forcë politike.
Komentet Balliu i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku tha se lidhur me paligjshmërinë në garën për kreun e PD-së, ajo u kishte dërguar e-maile gjithë kancelarive perëndimore dhe se do të kishte edhe takime me përfaqësues të BE-së.
“Padyshim që vetëm emrin ka demokratike, pasi qëllimi paska qenë sundimi i një personi të vetëm, që është padiskutim uzurpimi i PD-së nga Berisha dhe klani i tij familjar. Padiskutim që nuk është garë, unë e kam denoncuar dhe i kam çuar E-maile gjithë kancelarive perëndimore dhe shumë shpejtë do të kem takim me përfaqësues të BE-së, të cilët Berisha nuk i takon dot”, tha mes të tjerash Balliu.
Më tej Balliu teksa i cilësoi zgjedhjet e 23 majit për kreun e PD-së si një farsë dhe jo garë reale, shtoi se një pretendent për kryetar partie nuk mund të zgjedhë kundërshtarët që do të ketë përballë.
Balliu deklaroi gjithashtu se Berisha nuk do të fitonte dot në zgjedhjet për kreun e PD-së, nëse ajo dhe ish-deputeti Ervin Salianji do të ishin në garë.
“Padiskutim që kjo është nja farsë, nuk mund të jetë garë. Në një garë, një pretendent për kryetar partie nuk mund të zgjedhë edhe kundërshtarët që do të ketë përballë. Për këto arsye dhe të tjera, Berisha e di qartë që nuk fiton dot po të isha unë dhe Salianji në garë. Sot Berishën të gjithë individët që e ndjekin, e ndjekin nga detyrimi, jo nga bindja se do i sjellë në pushtet”, vijoi më tej Balliu.
Nga ana tjetër, avokati Idajet Beqiri ka deklaruar se ‘zgjedhjet’ për kreun e PD-së, të cilën ai e cilësoi si një farsë, i shërbejnë Berishën për të ‘ligjëruar’ fakton që qëndron në krye të kësaj force politike.
Beqiri tha se asnjëherë në PD nuk ka pasur garë reale, pasi sipas tij, Sali Berisha nuk e ka lejuar një proces të tillë.
“Ai e donte këtë farsë për të ‘ligjëruar’ faktin që unë jam kryetar i PD-së, unë jam shefi i opozitës. Asnjëherë nuk janë bërë zgjedhje tamam në këtë parti. Edhe ajo që ishte garë reale dhe që u mendua se do të kishte një ndryshim pozitiv në PD, dhe që u vu përballë nga njëra anë Saliu, i cili vuri Lulzim Bashën kur u tërhoq, sepse e kishte të familjes Lul Bashën, e kishte të Argitës, të besuarin e saj. Mendoi se do ishte në garë vetë ai me Sokol Olldashin dhe gjetën mënyrën për ta eliminuar Olldashin pastaj. Nëse Olldashi do të vinte në krye të PD-së, ndryshe do të ishte situata në opozitë”, tha mes të tjerash avokati Beqiri.
Më tej Beqiri shtoi se Berisha e ka kuptuar edhe vetë që është bërë qesharak. Marrë parasysh faktin që Berisha është ‘non grata’ dhe i braktisur thuajse nga të gjithë aktorët dhe faktorët politikë, por edhe nga qytetarët, avokati Beqiri e krahasoi kreun e PD-së me një ‘kal të ngordhur’.
“Berisha është 100 % i paligjshëm, e kupton edhe vetë që është qesharak. Është katandisur si një kal i ngordhur. Sepse është ‘non grata’ nga të gjithë”, vijoi avokati Beqiri.
Komente










