Ditari i luftës, Haki Stërmilli: Ja
e vërteta e mbledhjes së Mukjes

Ditari i luftës, Haki Stërmilli: Ja<br />e vërteta e mbledhjes së Mukjes
Kaptina I.
30 korrik 1943.
Tiranë.


Aty kah ora 10 para dreke organizata e Frontit Nacjonal-Shlirimtar më kumtoi se duhej të largohesha nga Tirana për të marrë pjesë në nji konferencë që do të bahet, diku, midis nesh e Ballit Kombëtar për nji marrëveshtje bashkëpunimi në luftë kundër okupatorit. M’u njoftue se lypsesh me u nisë në ças për shkak se më pritshin shokë të tjerë për me shkue së bashku. Për këtë arësye, pa u përshëndetë as edhe me pjestarët e familjes, vajta në shtëpí të Malo Frashërit, ku gjeta Dr.Ing. Gaqo Tashkon, Stefanaq Plumbin dhe Malon.
     Ndërsa pritshim lajmin e nisjes, u njoftuem se, qysh në mëngjes, qenka rrethue Tirana prej Italjanve dhe s’paska mundësí me sigurue ndonji shteg daljeje. Me gjith këtë pritëm deri m’ora 2 mbas mesdite.
 
     31 Korrik 1943 e Shtunë.
     N’ora 11 para dreke përsërì shkova në shtëpí të Malo Frashërit. Aty gjeta shokët e djeshëm. N’ora 1, në pikë të zhegut, u futëm në nji veturë dhe u nisëm drejt Kodrës së Kuqe. Ishim: Ing.Dr. Gaqo Tashko, Stefanaq Plumbi, Malo Frashëri dhe un. Shoferi – pa dyshim i organizatës – na solli deri në buzë të lumit të Tiranës. Aty zbritëm dhe, pa ngurue, kaluem n’anë tjetër të lumit. Qëndruem mbi nji kodrinë për me pushue dhe për me pritë udhëheqësin, i cili pa dyshim do t’ishte andej. Dhe me të vërtetë, mbas pak, nji puntuer u shkëput nga mezi i atyne që përgatitshin zhur në lum dhe muer rrugën në drejtim t’onë. Kur u avit e ngriti grushtin përpjetë dhe na përshëndeti tue thirrë: “Vdekje Fashizmit”.
     Ky ishte udhëheqësi i jonë i maskuem nën petkat e puntorit katundar. Quhet Lym Keta. Asht Tiranas. Na prini. Ma andej Ma andej hasëm në shokun Gogo Nushi. Së bashku e vazhduem rrugën. Për ku? S’dijmë dhe s’pyesim.

     Gjatë udhtimit shpesh takuem në partizanë, të cilët na e tregojshin rrugën që duhej të ndiqshim. Partizanët, të strukun nën hijën e ferrave ase të lisave prej vapës që zhurrit, dukeshin befas dhe, mbassi na pëshëndetshin me parullën “Vdekje Fashizmit” na përcjellshin me buzëqeshje. Dukja e tyne na kënaqte, pse për herë të parë i shifshim luftëtarët e lirís, të cilët na gjajshin si heroj legjendarë.

     Në kohë të zamrës sosëm në katundin Herraj, ke shtëpía e Xhemal Herrit, këtu gjetëm shokët Dr. Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi dhe Ing. Spoiro Koleka. Ma vonë erdh Dr. Omer Nishani, Sulo Bogdo, Dr. Medar Shtylla, Vasil Nathanaili dhe Shefqet Beja. Pa kalue shum kohë arrini edhe Myslim Peza i shoqnuem nga dy çeta partizane. Seicila çetë kishte nga nji flamur të madh. Të Shqipnís e jo të Rusís sikundër propagandojshin Ballistat në Tiranë e gjetiu. Ata ishin prej pëlhure mundafshi dhe të qëndisun me fije ari e mundashi. Mbi njenin ishin qëndisë edhe fjalët “Ja vdekje ja lirí”.

     Partizanët i ngulën flamurët në shesh dhe, mbassi banë nji qark rreth tyne, nisën me këndue kangë kombëtare e revolusjonare. Kangë lufte këndohen këtu, erë lirije fryen këndej.
     Myslim Pezën e njof qysh para vjetit 1924. Asht i hollë dhe i gjatë. Fëtyra e tij asht nxi si të jet përcëllue prej diellit dhe asht thinjë tepër. Por syt i lëvizin me gjallnì dhe gazi gjan sikur i shpërthen nga megjet e zemrës së kënaqun. Dr. Dishnica e Mustafa Gjinishi janë të rij. Në syt e Dishnicës këndohet lehtë inteligjenca që zotnon. Gjinishin e njof prej kohësh. Nuk ka ndrrue në dukje. Por vej ré se intelekti i tij asht zhvillue mjaft, këto vjetët e fundit. Sigurisht kët përfitim e ka sigurue prej Marksizmit. Të dy janë të qeshun, si ata që jetojnë në sigurì e lumnì.

     Dr.Ing. Gaqo Tashko i mshin syzat dhe hedh nji veshtrim prej studjozi rreth e rrotull. Gjan sikur don me e matë dobìn që mund t’i sjellin Atfheut tokat pjellore që e rrethojnë po të punohen simbas sistemit që ai din dhe me mjete moderne. Ing. Spiro Koleka, edhe ky me syza, admiron klimën dhe thotë:
     - Këtu fryeka sikur të kesh vu në funksjon njimij ventilatorë!

     - Në kët kodrinë do t’ishte mirë të ngrihej nji sanatorium – i a pret Sulo Bogdo.
     - S’asht i përshtatshëm për sanatorium, pse ka korrent – veren Dr.Ymer Dishnica.
     - Nji shkollë bujqësije do të shërbente ma fort se çdo tjetër – kujton Dr.Ing. Gaqo Tashko.
           Në bisedim marrin pjesë Dr. Omer Nishani, Myslim Peza, Dr. Medar Shtylla, Gogo Nushi, Vasil Nathanaili, Ing. Spiro Koleka, Mustafa Gjinishi e tjerë. Të gjithë shfaqin mendime për prodhimin, ndërtimin e përmirësimin e vëndit.

Kur u duk se muer fund ky bisedim, Myslim Peza thiri nji partizan – nji djalosh,  dhe e përkëdheli me fjalë. Mbasandaj u këthye e më pyeti se a e njifsha.
     - Jo – i thashë tue e shqyrtue fëtyrën e partizanit – S’kujtoj t’a kem pa ndonji herë.
     - Ky asht ai që i muer nga Ministría e P. të Mbrendshme aktet e Zyrës Sekrete dhe e bani për të vramë vetëhen Kolë Bibë Mirakaj-in – spjegoi Myslimi dhe shpërtheu në gaz.
     I hodha nji shiqim djaloshit. Në fëtyrën e tij të re valvitej nënqeshja e ngadhnuesit. I pyetun, kallzoi se si, i urdhënuem prej Partís, kishte lanë shkollën dhe hy shërbëtuer në Ministrí dhe si kishte arri me e krye misjonin. Ma në fund shtoi:

     - Un jam i pasun. Ju siguroj se po të kërkonte Kolë Bibë Mirakaj me u ba shërbëtuer në shtëpì t’eme, nuk do t’a pranojshim, pse ai s’din me i shërbye nji familjeje qërron në nji pallat.
     - E ç’të shtyeni me e përbuzë pallatin dhe me i marrë malet me rrezik jete?
     - Ideali – gjegji me vendosmënì e krenarì.

     - I shef këta të rij? – m’a bani Myslimi – janë zjarr. Sa ma të rij të jenë, aq ma trima janë.
     Dhe Baba – kështu e thrresin Partizanët Myslimin – vazhdoi të më rrëfejë episode të ndryshme trimënije të kryeme prej tyne. Mbeta me gisht në gojë.
     Muzgu i mbrames shtrihet lehtas dhe na e kujton nevojën me hy mbrenda. Partizanët, me bar e kashtë, përgatisin vendin e flejtjes në fushë të hapët. Baba Myslimi i porosit mos harrojnë me i lanë edhe atij nji vend. Ai, simbas zakonit, flen bashkë me ta. Nuk ndahet prej tyne si ati prej fëmìs.
     Shtëpía e Xhemal Herrit asht ndërtue kur hante maca petulla!... Ashti nji banesë qyteti me shum këthina, me salla e konforte. U grumbulluem, të gjithë, në një sallë. Dr. Omer Nishani, me një varg kritikash e autokritikash plot humor, dikon gaz e hare në të gjithë.

     Mbas mezit të natës, kur po bajshim gjumin e parë, arrini Hysni Lepenica me çetën e tij për të marrë pjesë në konferencë si përfaqësues i Ballit Kombëtar.
1 Gusht 1943.
Në mëngjes u nisëm për në katundin Mukaj, ku do të bahet mbledhja.

Me dam u ndava nga shtëpia e Xhemal Herrit, pse më kishin vjedhë nji këmishë, nji fanellë, nji palë brekë, nji palë çorapë e nja dy shamì. Tash s’kam má ndrresa tjera veç këtyne të shtatit. Tue u ngjitë kodrinave, mbas nji udhtimi të lodhshëm, sosëm në Mukaj.
     Këtu në Mukaj, janë mbledhë ma shum se 400 vetë. Balli Kombëtar i ka mobilizue të gjitha forcat e veta prej intelektualësh e bashibozukësh që t’a demonstrojë fuqìn. Hysni Lepenica me çetën e tij ka ardhë si ngadhnimtar, sepse paska kalue – sikundër thotë ai – përmes rreziqesh me që i qenka dashtë me udhtue nëpër zona të kontrollueme prej ushtrìs Fashiste Italjane. Mirë, por na dijmë se Ali Këlcyra e Nuredin Vlora, n’emën të Ballit, kanë nënshkrue nji marrëveshjte mossulmimi me Gjeneral Dalmazzo-n. Me gjith këte duhet të heshtim. Trimat e Ballit janë të mveshun, të mbathun e t’armatosun fare mirë.

Të shumët kanë nga dy rrypa fishekësh të kryqëzuem mbi krahënorë. Kanë revole, bomba, dylbi dhe çanta si ato që mbajnë oficerat e shtatmadhorìs. Edhe na kemi këtu trì çeta. Por këta t’onët, qysh nga partizani i thjeshtë deri ke Komandanti ase Komisari politik, janë të reckosun dhe të mveshun me lloj lloj petkash e ngjyrash. Gjan sikur u ka mungue gustoja apo estetika këtyne t’onëve. Ballistat civilë, që janë importue nga të katër anët e Shqipnìs, t’a ngopin synin me elegancën e tyne të pamohueshme. Kiju mënì, por epu hakun. Dijnë me u mveshë ashtu edhe me jetue! Qeh: shum prej tyne kanë sjellë me vetëhe shtretën portatif, shezlongë, pixhama, takëme kafeje e tjera. E po kështu dilet nëpër male me luftue për ... lirì!...
     Para se të fillojshin bisedimet, Ballistët kërkuen që na të shënojshim 6 delegatë e ata 12. Shkaku i këtij mosbarasimi na paska qenë ke fakti se ata e përfaqësuekan të tanë popullin kurse na vetëm nji pjesë të vogël!...

Natyrisht, na kundërshtuem dhe ata, mbas shumë diskutimesh, pranuen që numuri i delegatëve të jet i njejtë. Prej nesh u zgjodhën: Dr. Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Shefqet Beja, Dr. Omer Nishani, Dr. Medar Shtylla, Sulo Bogdo, Myslim Peza, Dr.Ing. Gaqo Tashko, Malo Frashëri, Stefanaq Plumbi, Bazi i Sanës dhe un. Ata u përfaqësuen prej: Midëhat Frashëri, Thoma Orollogai, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Jusuf Luzaj, Kadri Cakrani, Nexhat Peshkëpia, Hasan Dosti, Midëhat Araniti, Ismail Petrela, Halil Mëniku dhe Vasil Andoni. N’anën t’onë, si ndigjuesa, merrte pjesë: Ing. Spiro Koleka, Gogo Nushi e Vasil Nathanaili. Kurse prej tyne: Ali Këlcyra, Nuredin Vlora, Aziz Çami, Etëhem Haxhiademi, Xhemal Herri, Halil Maçi, Ihsan Toptani e shumë të tjerë.

     Në nji shesh gjysmë të gjelbëruem, ku bajnë hije disa rranjë ullinjsh shekullorë, sod mbas dreke u hap mbledhja. Kryetar’ i mbledhjes, simbas propozimit t’onë, u zgjodh Thoma Orollogai dhe sekretar Mustafa Gjinishi. Rendi i ditës ka qenë caktue e vendosë disa ditë ma parë në Tapizë, ku u ba takimi i parë midis delegatëve t’onë e të Ballit Kombëtar. U hap mbledhja dhe u këndue rendi i ditës. I pari kërkoi fjalën Hysni Lepenica. Syt e të gjithëve u drejtuan kah ai dhe veshët u mbajtën në përgjim për me ndigjue sa ma mirë. Hysniu, në vend që të flitte mbi pikën e parë të rendit të ditës, kërkoi me dijtë se Fronti Nacjonal-Shlirimtar a ishte nji organizatë Komuniste e deklarueme apo kërkonte me u maskue nën velon e nacjonalizmit me parulla të ndryshme.

     - Pyet shokët e tù ... që banë akordin në Tapizë – i u përgjegj nji nga t’onët.
     - S’kemi ardhë këtu që të vihemi në bankon e t’akuzuemve – plotsoi nji shok tjetër prej nesh.
     Por Hysniu vazhdoi. U vërsul me tërbim kundër komunizmit; shfren kundër këtij gogoli që e tremb Ballin Kombëtar ma fort se Fashizmi! Fjala e tij qe paralajmërimi i mosmarrëveshtjes, qe parathanëja e asaj disarmonije që, sigurisht, ka me plakosë në t’ardhmen. Për kët shkak u hap shtegu i nji diskutimi që vazhdoi disa orë. Na provuem se ishim patriotë e Komunistë të grumbulluem në Frontin Nacjonal-Shlirimtar dhe se kemi për qëllim me luftue për shlirimin e Atdheut të robnuem. Në nji kohë kur kapitalistët Anglo-Amerikanë janë lidhë ngushtë me Rusìn Bolshevike për me e luftue Fashizmin Italo-Gjerman, Ballistat t’onë druejnë me bashkëpunue me Komunistat Shqiptarë!... Vallë përse? Na e dijmë dhe atyne nuk u bjen për shtati me e thanë hapët e troç.

     Mbas shum diskutimesh, me zi, hymë në rendin e ditës. Me gjith atè gjithmonë fjala ngecte dhe mbetesh pezull, pse ata përpiqeshin me nxjerrë keqkuptime dhe bajshin provokime. Prandaj bisedimet shkojshin vërdallë dhe nuk kthjellsheshin. Shkurt un kam formue bindjen se Ballistave u mungon sinqeriteti, u mungon qellimi i vërtetë për nji marrëveshtje, për nji bashkëpunim. Për këtë arësye edhe ndër shokë t’onë, nisi me ndikue nji farë mosbesimi.

     Dekallogu i Ballit Kombëtar, sikundër dihet, asht ma i pasun se ai i Moisiut që i diktoi Jehovah-i. Nji ndryshim të vetëm ka midis tyne: Ai ishte kushtue me u zbatue në këtë jetë, kurse ky i Ballit për atë jetë; ai përmbante nji varg porosinash moralo-fetare, kurse ky i Ballit rrjeshton nji grumbull dëshira utopike dhe marrëzira që s’përtypen fare. Nji ndër lakmìt e mëdha të Ballit asht edhe sigurimi i aneksimit të Shqipnìs ethnike, e cila u duket si nji Kanisqë, si nji dhantì hyjnore që mundet me i ngopë. Sidomos Kosova e pasun e pjellore ua ka terrarisë syt dhe u a ka shtue tepër lakmìn e zotnimit e të shfrytëzimit të saj. Për kët shkak ata sod folën mjaft mbi këtë pikë. Në diskutim e sipër Midëhat Frashëri m’u vërsul dhe më kritikoi:
     - E ndigjuat Zotërinjë, se Zotni Haki Stërmilli nuk e dashka Dibrën e Kosovën?...

     Kur i u përgjigja dhe i thashë se un, ma fort se cilido prej tyne, kisha luftue për sigurimin e të drejtave të popullit t’atyna krahinave, heshti e nuk u ndì fare. Ma vonë, kur bamë disa minuta pushim, më kapi për krahu dhe më lypi ndjesë tue u mundue t’a korrigjonte gabimin. Politikanët e mëdhej (!) të typit të Midëhat Bej Frashërit, me të vërtetë, dijnë me qortue e me fye, por dijnë edhe me korrigjue! Lum Lumo Skendoja!...

  
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)
 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Travel and Tour World': Shqipëria, një yll në rritje në turizmin evropian

'Travel and Tour World': Shqipëria, një yll në rritje në turizmin evropian