"Gjithçka varet nga zgjedhjet. Ato do të jenë problemi më i madh. A do të mundemi të organizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme?" është pyetja retorike e 33 vjecares që ka studiuar për drejtësi dhe shkenca politike në Universitetin e Kabulit. Mirë zgjedhjet, por si është raporti i grave dhe burrave në parlamentin afgan, - e pyes unë me kuriozitetin e një gazetareje që vjen nga Evropa dhe që perceptimin e parë për afganistanin, apo udhëzimet e para që ka është se duhet të mbajë një shami në kokë në vendet publike, edhe pse i përkas besimit ortodoks (gjë që e zbatova me shumë përpikmëri për të respektuar vendasit), por edhe faktit se mund të ulesh në një restorant në qendër të Kabulit, në një hotel me pesë yje ku dhoma kushton 250 euro, në kushte sigurie shumë të larta dhe që të duket vetja se je në një hotel të ndonjë qendre kryeqyteti evropian).
"Jemi 69 gra në parlametin afgan" më thotë Rezaye me një anglishte të rrjedhshme edhe për faktin se kohë më parë, para se të zinte një vend në parlament, ka punuar me organizatat ndërkombëtare dhe NGO-të, që zbarkuan në vend për të ndihmuar Afganistanin e lodhur nga lufta. Kur Rezaye thotë 69 parlamentare femra, direkt më shkon mendja në parlamentin shqiptar. Gratë numërohen me gishta. Po si ia kanë bërë afganët, të cilët kanë 10 vjet që kanë dalë nga lufta, me ndihmën e aleatëve kanë shkatërruar Al Kaedën, Mulla Omarin, po vazhdojnë përpjekjet për të shkatërruar a bërë paqe me talebanët që ende ekzistojnë në vend, për të zgjedhur kaq shumë gra në parlamentin e tyre, me votë të lirë të qyetarëve afganë. "Duhet të kuptosh Anila, më flet në emër, - gjatë qeverisjes së talebanëve për gratë ka pasur shumë kufizime. Duhet të ishin totalisht të mbuluara, nuk shkonin në shkolla, nuk kryenin asnjë lloj detyre. Gjithë kjo çcështje e demokratizimit të intitucioneve dhe shoqërisë, ka çuar edhe në ndryshimin e realitetit". Mendoj për një moment se kjo është e besueshme, cdokush do të donte të bënte të kundërtën e asaj që ka provuar më parë. "Por nuk ekziston ideja se një burrë këtu duhet të martohet me katër gra, sipas fesë?" e pyes unë. Rezaye vë buzën në gaz dhe më tregon se sipas religjionit një burrë mund të ketë deri në katër gra. "Por këto vitet e fundit gjithçka ka ndryshuar dhe kjo gjë nuk po zbatohet. Burrat preferojnë të mbajnë nga një grua".
E me mendjen time, por pa ia thënë deputetes mendova: normal, me gjithë atë varfëri e korrupsion që rrethon Afganistanin, i llogaritur sipas Transparency International, vendi i tretë më i korruptuar në botë, pas Somalisë dhe Koresë së Veriut, kush do të kishte mundësi të mbante katër gra me bukë në shtëpi…Por kjo mund të ishte vetëm pjesë e një mendimi të shpejtë, sepse po të shohesh në realitet, duket se në kabul gjërat realisht kanë ndryshuar, njerëzit kanë filluar të mendojnë në një mënyrë më "internacionale". Kaq shumë të huaj që kanë hyrë e dalë në 10 vjet në një shtet si Afganistani, duket se kanë ndryshuar edhe mentalitetin e këtij shteti.
A ka talebanë apo mbështetës të tyre në Parlament?
Të katër deputetët që janë në darkën e gazetarëve, kanë se pse të ankohen. Më së shumti, tema kryesore e ditës është korrupsioni dhe zgjedhjet. Por edhe bisedimet për paqe që janë duke u zhvilluar mes qeverisë dhe talebanëve. Rezaye flet me aq passion për zgjedhjet, saqë duhet të mendosh se nëse të gjithë parlamentarët do të kishin të njëjtat ide si 33-vjeçarja që është zgjedhur në zonën ku talebanët kanë pasur një influencë të dukshme, do të thoshte pra se vendi nuk do të kishte problemet me të cilat përballet. Krah saj qëndron një tjetër deputete. Më e re se Rezaye në moshë. Eshtë 27-vjeçarja Nahed Ahmadi Farid që ka përfunduar studimet në vitin 2007 në universitetin e Heradit për shkenca politike dhe drejtësi. Ajo është zgjedhur në zonën e dytë më të vështirë në Afganistan, është deputete e Kandaharit. Nahed, është e martuar dhe ka një djalë 8-vjeçar për të cilin thotë se do që të ketë një jetë më të mirë sesa ajo që kanë kaluar prindërit e tij. Nahed flet më pak se parlamentarja beqare, por kur vjen puna që unë i pyes parlamentarët nëse talebanët në parlamentin e sotëm gëzojnë apo kanë ndonjë mbështetje, është e para që hidhet dhe thotë "po". "Është deputetja grua Hamas Sulltani, e ka thënë edhe publikisht në media dhe nuk është një sekret.
Ka deklaruar se Mulla Omar ka fjetur në shtëpinë e saj". Deklarata e Nahed ngjall kuriozitet, dhe më pas përkthyesi afgan sqaron se një frymë e tillë kërkon të mbahet lart për të treguar se Mulla Omar nuk ka vdekur. Gjithsesi, dy deputetët meshkuj që janë rreth tavolinës shpjegojnë se kur u zhvilluan zgjedhjet vitin e kaluar, ka pasur shumë presion nga talebanët në qendrat e votimit. "Të fortit" që prezantonin talebanët, nuk lejonin që njerëzit të merrnin pjesë në votime, e pas kësaj të zgjidheshin në parlament njerëzit e tyre. Katër parlamentarët që janë mysafirët tanë në këtë bisedë, nuk mund të thonë shifra, sesa parlamentarë ata mendojnë se mbështesin talebanët, por thonë se në parlamentin aktual kjo lloj mbështetje, në kanale të ngushta, të nëndheshme ekziston.
"Po mirë, pyes unë, si një gazetare nga Shqipëria, që nuk i kemi ndjekur nga shumë afër problemet e brendshme në Afganistan përveç rasteve kur shpërthejnë bombat vetëvrasëse (dhe këtë ua thashë edhe parlamentarëve), tani që ka filluar procesi apo bisedimet për paqe, ju e dini dhe a e keni të qartë se në vitin 2014 talebanët nëse pranojnë kushtin e mosndryshimit të kushtetutës, pranimit të të drejtave të njeriut, të grave etj etj, mund të hyjnë dhe të konkurrojnë në zgjedhje?"
Pyetjes sime me shumë pasion i përgjigjet Rezaye. "Paqe pa drejtësi nuk mund të ketë në Afganistan" shpjegon ajo. Kjo deklaratë e parlamentares ngjall kuriozitet përderisa nga ana tjetër presidenca e Karzait ka hyrë në negociata të ethshme duke kërkuar ndihmën e Pakistanit dhe Turqisë për të ulur gjakrat dhe për të krijuar tryezën e bisedimeve. "Ne jemi për vendosjen e paqes, se ky vend ka vuajtur shumë nga lufta. Por kjo medalje ka dy anë: drejtësinë dhe paqen. Të dyja plotësojnë njëra tjetrën" thotë ajo. Po mirë, vazhdoj unë logjikën, kjo do të thotë se ju kërkoni që talebanët që kanë kryer krime të shkojnë përpara drejtësisë, ndërkohë që deritani bisedimet janë që ata të pranojnë kushtet e demokracisë dhe për ta konsideruar të kaluarën një kapitull të mbyllur…Rezaye, mbyll në mënyrë të shpejtë qepallat e syve si për të treguar se logjika për një të huaj mund të funksionojë në këtë mënyrë, por se për vendasit, krimet e kryera gjatë gjithë këtyre viteve, bombat vetëvrasëse, makinat me eksplozivë, rrëmbimet, kanë një apo disa autorë, dhe ata, duhet të vendosen përpara drejtësisë për tu dënuar për krimet që kanë bërë. "Nëse do të pranonim këtë lloj paqeje, më duhet të them se në këtë mënyrë, u japim privilegje talebanëve"-thotë 33-vjeçarja.
Por edhe pse në parlament mund të ketë të tillë zëra, bisedimet për paqen në Afganistan vazhdojnë, ashtu sikurse disa ditë më parë, presidenti Hamit Karzai udhëtoi drejt Ankarasë për bisedimet trepalëshe me ndërmjetësinë e Turqisë, mes këtij shteti dhe Pakistanit për të influencuar drejt e te talebanët.
Karzai, i korruptuar a i drejtë?
Kur vjen puna te presidenti Karzai, të gjithë ndajnë të njëjtin mendim. Për deputetët me të cilët folëm, (përvec dy grave edhe dy deputetët meshkuj Said Ekram dhe Abdullah Kalimzai Ëardok), shumë shpejt, Brenda 3-5 muaj në vend do të përgatiten protesta të mbëshetësve të Presidentit Karzai. Këta të fundit, sipas deputetëve, në emër të presidentit do të kërkojnë rikandidimin e tij për një mandat të tretë. Kushtetuta e këtij vendi nuk e lejon, presidenti mund të zgjidhet vetëm dy herë pa mundësi rizgjedhjeve. Por deputetët që tani kanë vërejtur skenarët për të cilët thonë se do të zbatohen. E para, presidenti Karzai mund të japë dorëheqjen përpara se të mbarojë mandate I tij I dytë, e duke mos e konsumuar atë, kjo do të thotë se ai mund të kandidojë për një mandat tjetër presidencial. E dyta, sipas një skenari tjetër është se presidenti mund të bëjë ndryshimin e strukturës organizative kushtetuese të Afganistanit, falë pushtetit të madh që ka mbi të gjitha institucionet, pra të vendosë një president tjetër në detyrë dhe vetë të mbajë postin e kryeministrit. E treta sipas tyre, është përgatitja e vellait të tij, një tjetër Karzai, për të marrë postin e presidentit dhe pushteti në këtë mënyrë mbetet Brenda familjes. Dhe jo vetëm kaq, por sipas deputetëve, në median afgane që tani kanë filluar të jepen sinjale sikur vellai I presidentit Karzai është kundër këtij të fundit, madje po bën edhe opozitën e tij.
Por në gjithë takimet që kemi zhvilluar me NGO dhe qeveritarë në Kabul, të gjithë thonë se presidenti Karzai është një njeri i drejtë. Madje vetëm 5 muaj më parë, ai ka firmosur dekretin 45, që është një dokument totalisht kundër korrupsionit dhe vë përpara përgjegjësisë cdo lloj zyrtari i cili përfshihet në korrupsion. "Kjo nuk është e vërtetë, konfirmojnë deputetët. Ai gjithë pushtetin ekonomik e financiar e gjithë paratë i ka kaluar në emër të familjes". E nëse deputetët mendojnë kështu, e meqënëse zgjedhjet mbahen pas dy viteve, patjetër ata në Parlament e në Kabul flasin për një tjetër emër që do të jetë njeriu që do të shpëtojë ekonominë e vendit, institucionet, do të luftojë ashpërsisht korrupsionin. Pra, e kanë gjetur një njeri me vision për vendin. Por, katër deputetët përballë gazetarëve, ndërsa i pyet se cili do të jetë personi që zëvendëson Karzain kur ky të ikë ngrenë supet: kushdo që të jetë, një grua apo një burrë, do të dijë të udhëheqë më mirë këtë vend".
"Karzai do të qëndrojë në mënyrë të panegociueshme në pushtet, ai vetë ose një nga familja e tij. Sepse ai e di shumë mirë, nëse ikën nga pushteti, ai dhe njerëzit e tij me të cilët ka qeverisur këtë vend do të përballen me drejtësinë. Do të jetë shumë e vështirë për të për të humbur githë atë që ka fituar në këto vite" thonë parlamentarët.
Për komunitetin ndërkombëtar Karzai nuk duket se është një president që i ka gjithë këto të meta. Aktualisht është duke dëgjuar me shumë vëmendje sugjerimet e tyre, është një njeri i besuar, ka bërë disa hapa të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, në llogarinë e tij bankare nuk i figurojnë shuma parash për jetën e ndonjë milioneri e vjen nga një prej familjeve më te vjetra dhe më të pushtetshme në Afganistan. Shkurt ndërkombëtarët e shohin për momentin si një njeri të besuar mesa kuptohet, pavarësisht skepticizmit që ekziston në rradhët e parlamentarëve. E këta të fundit, nga ana tjetër, përvecse e sulmojnë presidentin aktual në detyrë, nuk kanë asnjë alternativë tjetër për tia vënë përballë.
Në qarqet politike, intelektuale e NGO në Kabul janë shtuar zërat se Presidenti Karzai do të ndërmarrë çdo lloj hapi për të siguruar një mandat të ri presidencial në vitin 2014. Edhe pse ekziston kjo situatë, duket se deri tani, ndërkombëtarët nuk e kanë vënë ujin në zjarr për problemet e brendshme në Afganistan. Kjo edhe për faktin se duhet të zgjidhin me emergjencë dy gjëra kryesore: e para ka të bëjë me periudhën tranzitive të largimit të trupave të koalicionit ndërkombëtar dhe e dyta në mbylljen e incidenteve që po shkatërrojnë dhe ekonominë e këtij vendi, duke realizuar dhe inkurajuar bisedimet për paqe. Në nivelin ndërkombëtar diplomatik, Karzai duhet të bindet për këto dy sfida. Më pas, deri në zgjedhje, gjithcka do të shihet më nga afër.
KEMI VETEM 4-5 INCIDENTE NE DITE
Kabuli dje ishte në ditën më të keqe të tij të trafikut. Për orë të tëra makinat mund të rrinin në vend pa lëvizur, në një kaos si në Kabul. Ajo që të bën përshtypje është se në kryqëzime, nuk ka semaforë. I vetmi semafor i vendosur në qytetin me 5 milionë banorë, është ai pranë ambasadës gjermane, dhe këtë e kanë vendosur vetë forcat e ushtrisë gjermane që janë në Kabul në kuadër të trupave të ISAF. Shefi i policisë së Kabulit është gjenerali Muhammad Salangi që mban gradën gjeneral. Në takimin me gazetarët flet se policia dhe krimi janë si Tomi me Xherrin, aq sa shkakton edhe ilaritet dhe të qeshura për këtë krahasim.
Nuk do të thotë shumë gjëra, por tregon një shifër që duket krejt e pabesueshme: në Kabul ndodhin mesatarisht 4-5 incidente në ditë, dhe këto vijnë ose për shkak të trafikut, ose për sherre brenda familjes. "Ky departament ka 12 mijë policë, por në kushtet që jemi, thotë Salangi, kemi nevojë për 30 mijë policë". Problemi kryesor për të nuk është frika e ndonjë sulmi a akti terrorist, gjë për të cilën në fakt vuan afganistani, por është prezenca në qytet e mbi 800 mijë makinave që qarkullojnë, kur ndërkohë kapaciteti i rrugëve është vetëm për 100 mijë. Sa i përket luftës kundër korrupsionit, gjenerali në krye të policisë na tregon se deri tani ishin arrestuar vetëm tre policë, ndërsa disa të tjerëve u është dhënë paralajmërim për largim nga detyra. Shkurt, shefi i policisë ose nuk donte të jepte të dhëna të sakta, ose hyn në kategorinë e sektorëve problematikë në Afganistan.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 18 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)