Ditëlindja e Azemit, Presidenti e
dekoron, Berisha: "Tribun lirie"

TIRANË - Sot përkujtohet 50-vjetori i lindjes së Azem Hajdarit, udhëheqësit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, i cili pas dështimit të disa atentateve, u vra pabesisht pranë selisë së Partisë Demokratike më 12 shtatorin e 1998-ës.

BERISHA: HAJDARI, LIDERI QE "VRAU FRIKEN" DHE NUK U TERHOQ

Ora 17: 00 Në ditën e përkujimit të dëshmorit të demokracisë, Azem Hajdari, në 50-vjetorin e tij, Kryeministri ka përshëndetur sot miqtë dhe mbështetësit e tij si dhe simpatizanët e PD-së në të gjithë Shqipërinë, pikërisht nga qyteti Sudenti, qyteti ku nisi lëvizja studentore e udhëhequr pikërisht prej heroit. 

"Partia Demokratike që u formua atëherë",- tha Berisha, -"nuk është se më pas s'u tërhoq. E tërë kjo nga frika, nga terrori, se e shpallën armike të Shqipërisë, por ne luftuam atë që quhej “vrasje frike”: Ajo ishte qëllimi ynë kryesor dhe në këtë drejtim, Azem Hajdari ishte një lider I jashtëzakonshëm, një lider që do ta kërkonin në katër anët e Shqipërisë. Të gjithë donin ta dëgjonin fjalën e këtij njeriu të lirë, të bindur për çdo sakrificë. Ne kalonim çdo ditë përbri bustit të diktatorit; por, jam dëshmitar I rolit kryesor të Azem Hajdarin në inicimin, organizimin e asaj lëvizjeje më të fuqishme popullore kombëtare që përmbysi dikataturën. Ajo nisi në Kamzë. Jo se universiteti që mbante emrin e dikatorit s’e kish vullnetin, por u zgjodh Kamza për të nisur një peticion, një lëvizje, që vazhdoi me grevën legjendare të urisë. Azem Hajdari është autori i sloganit të famshëm "Te sheshi”, tha më tej Kryeministri. -"Kjo ishte motoja që udhëhoqi qytetarët e Tiranës në përballjen më vendimtare të qytetarëve të Tiranës në përballjen më të egër me diktaturën".

Kryeministri, më pas, e lidhi ngushtë emrin e Hajdarit me Lëvizjen çlirimtare të Kosovës, duke u shprehur: "Azemi bëri gjithçka për të mbështetur Lëvizjen çlirimtare në Kosovë; madje, ai kërkonte të merrte pjesë direkte. Por, aq sa ishte shpërthyes, energjik, aq ishte edhe I disiplinuar. Të punoje me të ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme, sepse nuk vinte asgjë më shumë përpara sesa interesi i misionit që duhej të realizonte. Ndaj, në një shekull janë më mijëra shqiptarë që kanë bërë sakrifica më të mëdha, më sublime, për lirinë e kombit, por unë kam bindjen se asnjë individ nuk ka kontribuar sa Azem Hajdari për lirinë tonë, për lirinë e shqiptarëve që përjetuan shtypjen më të egër të kohërave".

"Sot ne nuk përkujtojmë, por festojmë ditëlindjen e këtij tribuni të madh të lirisë së shqiptarëve", - përfundoi Berisha. -"Me një ndjenjë krenarie se idealet e tij janë bërë sot realitet,  festojmë se Shqipëria është bërë anëtare e NATOS; festojmë se jemi të lirë të lëvizim; festojmë se Kosova sot është e lirë, e pavarur, se shqiptarët janë të pavarur dhe kudo që janë, shqiptarët ndëtojnë demokracinë e bazuar në vlerat e tregut".


PRESIDENTI NISHANI  I AKORDON HEROIT, "URDHRIN E FLAMURIT"

Ora 12: 00 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mesditën e sotme dha dekoratën “Urdhri i Flamurit” për heroin e Demokracisë.

Në fjalën e rastit, Presidenti Nishani ka vlerësuar kontributin dhe vetëflijimin e jetës së tij për Shqipërinë.

Ndërkaq, bashkëshortja e Azem Hajdarit, në fjalën e saj tregoi se jeta e tij ishte nën kërcënime, ku pas 4 atentateve atë e ekzekutuan.

E konsideruar nga shkrimtari i mirënjohur shqiptar Islami Kadare si “Vrasja e Shekullit”, në atë kohë u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.

Deputeti i Partisë Demokratike që nga vitit 1991, njëherësh një nga themeluesit kryesor të saj, si partia e parë opozitare, është dekoruar nga presidenti i asaj kohe, Alfred Moisiu, me urdhrin “Nderi i Kombit”.

AXHENDA E AKTIVITETEVE

Ora 16.00-17.00 Salla Liria tek Qyteti Studenti Sesion Përkujtimor kushtuar 50-vjetorit të lindjes së Heroit të Demokracisë Azem Hajdari, sipas këtij Programi:
Çelja e Sesionit nga një studente e Universitetit të Tiranës
Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” shfaq dokumentarin “Azem Hajdari – Shpirti i lirë”
Kujtime nga Zoti Arben Imami, mik i Azemit, një nga pedagogët e parë që u bashkuan me Lëvizjen Studentore.
Përshëndetje nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Prof.Dr.Sali Berisha.
Përshëndetje nga Familja Hajdari.
Poezi e recituar nga Mirush Kabashi

KUSH ISHTE AZEM HAJDARI


Azem Hajdari (11 mars 1963 - 12 shtator 1998), ishte një politikan shqiptar, deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Azem Hajdari lindi në Tropojë më 11 mars 1963. Shkollën e mesme e kreu në vendlindje. Në vitin 1993 përfundoi studimet në degën e Filozofisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1995 diplomohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës.

Veprimtaria politike


Studenti Azem Hajdari ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik. Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partia e parë opozitare, dhe Kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj partie. Azem Hajdari ishte deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga viti 1991 e deri sa u vra në shtator të vitit 1998. Mbas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste të Shqipërisë në vitin 1997, Azem Hajdarit iu bënë disa atentate.

Në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit, Azemi Hajdari tentohet të vritet me bombë. Atentati dështoi. Në gusht të vitit 1997 bandat e krimit i zënë pritë në Sarandë, në Qafën e Buallit.
Më 18 shtator të vitit 1997, mbetet i plagosur i qëlluar me pesë plumba nga deputeti i Partisë Socialiste Gafurr Mazreku, në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë.
Më 14 shkurt 1998, organizohet prita e Milotit nga forcat e policisë, të cilat qëlluan me breshëri plumbash në makinën e tij që për fat ishte e blinduar, ku përveç të tjerëve, ndodhej edhe djali i tij 14-vjeçar.
Më 3 qershor 1998, në kohën që po mbështeste luftën në Kosovë, Azemit iu organizua një atentat nga forcat e policisë, të cilat e mbajtën të rrethuar 3 orë. Në këtë atentat mbeti i plagosur ish Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar Bardhyl Pollo.

Më 12 shtator 1998 vritet pabesisht para selisë së Partisë Demokratike nga drejtues të Komisariatit të Policisë të Tropojës. Lajmi për vrasjen e Azem Hajdarit, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar Ismail Kadare e konsideroi vrasjen e Azem Hajdarit si "Vrasja e Shekullit".

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2002 dekoroi Azem Hajdarin me Urdhrin "Nderi i Kombit".

Mirënjohjet


• Urdhri "Nderi i Kombit" Shqipëri, 2002
• Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë
• Urdhri "Gjergj Kastrioti Skënderbeu"

AZEMI DEKORIM
(Foto nga ceremonia e sotme e dekorimit të Azem Hajdarit në Presidencë)

azem dekorim
(Foto nga momenti kur Presidenti Nishani i dorëzon dekoratën, bashkëshortes së A.Hajdarit)



Redaksia Online
(ar.sh/gr.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës