Këto faqe, janë pjesë nga dorëshkrimi origjinal i romanit “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”, të ekspozuara për herë të parë në shtëpinë-muze “Dritëro Agolli” me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit. Bashkë me të, të pranishmit kanë mundësi të shohin edhe blloqe shënimesh ku ka gjenezën Zyloja, ekzemplari i revistës “Hosteni” 1972, letërkëmbime mbi romanin, objekte, portrete origjinale të Dritëroit dhe fotografi të rralla të tij.
“Sot është ditëlindja e tij, por është edhe një vjetori i i themelimit të shtëpisë Muze Dritëro Agolli këtu në Tiranë. Ne kemi zgjedhur ta shënojmë këtë ditëlindje të Dritëroit dhe këtë një vjetor të shtëpisë muze të Dritëroit përmes një ekspozite të veçantë, e cila i kushtohet ‘Shkëlqimit dhe rënies së shokut Zylo’ në shumë dimensione. Kemi sjellë një pjesë të dorëshkrimit të tij, kemi sjellë shumë letërkëmbime, që kanë lidhje posaçërisht me këtë vepër të letërsisë shqipe dhe shumë të rëndësishme në krijimtarinë e Dritëro Agollit, por e kemi pasuruar muzeun dhe me dokumente të tjera origjinale dhe me objekte shumë të veçanta dhe domethënëse.”, tha Anisa Ymeri, drejtuese e shtëpisë-muze.
Këto objekte i janë shtuar muzeut falë të bijës së shkrimtari, Elonës dhe djalit të saj, Luelit. Kontribut ka dhënë edhe Biblioteka Kombëtare.
Studiuesja Anila Mullahi vërejti se në dorëshkrimin e veprës “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” mund të shihet kaligrafia e shkrimtarit, por edhe mrekullia e procesit krijues. Ajo shtoi se vepra nuk u botua e plotë në periudhën e komunizmit.
“Janë disa dokumentacione që të tregojnë se si punon shkrimtari. Veçanërisht ditari i 1971-it që është në Kongo është tregues i asaj që vazhdimisht e kemi thënë. “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” kur u botua, nuk u botua i plotë. Ka kapituj të cilat shkrimtari nuk i botoi sepse nuk ishte koha. Janë pikërisht këto dokumente që tregojnë se vërtetë vepra është botuar e cunguar në fillim dhe prandaj shërbejnë muzetë, që të kenë materiale të tilla, të cilat nuk mund t'i gjesh asgjëkund tjetër.”, u shpreh Mullahi.
Nga ana tjetër, studiuesi Xhevat Lloshi, mik i Dritëroit i dhuroi muzeut një dokument origjinal, që për të mbart kujtime: një ftesë mbi të cilën gjendet dorëshkrimi i Dritëroit. Ai tregon se ndodheshin në një festë, 20 vjet më parë dhe ndërsa dëgjonin muzikë popullore, Dritëroi u shpreh i shqetësuar se këngëve popullore nuk mund t’i ndryshoheshin fjalët.
“Më thotë: drejtor, o Xhevat, ç'është kjo që bëjnë këta? Si mund të shtrembërohen tha vargjet popullore? Jo, tha, këtë gjë do ta shkruajmë. Mirëpo kishim ardhur për darkë edhe s'kishim marrë letër edhe unë kisha në dorë thjesht ftesën. Nuk kishim marrë asnjeri stilolaps dhe mezi gjetëm nga kamarierët nja dy stilolapsa të këqij dhe Dritëroi ka shkruar këtë.”, tha Lloshi.
Ai theksoi se kjo shtëpi-muze është një institucion kulturor me shumë rëndësi për studentët dhe studiuesit dhe vlerësoi veprën e Agollit, duke përmendur edhe pjesët e pabotuara më parë të romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” për shkak të rrethanave politike.
Komente







