Historike! Shqiptarët fitojnë Tuzin, por s'e zgjedhin kryetarin pa koalicion

Festë në Tuz. Rezultatet paraprake nxjerrin fitues koalicionin shqiptar nga zgjedhjet që u zhvilluan sot në komunën e Tuzit në Malin e Zi. Nga numërimi deri tani, shqiptarët kryesojnë me rreth 50% të votave, të ndjekur nga partia e kryeministrit Milo Gjukanoviç, PDS, ndërsa më pas renditen partitë e tjera. Të përkthyera në mandate, shqiptarët kanë fituar 16 nga rezultatet paraprake nga 32 në total, pra u duhet edhe një mandat, pasi kryetari zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Megjithatë për të konfirmuar zyrtarisht rezultatin pritet institucioni i menaxhimit të zgjedhjeve.

Tuzi u nda nga Podgorica në 1 shtator 2018. Për herë të parë në historinë e proceseve të tilla lokale, partitë politike shqiptare dolën të bashkuar në koalicionin “Malësia na Bashkon”. Me qëllim maksimalizimin e votave dhe arritjen e një rezultati fitues, tre partitë shqiptare Alternativa Shqiptare (kryetar: Nik Gjeloshaj), Lidhja Demokratike Shqiptare (kryetar: Nikollë Camaj) dhe Unioni Demokratik Shqiptar (kryetar: Fadil Kajoshaj) u bashkuan në koalicionin parazgjedhor “Malësia na bashkon” duke ia arritur qëllimit.

Në total ishin 11.800 votues me të drejtë vote, nga të cilët zyrtarisht kanë votuar 65%. Procesi nuk ka kaluar pa akuza, pasi shqiptarët pasdite denoncuan përmes një video blerjen e votave duke akuzuar partinë e kryeministrit Milo Gjukanoviç. Megjithatë, pas rezultateve të para, shqiptarët kanë nisur festën në rrugët e qytetit.

Këto janë rezultatet preliminare:
Koalicioni shqiptar 3783 vota-16 mandate
DPS 2476 vota-10 mandate
Boshnjakët 951 vota-4 mandate
Demokratët 236 vota-1 mandat
SD 356 vota 1- mandat
SNP 81 vota-0 mandate

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:54
Mediat malazeze: Shqiptarët fitojnë komunën e Tuzit

Sipas mediave në Malin e Zi, jo zyrtare, koalicioni shqiptar ka fituar 50% të votave të numëruara deri më tani. 'Vijesti' shkruan se koalicioni shqiptar i përbërë nga Alternativa Shqiptare, Aleanca Demokratike e Shqiptarëve dhe Bashkimi Demokratik Shqiptar fitoi shumicën e votave në zgjedhjet lokale të Tuzit. Ka pesë lista dhe një koalicion në zgjedhje, ndërsa e drejta për të votuar ishte 11,904 persona.

Ora 21:33
Zgjedhjet në Tuz, shqiptarët në Mal të Zi në festë

Pas mbylljes së qendrave të votimit në Tuz, shqiptarët kanë nisur festimet me flamurin kuqezi, pasi besojnë te fitorja, që do të ishte historike. Aktualisht vijon procesi i numërimit të votave në qendrat e votimit. Rezultati pritet që të dalë gjatë natës.

Ora 20:27
Denoncimi për blerje votash në Tuz, ministri shqiptar në Mal të Zi: Marrim fitore bindëse

Mehmet Zenka, i cili është ministër i Pakicave në qeverinë e Malit të Zi ka deklaruar pas videos për blerjen e votave që u denoncua, se kush ka prova ti drejtojë në organet përkatëse që autorët të shkojnë para drejtësisë. Gjithashtu ai u shpreh optimist se koalicioni shqiptar do të fitojë në Tuz. "Ky është koalicioni i parë serioz i shqiptarëve që ka pretendime faktori shqiptar të marrë një fitore që pritet prej dy dekadash. Jemi optimistë, pasi edhe qëllimet tona janë të sinqerta. Kjo ditë ka rëndësi të vecantë për shqiptarët, jam optimist se do të korrim një fitore bindëse. Gjithmonë flitet për shit blerje të votave. Ne kemi apeluar se kush ka të dhëna apo element që e faktojnë këtë, të lajmërohen organet. Ne partitë shqiptare nuk e ndiejmë të nevojshme që të blihet vota shqiptare që të votohen shqiptarët" tha ai.

Ora 20:10
Zgjedhjet në Tuz, shqiptarët denoncojnë blerjen e votave nga partia e kryeministrit

Në zgjedhjet e sotme në Tuz ka pasur një pjesëmarrje mbi 62%. Nga koalicioni shqiptar ka optimizëm për fitimin e komunës, por pritet numërimi. Procesi ka pasur edhe incidente, probleme teknike në mëngjes, ndërsa në pasdite është denoncuar nga shqiptarët përmes një videoje blerja e votave. Liridon Vulaj ka publikuar videon ku tregon se një personi i është kërkuar që të votojë partinë PDS të kryeministrit malazez Milo Gjukanoviç kundrejt 50 eurove.

Në video, ai pyet personin nëse kanë bërë para në këto zgjedhje.

Ai i përgjigjet po.

Personi i videos insiston: Kush jua dha, personi që kaloi?

-Po, më tha rrumbullako 1- përgjigjet ai.

-Ju kanë mashtruar sepse nuk do të merrni para, i thotë personi që ka bërë videon.

-Jo, i kam marrë, thotë shtetasi i komunitetit rom dhe hap pasaportën me 50 euro.

"Kam votuar jo vetëm unë por gjithë familja" thotë ai..

Ora 20:01
Mbyllet votimi në Tuz, shqiptarët i bashkon shpresa për të drejtuar komunën

Mbyllen votimet për kryetar në komunën e Tuzit në Mal të Zi. Pjesë e zgjedhjeve është edhe koalicioni shqiptar “Malësia na bashkon” që përbëhet nga tre parti. Pas 62 vjetësh Tuzi do të ketë një udhëheqje komunale të pavarur nga Podgorica. Këto janë zgjedhjet e para lokale pas ndarjes komunale nga Podgorica, ndërsa shqiptarët janë bashkuar për të marrë drejtimin e komunës.

Ora 10:41
Bën shqiponjën dy krenare në aeroport, doganieri: Ik, ik, bëje diku tjetër...këtu nuk ka! (VIDEO)

Saed Nikaj, është një prej shqiptarëve që ka udhëtuar nga SHBA-të, për të qenë sot i pranishëm në Tuz, komunën me shumicë shqiptare në Mal të Zi, që sot mban zgjedhjet administrative, për herë të parë pas ndarjes nga Podgorica në shtator të 2018-ës. Shqiptari sapo ka zbritur në aeroportin e Podgoricës, i ka përshëndetur me simbolin e shqiponjës dy krenare, të afërmit që kishin dalë ta prisnin. Por nuk është pritur mirë ky gjest, nga doganieri në kufi, i cili i është drejtuar: “Ik, ik, atë bëje atje diku tjetër, këtu nuk bëhet, këtu nuk ka…”. Nikaj ka replikuar duke iu përgjigjur: “Po, ç'ka këtu se jam në tokën time…”

"Unë kam ardhur për të votuar, pasi partitë tona u bashkuan pas disa dekadash. Hapin e parë e bënë vendasit. Po kryejmë obligimin që kemi ndaj Tuzit.

Sapo dola nga avioni më shihnin me një sy shumë të keq. Më ndanë në një dhomë. Kur dola, përshëndeta familjarët e mi me një shqiponjë krenare. Policët më thanë këtë bëje në një vend tjetër. Unë këtu se kjo është toka ime. Fitues jemi sepse jemi të bashkuar. Do ta marrim Malësinë në dorë. Situata është e qetë", është shprehur Nikaj për mediat. 

Nëse koalicioni me tre parti shqiptare fiton shumicën e votave në zgjedhjet që mbahen sot, atëherë komuna e Tuzit do të drejtohet nga një shqiptar. Kandidati zgjidhet pas rezultatit të zgjedhjeve, ku votohet për partitë.

Ora 10:28
Zgjedhjet në Tuz/ Nik Gjeloshaj për Report Tv: Aleanca e 3 partive shqiptare, e vetmja rrugë për të fituar

Nik Gjeloshaj, kryetar i partisë "Alternativa Shqiptare", pjesë e koalicionit "Malësia na bashkon", tha në një lidhje telefonike për Report Tv, se bashkimi i partive shqiptare për të pasur për herë të parë një kandidat shqiptar që mund të fitojë zgjedhjet e komunës së Tuzit në Mal të Zi, ishte e vetmja rrugë për të dalë fitues.

Ai tregoi se procesi zgjedhor ka nisur me disa probleme të vogla, më së shumti teknike. Ka pasur vonesa në disa qendra votimi, për shkak të prishjes së kompjuterëve, tha ai, duke shtuar se nëse do të ketë vazhdimësi të problemeve, atëherë do të merret vendim politik për ecurinë e procesit zgjedhor.

Sot kemi arritur me dy subjekte të bëjmë koalicion parazgjedhor duke pasur bindjen që do shtohet nr i partive politike shqiptare. Kjo ishte rruga e vetme që të dalim fitues", - tha Gjeloshaj për Report Tv.

A është menduar për emrin e kandidatit nëse aleanca e shqiptarëve fiton votat maksimale? Nik Gjeloshaj thotë se emri do të mendohet më vonë. E rëndësishme sipas tij është të fitojë koalicioni  i tre partive shqiptare.

"Janë çështje individuale, tema që do vijnë pas fitores", - tha Gjeloshaj.

Partitë shqiptare janë bashkuar në koalicion parazgjedhor “Malësia na bashkon”. 11.800 votues u drejtohen 30 qendrave të votimit, për të zgjedhur kryetarin e komunës të ndarë nga Podgorica më 1 shtator 2018.

 

 

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fahri Spiuni: 03/03/2019 20:44

    Kot nuk ka shkuar nje muaj perpara presidenti yne i nderuar per ti mesuar per blerje votash si specialist qe eshte ne kete fushe.ky kandidati per kryetare komune te mari Lulushin dhe Monen per te protestuar para presidences te Malit te zi per blerje votash se keto dy plehra do ta nxjerrin nga situata komunen e Tuzit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja