DIVJAKE- Fermerët e zonës bregdetare të Divjakës këto ditë kanë filluar vjeljen dhe shitjen e patates dhe qepës së hershme. Aktualisht një kg qepë po tregtohet nga 35 deri në 50 lekë ndërsa një kg patate 40 deri 50 lekë në varësi të cilësisë.

Sipas fermerëve ky çmim për kulturën e qepës nuk i justifikon shpenzimet, kjo për efekt dhe të motit të paqëndrueshëmt ç’ka ka ndikuar në uljen e rendimentit të këtij viti.

Asbi Shuli fermer nga fshati Mizë në Divjakë  shprehet se: “Nuk na leverdis me cmim 50 lek/kg. Tregu i brendshëm ka probleme”.

“Prodhimi këtë vit është gjysmë për gjysmë. Faji është i plehrave dhe farëve që janë të skaduara. Na konkuron dhe malli që vjen nga jashtë me çmim më të lirë. Ne nuk marrim as subvencione”, tha Sherife Shuli fermere nga fshati Mizë.

I njëjti fenomen është edhe për prodhimin e ri të patates, ku shqetesim per ta mbetet konkurenca e patates që hyn nga importi. Në këtë zonë ka fermerë që ende nuk kanë arritur të shesin prodhimin e patates së vjeshtës.

“Këtu ka fermere që kanë me qindra kuintal nga prodhimi i vjetër ende pa shitur ndërsa ka dalë prodhimi i ri. Flitet se vjen mallë nga jashtë me çmim më të lirë”, tha Xhevdet taragjini fermer nga fshati Zharrnec.

Shumicën e prodhimit ua blejne tregtarët nëpër parcela por nuk u japin faturat, ndaj nuk përfitojnë nga suvencionet. Sipas tyre, pikat e grumbullimit që kanë liçenca dhe lëshojnë fatura ende nuk kanë nisur të mbledhin patate dhe qepë.

“Vijnë tregtarët e marrin këtu me makinat e tyre por nuk na japin fatura. Ne jemi të detyuar ta heqim se na kalbet malli”, thanë ata.

Tokat bujqësore që shtrihen përgjatë lagunës, në fshatrat Mizë, Xeng dhe Zharrnec të bashkisë Divjakë janë mjaft të përshtatshme për këto kultura të cilat në këtë zonë kanë hershmëri duke konkuruar dhe tregjet e rajonit.