Divorci me fantazmën berishizëm, rilindje për opozitën

Divorci me fantazmën berishizëm, rilindje për opozitën

Sali Berisha

Shqiptarët të bindur më shumë se kurrë ndonjëherë, për nevojën e kohezionit dhe stabilitetit politik në vend, pas fushatës zhurmuese të fantazmës berishizëm, po përpiqen për të fituar më shumë pjekuri, aftësi, intelektualizëm dhe kulturë demokratike. Ata kërkojnë të ndërtojnë një shoqëri europiane, për të mos mbetur peng e amoralitetit të politikës së vjetër, që po demonstron lideri “historik” i PD Sali Berisha. Si një protagonist i marrëzive të shumta që kanë ndodhur në Shqipëri, nuk ka prodhuar kurrë politikbërje normale, por ka qenë dhe mbetet kërcënues për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare. Agresiviteti dhe urrejtja për kundërshtarët politikë duke i kërcënuar me jetë, buron nga qenia e tij si bartës i destruktivitetit, që po kërkon t’u kthehet pasioneve instiktive për shkatërrim. Me këtë ndërmarrje që përbën amoralitet politik, ka vënë në pikëpyetje ekzistencën e PD në veçanti dhe të opozitës në tërësi.

Ky njeri që po mundohet të rrëshqasë nga përgjegjësia politike dhe penale, për dëmet që i ka shkaktuar shoqërisë shqiptare, nuk është transparent dhe i vetëdijshëm përpara shqiptarëve, të cilët me të drejtë pyesin se nga dalin gjithë këto para për fushatën e tij të foltoreve? Por populli nuk harron dhe kërkon që drejtësia e përgjumur, duhet të veprojë urgjentisht për të analizuar të gjitha akuzat që ngrihen në drejtim të tij. Dalja e tij në këto foltore të krijon imazhin e Shvejkut kur thoshte: “E ç’më duhet mua se çfarë bëj unë”? E gjithë filozofia e këtij komunisti të pandreqshëm dhe të pareformuar, është ndërtuar mbi një vijë të sofistikuar e djallëzore. Vija idealiste e tij e ngatërruar nëpër rrjetat e kulisave, në këto sentenca politike të mbarsura me alibi artificiale, duke ngritur tymnajë nëpër qendrat e qyteteve të vendit, ka për qëllim fshehjen e të gjithë veprimtarisë penalizuese. Duke u larguar nga përgjegjësia politike dhe penale, ai nuk ka dalë kurrë përpara krimit, por është fshehur si trimi prapa gardhit. E gjithë hapësira politike flet për një figurë paranojaku, si në detyrën e presidentit ashtu dhe në atë të kryetarit të shtetit, duke u kthyer në simbol i së keqes, që i ka kapërcyer kufijtë e historisë. Modeli që krijoi berishizmi në krye të PD, i ngjan një mumie me imazhin e një fantazme, që sa vjen e po shkërmoqet dita ditës.

Mbështetësit fanatikë që e shoqërojnë atë ku fatkeqësisht ka edhe të rinj, nuk janë të bindur akoma se filozofia jetësore e tij pa asnjë vlerë pozitive, ka të ngjizur në gjak pasionin për të sunduar dhe ushqyer kënaqësitë personale. Ai nuk ka folur kurrë përpara shqiptarëve për orgjinë e familjes së tij, për historinë, fajet dhe gabimet e rënda që kanë dëmtuar Shqipërinë. Në çdo shoqëri demokratike në këndvështrimin kohor dhe në hapësirë, çdo lider është objekt studimi diskutimi dhe promovimi për idetë e tij në shërbim të shoqërisë. Para se populli t’u besojë drejtimin e tij, nuk mund t’i promovojë ata formalisht, pa u njohur mirë me të kaluarën e tyre qoftë edhe me breza. Bota demokratike flet me shembuj konkretë për lidera model, si në SHBA, Angli, Gjermani, Francë, Itali, Austri, Belgjikë etj.

Po a do dëshironin edhe shqiptarët të kishin një drejtues model, që të demonstronte para tyre vlerat më të mira të demokracive moderne? Sigurisht që po, por e vërteta është se shqiptarët janë krenarë vetëm për rilindasit, për themeluesit e shtetit shqiptar, për ata që me qëndresë e sakrifica kapërcyen vështirësitë e kohës, duke ruajtur dhe mbrojtur çdo vlerë pozitive, që përbën esencën e kulturës dhe identitetit tonë kombëtar. Që mbështetësit dhe të tjerët që heshtin, para figurës mitike të Saliut të ngritur prej tyre, duhet të mësojnë se kush është ky protagonist zhurmues në krye të foltoreve. Ata duhet të njihen mirë me historinë e këtij njeriu, ku mbi supet e tij rëndojnë një mal me akuza, për vrasje, korrupsion, trafiqe armësh e municionesh, vjedhje, mashtrime, manipulime, shitje të pjesshme të territorit shqiptar ashtu siç bëri dhe Ahmet Zogu. Gjatë viteve të qëndrimit në krye të PD dhe të shtetit, Saliu ngriti mekanizmin tipik mafioz, së bashku me shërbimet sekrete, ku me urdhër të tij u zhdukën dëshmitarë dhe dokumente që flisnin për të zezat e tij në dëm të Shqipërisë. Kështu shërbimet e tij sekrete kapën torturuan dhe zhdukën pa lënë gjurmë biznesmenin Remzi Hoxha, për të mos dëshmuar për lidhjet e Saliut me Millosheviçin. Banda e kriminelëve ekzekutorë me Kumbaron në krye, pas aktit makabër u arratisën jashtë Shqipërisë. Po të njëjtin fat pësoi edhe Kosta Trebicka, nga i biri i Saliut, Shkëlzen Berisha, ku gjykata e apelit të Floridas, ka përshkruar në vendimmarrjen e saj biznesin mafioz të ngritur në Gërdec prej tij.

Ky biznes vrasës u ngrit mbi një kompani fantazëm AEY, të Efram Diverollit dhe shokut të tij. AEY ishte një kontraktore sipas gjykatës së Floridas, në fushën e mbrojtjes që u përpoq t’i shiste ushtrisë amerikane në Afganistan, armë e municione kineze të blera në Shqipëri. Për këtë skandal që është xhiruar dhe filmi mbi subjektin e librit të Guy Laeson “War Dogs” kanë folur New York Times, Broqard Broack, dokumentari i kanalit arab Al Jazira etj. Ndërsa Bullet and Buck që zbuloi tabulatet e Shkëlzen Berishës, i rekomandon drejtësisë shqiptare që të merret një hetim i posaçëm për Gërdecin, sepse libri i Guy Laeson jep dëshminë edhe të vajzës së Trebickës për vrasjen e babait të saj. Për të freskuar kujtesën e atyre që e kanë mbajtur në krye të PD, si dhe këta që i shkojnë pas, do të përmendim disa nga bëmat e tij. Në mars të vitit 1992 emëron këshilltar personal, shefin e piramidave mashtruese shqiptare aventurierin kosovar Hajdin Sejdia, të cilin e ndihmon të arratiset nga Shqipëria me ndihmën e SHIK-ut famëkeq. Po në këtë muaj Saliu “bekon” zyrtarisht, firmën piramidale të drejtuar formalisht nga Sude Kadëna. Kur Banka Botërore i jep urdhër të mbyllen firmat piramidale, Saliu del në televizionin VEFA dhe deklaron”paratë e shqiptarëve janë të pastra”. Kjo deklaratë bëri që shqiptarët të mos ndalen, duke futur paratë nëpër gropat e zeza të firmave mashtruese. Në mars të vitit 1997 BE i akordon Shqipërisë një shumë prej 1.5 miliardë dollarë, për marrëveshje bashkëpunimi, por pushteti i Saliut i shpërdoroi ato duke bllokuar financimin kapital të Shqipërisë për një vit. Po në këtë muaj me dekret nr. 37, paralizoi dhe shkatërroi 237 ndërmarrje ekonomike, pa dallim duke iu hequr shqiptarëve mundësitë e punësimit në ato ndërmarrje që prodhonin me standarde konkurruese.

Një tjetër marrëzi e tij është takimi me Millosheviçin dhe kryeterroristin serb Arkan, kreun e gjenocidit të përgjakshëm mbi kosovarët. Vëllai i Lirisë (që sot aktualisht është bashkëshortja e Saliut me emër të konvertuar), gjatë luftës në Bosnjë ka qënë këshilltar i Millosheviçit, duke ndërmarrë operacione kundër shqiptarëve, ndërsa Saliu thyen embargon e OKB ndaj Serbisë dhe ngre shoqërinë “Shqiponja” ku nëpërmjet liqenit të Shkodrës furnizon me naftë nga Shqipëria makinën vrasëse të Millosheviçit. Në mars të viti 1994 ndërkombëtarët hedhin idenë e projektit të korridorit të 8-të, në vijën “Egnatia” Durrës-Elbasan, por Saliu firmos devijimin e këtij korridori në favor të Greqisë duke e kaluar nga Selaniku këtë projekt. Ai u bë pjesë e planit ogurzi për Shqipërinë, në planin e Athinës për konvertimin e mijëra shqiptarëve minoritarë në Greqi. Më 2 mars 1997 digjet gazeta “Koha Jonë” nga banditët e SHIK-ut me urdhër të Saliut, masakrohen gazetarët, pavarësisht se më pas krerët e saj me në krye Nikoll Lesin u bënë sahanlëpirësit e tij. Muaji mars i 1997 do të mbahet mend si muaji më i zi në historinë e demokracisë, kur Shqipëria u dogj flakë, shteti kishte rënë dhe ishte pa asnjë institucion në këmbë, ku ligjin e bënin bandat ndërsa Saliu nuk jepte dorëheqjen por u vetëzgjodh president nga partia e tij, që sot kërkon ta rehabilitojë për të kthyer përsëri vitin 1997. E sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, ai më 20 mars të vitit 2009 së bashku me Lulzim Bashën firmosin aktin më të turpshëm dhe aq shumë të lakuar, faljen e hapësirës detare kombëtare Greqisë. Përsëri më 11 mars të vitit 2011, Saliu së bashku me Ilir Metën, bëjnë pazarin me mafien italiane “Ndragheta-Kamorra” për kthimin e Shqipërisë në kosh të madh plehrash. Të gjitha këto marrëzi dhe të tjera, janë poshtërim apokaliptik që i ka bërë ky njeri Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilat mbeten në derë të drejtësisë, që për 30 vjet nuk ka guxuar ta vërë përpara përgjegjësisë penale.

Shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe jo foltore fantazmash, për të treguar përralla nga libri “Njëmijë e një netë”. Izolimi i këtij njeriu si simbol i së keqes për demokracinë, nuk është herezi, por rilindje për opozitën, e cila duhet t’i kthehet kohezionit dhe stabilitetit politik brenda saj. 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

AMA: Pirateria sfidë serioze, bëhet në servera jashtë vendit! I kemi kërkuar AKEP mbylljen 128 faqeve online

AMA: Pirateria sfidë serioze, bëhet në servera jashtë vendit! I kemi kërkuar AKEP mbylljen 128 faqeve online