ITALI- Mëngjesin e sotëm furgoni me 9,750 dozat e para të vaksinave Pfizer kaloi qafën e Brenner dhe hyri në Itali i shoqëruar nga policia dhe karabinierët, siç kanë raportuar edhe mediat vendase.
Dozat e para të vaksinave do të qëndrojnë në spitalin Spallanzani të Romës, në të cilin janë ndërtuar të gjithë kushtet për të pritur vaksinën e më pas do të shpërndahet në pikat e caktuara më parë.
Vaksinimi i qytetarëve do të fillojë ma datë 27 dhjetor, si të gjitha shtetet evropiane dhe do të administrohen nga personeli mjekësor.
Grupet të cilat do të kenë prioritet për vaksinimin anti-COVID do të jenë fillimisht personeli mjekësor të cilët qëndrojnë edhe në vijën e parë në këtë “luftë të ashpër” me koronavirusin. Më pas do të vaksinohen punonjësit e shtëpive të të moshuarve, e grupi i fundit por jo më pak i rëndësishëm do të jenë të moshuarit mbi 80 vjeç të cilët janë edhe një kategori shumë e rrezikuar ndaj virusit.
Qeveria italiane për shkak të festave të fundvitit, ka miratuar masat të reja anti-COVID dhe aktualisht gjendet e gjitha në një zonë të kuqe. Italia është vendi i 8 në botë me numrin më të lartë të infektimeve dhe viktimave nga koronavirusi.
Pasi Agjencia Evropiane e Barnave ka autorizuar vaksinën Pfizer për në Evropë, më datë 6 janar pritet të mblidhet në kuadër të autorizimit të vaksinës Moderna.