'Armëpushim' për ditëlindjet/ PS feston 28-vjetorin, Basha bëhet 45, Rama: I uroj shëndet, por jo fitore

Partia Socialiste feston sot 28-vjetorin e themelimit. Festimet e socialistëve kulmuan në Tiranë në orën 18:30 në një aktivitet tek Amfiteatri i Parkut të Liqenit, ndërsa do të finalizohen në orën 21:00 me një kokteil tek oborri i PS-së. Kryeministri Rama nuk ishte te amfiteatri, por zgjodhi që të jetë në Divjakë dhe Lushnje në takimin elektoral për zgjedhjet.

"Sot në mëngjes më thanë që kishin organizuar një takim të madh në Tiranë për ditëlindjen e PS-së dhe më kërkuan që të isha aty, unë u thashë nuk ka vend më të mirë për të festuar sesa me Erjon Bracen në Divjakë. Dhe natyrisht për shkak të Erionit që është një simbol i socialistëve dhe për shkak të një fakti tjetër shumë, që falë Erionit dhe Fredit dhe punës së bërë.

Edhe për faktin se Erjoni nuk është tifoz jo vetëm i Juves, por edhe Partizanit duke krijuar një skuadër model.Është kënaqësi të vish këtu për të kërkuar një mandat të ri për bashkinë dhe për të kërkuar edhe mbështetje më të madhe se katër vite më parë se flet puna" tha Rama.

Por, përpos tensioneve dhe krizës politike në vend, mesa duket jo vetëm selia e majtë, po edhe ajo e djathtë ka festë. Nga kampi blu, sot kryedemokrati Lulzim Basha feston ditëlindjen dhe mbush plot 45 vjeç. Për liderin e opozitës nuk ka munguar një urim edhe nga kundërshtari i tij politik. Nga Lushnja, Rama u shpreh se i uron shëndet, por jo fitore. "Sot është ditëlindja e PS-së...është edhe ditëlindja e Lulzim Bashës, kështu që i uroj shëndet, por jo fitore. Megjithëse kam përshtypjen se edhe sikur ta linin të hynte vetëm në zgjedhje prapë nuk fiton dot" tha Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:35
'Ne të tjerët edhe kemi gabuar, këta jo'...për kë e ka fjalën Tahiri në urimin për PS

Një urim ndryshe nga të tjerë, në këtë 28 vjetor të Partisë Socialiste. Ndonëse nuk është më pjesë e PS-së, Saimir Tahiri nuk ka kursyer një urim për PS-në, në qendër të së cilit ka vendosur disa figura që ndoshta nuk janë shumë të njohur për qytetarët, por për socialistët po. Socialistë të vërtetë i quan ai, që nuk kanë gabuar kurrë.

"E njeh Norën, po ke shkelur të paktën një herë në pragun e PS! Të përshëndet e përqafon me dashuri, siç ka bere me mua çdo herë, që shumëvjet më parë.  Socialiste e thjeshtë nga ato që opozite a pushtet qofshin të tjerët, nuk i bën asnjë dallim.
Si Nora, është Tasha, Ida, Teuta, Dhurata, Haxhiu i ndjerë, e shume të tjerë që kanë qenë e janë të zotët e shtëpisë në selinë e PS, në çdo ditë e date! Bashkë me mijëra njerëz të tjerë që të PS kanë parë forcën e shpirtit për të ardhmen e fëmijëve. Ne të tjerët edhe kemi gabuar, këta jo! Kurrë! 
Gëzuar për ju, e për gjithë njerëzit që duan Shqipërinë",
shkruan Tahiri.


Postimi i Saimir Tahirit
Ora 20:46
28 vjet parti! Veliaj: PS nuk ka ikur nga asnjë betejë, ja ku ndryshojmë ne me PD-në e Berishës

Kandidati i  Aleancës për Shqipërinë Europiane Erion Veliaj theksoi se më datë 30 qershor qytetarët shqiptarë e kanë të qartë dallimin mes atyre që ndërtojnë shtet dhe atyre që si filozofi të tyre kanë dhunën.  Duke folur në festën e 28 vjetorit të themelimit të PS, Veliaj tha se historia ka treguar se cila është forca që ka sjell më shumë progres vendit dhe cila përfaqëson dhunën.

Kjo partia jonë, miqtë e mi të rinj ka pasur një moment ku vetëm dy vite pas themelimit të saj, kryetarin e kishte në burg. Nga ai që sot I bën çfarë të mundë Shqipërisë dhe ne ia respektojmë të drejtën e tij. Në vitin 93, kryetari I partisë sonë Fatos Nano ishte në burg, nuk ishte e e lehtë të ishe socialist në ato vite e megjithatë në vitin 94, ne ngadhnjyem ndaj referendumit të Sali Berishës. Ndonjëherë ne flasim vetëm të këqijat që ai apo ata i kanë bërë vendit; sot është koha të flasim për të mirat që PS i ka bërë vendit pas çdo sfide”, tha Veliaj teksa solli në vëmendje  se si u dhunuan deputetët socialistët në vitin 96 nga policia e shtetit e cila pengonte çdo tubim demokratik. “Në vitin 96, të ishe socialist nuk bëje dot  një miting, në vitin 96 Policia e Shtetit jo vetëm që nuk lejonte në sheshin “Skënderbej”, por të çonte vetëm tek Fusha e Zezë e Ali Demit, ishte I vetmi vend ku mund të bëhej miting në një cep të Tiranës. edhe aty valonte druri dhe huri. Kush mban mend nga ata që janë bashkëkohës, apo nga ju që jeni të rinj që mund t’ I gjeni në internet fotot e Servet Pëllumbit, fotot e Erion Braçes, fotot e Blendi Gonxhes, fotot e shumë socialistëve të cilët tërhiqeshin zvarrë dhe ishte një moment ku ti ishe socialist ishte një akt jo vetëm patriotik por ishte një akt heroik”, u shpreh ai.

Kandidati socialist për drejtimin e Bashkisë së Tiranës theksoi se PS jo vetëm që riktheu shpresën pas shkatërrimit të 97, por rimëkëmbi shtetin, ekonominë dhe qytetet. “Në ’96-ën Saliu thoshte që kjo është Zvicra jonë, në ’97 ishin po ata që vranë 4000 vetë prej po këtyre që sot duan të vrasin shpresën në Shqipëri. U rimëkëmb vetëm kur erdhi PS në krye të punëve të vendit, u rimëkëmb shteti, u rimëkëmb ekonomia, u rimëkëmbën qytetet tona. Miqtë e mi, librat e shenjtë thonë që nuk ka asgjë të re nën diell. Çdo gjë që ka ndodhur sot ka ndodhur edhe më parë. Nuk ka asgjë të re nën diell. Në vitin ’98, po këta që thonë mos shkoni në zgjedhje, i thoshin shqiptarëve mos e votoni Kushtetutën, falë asaj Kushtetute dhe shqiptarëve që dolën në votime, Shqipëria fitoi 21 vite stabilitet me PS-në, që në atë moment historik i tha shqiptarëve: Shqipëria mbi të gjitha”, theksoi ai.

Veliaj theksoi se ndryshe nga Saliu që dogji dy herë vendin, PS tregoi se di të transformojë qytetet në çdo cep të Shqipërisë. “Saliu na dogji një herë, dy e tre, por në ’98 falë PS-së që bëri thirrje për ato votime, Shqipëria mbijetoi. Fazat e para të tranzicionit. Ne kemi thënë që PS nuk bën vetëm shtet, PS bën qytet. Kujtoni kohën kur PS me kryetar Bashkie Edi Ramën, fitoi Tiranën dhe filloi transformimin e saj. Në vitin 2000 takimet në Tiranë liheshin tek disko Krokodili, te LM-ja, identifikoheshin me kioska, me zaptime, ishin të tipit takohemi tek gropa e Hajdinit. Sot falë investimit të PS-së, kryetarit Edi Rama, 11 vite në Tiranë, u transformua realiteti. Sot themi do takohemi tek parku, tek këndi i lodrave. PS nuk bën vetëm shtet, por bën edhe qytet dhe transformon urbanist çdo cep të Shqipërisë”, theksoi kryebashkiaku Veliaj, i cili më 30 qershor kërkon një mandat të dytë.

Veliaj nënvizoi se PS ka treguar se nuk ka ikur nga asnjë betejë, duke ia dalë gjithmonë të jetë fituese.  “Në 2005 Rama fillon iniciativën e tij për të hapur PS, më vonë merr lidershipin e PS. Partia jonë u hap për njerëz si unë, për çuna dhe goca që nuk kishin lidhje, nuk njihnin deputetë, por falë asaj hapjeje partia jonë u bë më e madhe dhe u bashkua një talent i jashtëzakonshëm djemsh dhe vajzash që vazhdon dhe sot. Një parti e mirë, është si një familje e mirë, sa më e hapur aq më e madhe bëhet, aq më shumë energji, ide e dashamirësi mbledh nga komuniteti. Falë kësaj hapjeje të PS-së, edhe pse kaluam histori të jashtëzakonshme, mos e harroni Gërdecin, 21 janarin. Na ndodhën gjëra që nuk i ndodhin asnjë force në botë, e megjithatë vajtëm në zgjedhje, i mundëm dhe sot drejtojmë Shqipërinë. PS nuk ka ikur nga asnjë betejë, edhe para kallashit, drurit. Kujtoni ’98-ën me antitank i gjuhej qeverisë. PS fiton atje ku duhet, në kuti të votimit. Si përherë”, deklaroi Veliaj.

Ora 20:42
Festa e PS, Majko: Veliaj s'ka nevojë për fushatë, puna flet vetë

Socialistët kanë festuar 28-vjetorin me një aktivitet te amfiteatri te liqeni, pa kryeministrin Rama, që ka qenë në Lushnje dhe Divjakë në fushatë. Pandeli Majko, ka vlerësuar Erion Veliajn si një model që duhet të ndiqet nga të gjithë. Gjatë fjalës së mbajtur në festën te amfiteatri për 28 vjetorin e PS, Majko tha se Veliaj nuk ka nevojë për fushatë në këto zgjedhje, pasi fushata e tij janë ndryshimi që ka pësuar kryeqyteti gjatë katër viteve të punës së tij.

“Jemi mbledhur të gjithë bashkë dhe brohorasim për PS, për këtë familje të madhe e cila si në ditë të mira apo të vështira,se pse e tillë ka qenë historia jonë, rrëzohu ngrihu sepse socialistët asnjëherë nuk kanë humbur. Kjo është historia e PS, asnjëherë nuk kemi braktisur njerëzit tanë, votimet, fatin e Shqipërisë.

Kam këtu edhe fansat më të fundit të Erion Veliajt,kryetarit të Bashkisë i cili këtë radhë nuk ka nevojë të bëjë fushatë sepse fushata është ndryshimi i Tiranës, është standardi më i mirë që ne socialistët ofrojmë për Shqipërinë, ndryshim shpresë e një të ardhme më të mirë se e sotmja.

Historia na kërkon më shumë ne socialistëve sidomos sot më shumë. Shoh flamujt e PS shoh flamujt tanë kombëtarë, e vërteta është se sot më shumë se kur Shqipëria duhet të jetë e para, për Shqipërinë, Tiranën që duam, PS që do udhëheqë këtë proces. Edhe unë jam fans I Erion Veliajt”, tha Majko

Ora 17:43
Themelimi i PS/ Mesazhi i vajzës së Dritëro Agollit: Kush rreh gjoksin, tremb zemrën

Vajza e gjeniut të letrave shqipe, Elona Agolli, në ditën e themelimit të Partisë Socialiste ka kujtuar këtë koment, ku ka pasur një rol të rëndësishëm edhe babai i saj, Dritëro Agolli.

 “Kur mban një fjalim, më mirë të përcillesh me të shara sesa të tallura”, kështu thoshte im atë pasdite të vonë , 28 vite të shkuara, dita që solli fundin e palavdishëm të Partisë së Punës. Sot , nga më të shumtët socialistë, kjo datë kujtohet si dita e krijimit të Forcës së reformuar të të majtës socialiste. Kurse ai i miri dhe i mençuri babai im, përgjatë shumë viteve nuk rrahu gjoksin për këtë datë fitore. Ndoshta, pasi siç thoshte me të qeshur: Kush rreh gjoksin, tremb zemrën”, shkruan ajo.

Ora 17:41
Luan Rama i LSI nostalgjik për PS e Nanos, ja si e uron 28-vjetorin


Ish-deputeti i LSI-së, Luan Rama ka uruar PS në 28 vjetorin e themelit, duke theksuar se kjo forcë politike nuk është më e njëjta.  Përmes fotove të disa prej atyre që e themeluan atë parti në 1991, ai i kujton me respekt. “Gëzuar ditëlindjen e Partisë tonë Socialiste shoqe dhe shokë socialistë! 28 vjet më parë, e themeluam dhe e rritëm si forcë moderne e progresiste, në luftën për demokracinë pluraliste dhe shtetin e të drejtës, si mishërim të vlerave të patjetërsueshme të humanizmit e solidaritetit, pa menduar kurrë që sakrificat dhe gjithë ai korpus vlerash e kontributesh fondamentale për Shqipërinë Europiane, do të bjerreshin e do të dominoheshin sot prej rekordesh që e lidhin atë mjerisht me krimin dhe korrupsionin endemik, me vjedhjen e votës dhe kriminalizimin e jetës politike dhe publike! Respekt e mirënjohje për të gjithë drejtuesit e parë të saj; Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Spiro Dede, Ismail Lleshi, Namik Dokle, Dritëro Agolli, Gramoz Ruçi, Fatmir Kumbaro, Arta Dade, Ermelinda Meksi, Xhavat Lloshi, Sabit Brokaj, Fatri Sinani, Maqo Lakrori, Et’hem Ruka, Moikom Zeqo, Luan Hajdaraga e të tjerët, më të rinjtë që erdhën më pas si Ilir Meta e Pandeli Majko! Nderim dhe respekt për të gjithë socialistët, prej 12 qershorit 1991 e tëhu, që njësoj si themeluesit, ishin e mbeten socialistë!” shkruan ai.

Ora 14:04
Balla në urimin e socialistëve: 30 qeshori, PS mision historik ka respektimin e Kushtetutës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka uruar anëtarët për 28-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Në faqen e tij Facebook, Balla ka shkruar se PS është forca politike më e besueshme për partnerët ndërkombëtarë.

Ndërkaq, ai ka përmendur edhe misionin e socialistëve, sipas së cilit misioni historik i tyre ka qenë dhe mbetet një shtet shqiptar me institucione funksionale.

Postimi i plotë

12 Qershor

Gëzuar ditëlindjen e 28-të Partisë Socialiste të Shqipërisë, forcës më të madhe politike të shqiptarëve, e cila sot drejton Shqipërinë tonë në përpjekjen europeiste për të ndërtuar dhe forcuar shtetin modern të së drejtës, sundimin e ligjit dhe parimet e mirëqenies sociale.

Partia Socialiste e Shqipërisë është sot forca politike më e besueshme për partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë në angazhimin e saj qeverisës, demokratizues dhe reformator.

Sot teksa afron 30 Qershori i Zgjedhjeve Vendore, konfirmohet qartë se misioni historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë në gjithë rrugëtimin e saj ka qenë dhe mbetet një shtet shqiptar me institucione funksionale, ku respektimi i Kushtetutës dhe i ligjit është detyrim i zbatueshëm dhe i barabartë për çdo shtetas shqiptar.

Urime të gjithë anëtarëve të Partisë Socialiste!

Ora 12:54
PS feston 28-vjetorin/ Veliaj: E vetmja forcë politike që nuk e tradhton kurrë vendin

Kryebashkiaku Erion veliaj, me rastin e 28-vjetorit të themelimit të PS-së ka uruar të gjithë socialistët.

Përmes një postimi në Facebook, Veliaj ka thënë se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që bën shtet.

"Gëzuar Ditëlindjen Partia Socialiste e Shqipërisë - e vetmja forcë patriotike që ka provuar se nuk tradhëton kurrë vendin, se rimëkëmb ekonominë, se bën shtet e qytet si Tirana jonë 

E vetmja forcë qartësisht pro-e pro- sot për sot! Në 30 qershor voto PS Edi rama Nr.30"- uron Veliaj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Limi: 12/06/2019 23:58

    Uaaaau Tahiri nuk eshte brenda NE burg? ??

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën