Deputeti Pirro Vëngu iu drejtua Sali Berishës duke thënë se vlonjatët s’kanë për t’i kërkuar leje kur të mblidhen, duke iu referuar takimit të së premtes së PS në kuadër të 35-vjetorit.
“Kanë ikur vitet kur intimidoje vlonjatët, gjyshërit dhe baballarët tanë. Kjo gjeneratë në Vlorë s’ka për t’ju kërkuar leje as kur të mblidhet, as kur të festojë. Nga kolegët e nderuar të opozitës që e përfaqësojnë Vlorën me korrespondencë, keni filluar të interesoheni se çfarë duan vlonjatët. Kërkojini bizneseve, rinisë vlonjatë se çfarë kërkojnë pastaj linçoni këtu! Nëse doni që ligjet të reformohen, ejani, propozoni, sepse jemi këtu për t’ju dëgjuar dhe edhe për t’ju refuzuar se siç e keni emrin, jeni opozitë. Është për t’u vlerësuar fakti që po flasim për shumë më shumë sesa Zvërneci. Zhvillimi i këtij vendi duhet të jetë debat maturie. Doktor, nga vlonjatët mos prit kurrë të të kërkojnë leje”, tha Vengu.
Ndërsa Berisha iu përgjigj deputetit duke i thënë se është dezertor që më pas doli në krye të ushtrisë. (Përpara Ermal Nufit, Pirro Vengu mbante detyrën e ministrit të Mbrojtjes).
“Folësi, pasi dezertoi nga ushtria, bëri mashtrimin madhor se është pasardhës i Marko Boçarit dhe Sali, mos i bjer në qafë kot. Ky është pasardhës i një familje kallajxhi. Hiqni dorë nga antimitingu. Ke dezertuar apo jo? Dezertove dhe dole pastaj në krye të ushtrisë”, tha Berisha.
“Jam krenar që kam prejardhje suljote, jam krenar që kam edhe mamanë minoritare. Jam krenar edhe që kam pasur pjesëtarë të familjes si pjesëtarë të Pavarësisë. Vlonjatët nuk iu kërkojnë leje dhe nuk kanë nevojë të marrin leje nga ju”, ia kthe Vëngu.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Zvërneci/ Berisha akuza PS: Keni organizuar antimiting në Vlorë! Balla: Diversion, kemi datëlindjen e PS










