Dita Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, Kosova 1700 të pagjetu

PRISHTINË - Kosova shënon sot Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, 30 gushtin, me një akademi në mesditë në qytetin e Drenasit, rajoni i Drenicës, për të nderuar personat nga kjo anë të identifikuar kohëve të fundit nga varreza masive në Rudnicë-Serbi, si dhe të gjithë mëse 1700 të zhdukurit e lufës së para mëse 15 viteve ende të pagjetur.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj,  mbrëmë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka folur edhe për rastin e varrezës masive në Rashkë, Serbi, dhe nevojën për t'u identifikuar sa më shpejt civilët shqiptarë të zhdukur që nga viti 1999. "Deri sa po flas para jush, në qytetin e Rashkës në Serbi është zbuluar një varr masiv me rreth 350 trupa të civilëve shqiptarë të Kosovës të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ky nuk është varri i vetëm masiv i civilëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe i zbuluar në Serbi", ka thënë Hoxhaj.
Në 22 gusht, në vendkalimin kufitar në Merdare, personeli i EULEX-it  që punon në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës pranoi nga autoritetet e Serbisë një numër të mbetjeve mortore të zhvarrosura gjatë gërmimeve të fundit në Rashkë, si dhe materiale dëshmuese dhe dokumente tjera.
Deri më tani, Departamenti i Mjekësisë Ligjore i ka kryer 456 operacione në terren, gjatë të cilave mbetjet mortore të 413 personave u janë dorëzuar familjeve të tyre. Prej tyre, 315 ndodheshin në listën e personave të pagjetur.
Komisioni Qeveritar i Kosovës për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se, motoja e këtij viti e Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur  është "...i kërkojmë të gjallë, nuk po i  gjejmë as të vdekur...", me  apelin për zbardhjen e fatit të tyre drejtuar të gjitha institucioneve të vendit dhe bashkësisë ndërkombëtare.
"Sipas informacioneve tona, dhe kjo dëshmohet me gjetjet e fundit në Rudnicë, ende ka varreza masive ilegale në Serbi, dhe ende janë rreth 1700 persona të cilët evidentohen si të zhdukur, dhe dyshimet janë se institucionet serbe kanë njohuri për vendndodhjen e  varrezave masive", ka deklaruar kryesuesi i Komisionit Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj.
Ky komision, në një  takim, ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit të ndërlidhura me 'rastin e Rudnicës, Rashkës' - varrezës masive në Serbi, ku gërmohet në kërkim të zbardhjes së fatit të kosovarëve të zhdukur gjatë luftës./ATSH/
 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Abuzim me tenderat/ Dënohet me burg ish-kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balilaj! I konvertohet në shërbim prove