Sëmundja e Parkinsonit është një çrregullim progresiv, kronik që prek sistemin nervor dhe pjesët e trupit të kontrolluara prej tij. Parkisoni si një “çrregullim i lëvizjes” për shkak se dëmi që i shkaktohet trurit ndikon në aftësinë për të lëvizur pjesë të trupit, me apo pa dëshirën tuaj.
Diagnoza “Parkinson” i dedikohet mjekut anglez James Parkinson, i cili në vitin 1817 raportoi gjashtë persona të prekur nga kjo sëmundje.
Në çdo 11 prill, që përkon edhe me ditën e lindjes së tij, duke filluar nga viti 1997 në të gjithë botën organizohen fushata sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi, dhe si simbol i sëmundjes së Parkinsonit është zgjedhur tulipani i kuq.
“Parkinsoni është sëmundja e dytë më e shpeshtë në botë pas Alzheimer me një rritje gjatë viteve të fundit. Janë disa forma Parkinsoni që fillojnë që në moshë të hershme, që kanë bazë genetike. Edhe moshat nën moshat 50 vjeç kemi parë një shtim të rasteve. Të afërmit duhet t’i japin mbështetje personit që vuan nga kjo sëmundje”, shprehet mjeku Genci Çakçiri.
Simptomat
Shenjat e hershme mund të jenë të lehta dhe të kalojnë pa u vënë re. Simptoma e parë mund të jetë një dridhje mezi e dukshme në njërën dorë. Në fazat e hershme të sëmundjes së Parkinsonit, fytyra e personit mund të tregojë pak ose aspak shprehi. Krahët mund të mos lëkunden gjatë ecjes.
E folura bëhet si nën zë, ose e paqartë. Simptomat e sëmundjes së Parkinsonit përkeqësohen me kalimin e kohës. Simptomat shpesh fillojnë në njërën anë të trupit ku zakonisht mbeten më të theksuara, edhe pasi nga sëmundja preken gjymtyrët e tjera. Me kalimin e kohës, çrregullimi gjithashtu, mund të shkaktojë ngurtësi ose ngadalësim të lëvizjes. Shenjat dhe simptomat e sëmundjes së Parkinsonit mund të jenë të ndryshme; variojnë nga personi në person.
Komplikacioni më i madh që sjell sëmundja e Parkinsonit, është humbja e funksioneve të aktivitetit të përditshëm. Pra, një person fillon të mos ecë normalisht, të mos vishet vetë, të mos ushqehet dot etj.
Rreth 10 milionë njerëz në mbarë botën janë të prekur nga sëmundja e Parkinsonit, e cila vlerësohet si sindromi neurologjik me rritjen më të shpejtë në botë.
Komente




