Por a ka dosje të tjera të nxehta në SPAK që po hetohen? Avokati Edmond Petraj i bën analizën edhe çështjeve të tjera dhe jep përgjigje pohuese në ‘Studio Live’.
Përveç dosjes së kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar nga SPAK më 21 Tetor 2024 për 3 vepra penale, ka edhe hetime të tjera në proces, si ato të Flamur Nokës, denoncimi ndaj Belinda Ballukut, verifikimet për denoncuesin anonim Zaho Koka, në pritje edhe procesi ndaj Gazment Bardhit që rrezikon si Ervin Salianji akuzën e ‘kallëzimit të rremë’ (Një tjetër Babale) dhe një dënim deri në 5 vite burgim.
Më poshtë avokati shpjegon edhe procedurat që ndiqen për rastin e dosjes ndaj Metës, që ndodhet në paraburgim dhe mundësinë për t’u liruar.
“Po pyeten të gjithë personat që janë pjesë e financimit dhe lobimit në dosjen ndaj Ilir Metës. Por edhe mund të pushohet si dosje, pasi nuk janë fort bindëse elementet. Kemi dy elementet e fshehjes së të ardhurave dhe mosdeklarimit të financave, parave që janë përdorur nga PL. Pra i takon KQZ-së dhe mund të kemi vetëm masë administrative dhe të mbyllet kjo situatë.
Kemi edhe pjesën juridike që e lë pak evazive situatën, firma lobuese që është në Qipro, ku është personi tjetër në kallëzim penal, që mund të sjelli një dokument për shifrën që është mbi 400 mijë dollarë. Kjo mbetet për t’u sqaruar”, thotë ai për çështjen e parë.
Por ajo që rrezikon ish-presidenti është çështja e pasurisë sipas avokatit. Por sipas tij, GJKKO edhe mund t’ja lehtësojë masën e sigurisë në detyrim paraqitjeje, nëse nuk i prish provat.
“Kurse për CEZ-DIA do shikohet me imtësi. Por përqendrimi është te hetimi pasuror, ajo po shikohet me imtësi dhe po verifikohet në proces. Meta duket se ka vendosmëri dhe i qetë për ato që ka në dosje. Nëse nuk ka elementë se Meta intimidon dëshmitarët apo prishë provat, mendoj se mund të lirohet edhe me masë detyrim paraqitjeje. Mund të zgjidhet edhe deputet nga burgu, por kjo varet nga parlamenti dhe rregullorja e Parlamentit, vetë grupi i deputetëve që vendosin nëse do bëjë betimin dhe kjo kalon në proces tjetër”, thotë ai për Report TV.
Por fokusi është te dosjet e tjera në radhë për këtë vit, që pritet ‘i nxehta’ nga SPAK.
“Ata kanë elementë të tjerë, kanë dosjen e Flamur Nokës aktualisht. Kemi një hetim pasuror ndaj tij, mbetet hetim paraprak. Por do sjellë elementë dhe precedentë të tjerë. Shumë funksionarë të PD-së mund të rrezikojnë, ashtu sikurse do ketë elementë edhe nga e majta që mund të penalizohen nëse do kemi ndryshim apo zhvillim te kryetari i Bashkisë së Tiranës. Në SPAK kemi të denoncuar edhe zonjën Belinda Balluku dhe të tjerët. Por jo çdo kallëzim mund të merret dhe të fillojë procedimi. Sikurse kemi edhe denoncimin e fundit me emrin Zaho Koka, personazh anonim, e dorëzuar në SPAK. Zoti Berisha i hedh këto shashka dhe pastaj i flet te bregu i afron, por mbetet për t’u parë”, nënvizon Petraj.
Por ajo që bën përshtypje është rrezikimi penal i një juristi si deputeti Gazment Bardhi, kreu i grupit të PD-së, që ka përsëritur një Ervin Salianji dhe në pritje të një “Babale 2”.
“Nga ana tjetër kemi zotin Bardhi, ai është jurist, mendoj se nuk duhet ta merrte përsipër çështjen e deklaratës, u nxitua. U bë analiza juridike e asaj që bëri Bardhi, kallëzim penal, do mbajë përgjegjësi për të. Gjobë deri në 5 vjet kallëzimi i rremë nëse provohet. Elementet do jenë vetëm pjesa e ekspertizës së Policisë Shkencore të fotos dhe elementëve. Por nuk e kap Ligji i Dekriminalizimit, nuk parashikohet si vepër kjo dhe shpifja, s’e pengon të vazhdojë të jetë deputet, nuk e prek.
Nëse zoti Bardhi përfundon dhe faktohet kjo praktikë ndaj tij rrezikon nga gjobë dhe një vit, deri në 5 vite burg”, përfundon Petraj.
Lajmi kryesor: