Ditmir Bushati: Më shumë siguri!

Ditmir Bushati: Më shumë siguri!

Liderët e vendeve anëtare të NATO-s

Me Samitin e NATO-s në Madrid, Aleanca transatlantike po përgatitet për përmirësimin më të madh të kapaciteteve të mbrojtjes që nga Lufta e Ftohtë. Një Koncept i ri Strategjik do të miratohet duke përshkruar Rusinë si “kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë ndaj Aleancës”. Ndërkohë që Kina përmendet për herë të parë si një nga sfidat e së ardhmes për NATO-n, edhe pse Aleanca nuk ndan vijë kufitare me të. Kjo është arsyeja që udhëheqësit e shteteve, të cilët e shohin me shqetësim rritjen e kapaciteteve ushtarake dhe teknologjike të Kinës, të tilla si Australia, Japonia, Korea e Jugut dhe Zelanda e Re, janë ftuar të marrin pjesë për herë të parë në një Samit të NATO-s.

Shqipëria lipset të përditësojë e kontekstualizojë Strategjinë e Sigurisë Kombëtare në përputhje me detyrimet që burojnë nga Koncepti i ri Strategjik i NATO-s, duke pasur parasysh veprimtarinë e aktorëve të mësipërm dhe aleatëve të tyre në rajon.

Koncepti i fundit Strategjik i NATO-s, i vitit 2010, vlerësoi rrezikun e luftës në Europë si të ulët. Sipas këtij dokumenti, rreziku më i rëndësishëm për NATO-n ishte apatia e anëtarëve, e cila shprehej edhe me mospërmbushjen e detyrimeve financiare. Asokohe, Europa besonte se i kishte larë hesapet me luftrat njëherë e përgjithmonë.

Mirëpo, goditja sizmike e shkaktuar nga agresioni Rus në Ukrainë ndryshoi gjithçka. Reagimi i NATO-s e befasoi Kremlinin, i cili prej kohësh përpiqej t’i vendoste shtetet e Aleancës kundër njeri-tjetrit duke rrëmuar në diferencat mes tyre. NATO u tregua e shpejtë në dislokimin e trupave shtesë në shtetet baltike dhe në Rumani, në mbështetje të krahëve të saj lindorë dhe jugorë. Ndërsa një pjesë e aleatëve vendosën të mbështesin ushtarakisht Ukrainën. Gjermania i tha lamtumirë politikës së saj tradicionale në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Një tjetër surprizë për Rusinë ishte vendimi i Finlandës dhe Suedisë për të hequr dorë nga politika e mosangazhimit dhe për të nisur procedurat e anëtarësimit në NATO.

Meqë SHBA-ja duhet të kujdeset dhe të përdor një pjesë të burimeve të saj në Indo-Paqësor, Europa pritet të mbajë një ngarkesë më të rëndë në lidhje me mbrojtjen kolektive. Kësisoj, Europa duhet të përgatitet për të qenë përgjigja e parë ndaj krizave në periferi të NATO-s, duke dëshmuar përgjegjësi më të madhe strategjike europiane, në vend të autonomisë strategjike, të kërkuar para fillimit të luftës nga Presidenti francez Macron.

Mjedisi i ri i sigurisë në Europë kërkon shpenzime shtesë ushtarake duke shkuar përtej objektivit të vendosur në Samitin e Uellsit të vitit 2014. Objektivi i dikurshëm i shpenzimit të 2% të Produktit të Brendshëm Bruto për nevojat ushtarake, tani konsiderohet më shumë si një “dysheme”, sesa një “tavan”. Prandaj, në Madrid, udhëheqësit e NATO-s do të zotohen sërish si për politikat që kanë të bëjnë me shkurajimin ashtu edhe për mbrojtjen.

Samiti i Madridit pritet të intensifikojë mbështetjen ndaj Ukrainës me qëllim transformimin tërësor të ushtrisë së saj me pajisje moderne të NATO-s. Megjithëse anëtarësimi i Ukrainës dhe Gjeorgjisë u premtua në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008, ky proces nuk është materializuar.

Samiti pritet të rikonfirmojë gjithashtu mbështetjen ndaj partnerëve si Gjeorgjia dhe Bosnje Hercegovina përmes mbështetjes politike e praktike për fuqizimin e qëndrueshmërisë së tyre për të parandaluar çdo agresion të mundshëm.

Pavarësisht kontekstit të mësipëm, stërvitjes “Defender 21” të zhvilluar vjet në Shqipëri me synim rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate; faktit që Bosnja figuron në agjendën e Samitit; duhet thënë se pak ka ndryshuar politika për krahun jugor të NATO-s, ku përfshihet edhe Ballkani Perëndimor.

Nisur nga nevoja e garantimit të një mjedisi të sigurtë përkundrejt çdo agresioni të mundshëm, NATO është pranishme në Kosovë dhe në Bosnje Hercegovinë, sikundër ka shtuar investimet në rajonin tonë për çështjet e sigurisë. Megjithatë, NATO nuk ka ndërmarrë ende asnjë nismë që do të ankoronte përfundimisht në gjirin e saj shtetet të cilat synojnë anëtarësimin.

Ballkani Perëndimor është një rajon ku demokracitë transatlantike kanë gamën më të madhe të levave dhe mjetet më të fuqishme diplomatike dhe ushtarake, jo vetëm për të parandaluar dhe frenuar dhunën dhe agresionin, por për të krijuar një mjedis të favorshëm për përparimin demokratik. Fakti që Perëndimi është i bashkuar si kurrë më parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duhet shfrytëzuar si një mundësi për të përmbyllur procesin e ankorimit të rajonit në NATO, si mundësia më e mirë për një rajon të sigurt.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Armando: 29/06/2022 13:08

    Bushat, ndonjeher te shkon ndermend se po ja fut kot e teka ngelur ora ne 90-ten, kur shqiptaret i puthnin gomat makine se Bejkerit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë