Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, çel të martën në ambientet e saj, një ekspozitë kushtuar dizenjuesit italian Vico Magistretti, njëri prej baballarëve themelues të dizajnit italian. Ekspozita Svicolando që do të përurohet sot do të qëndrojë e hapur deri më 29 dhjetor 2014.

Ekspozita, organizuar nga Instituti Italiani i Kulturës në Tiranë në bashkëpunim me Fondacionin Studio Museo Magistretti në Milano dhe Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, tregon historikun e bashkëpunimit të gjatë profesional mes Vico Magistretti dhe disa prej firmave italiane më të rëndësishme në fushën e dizajnit, si Artemide, De Padova, Flou, Oluce e Schiffini. Përveç skicave, dizenjove fotografike dhe shënimeve, do të ekspozohen disa ikona të historisë së dizajnit italian, ndër të cilat llampat Eclisse të Artemide-s dhe Atollo të Oluce-s, që janë pjesë e koleksionit të përhershëm të MOMA në New York dhe të vlerësuara me Compasso d'Oro respektivisht 1967 dhe në 1979.

Ekspozita do të përmbajë gjithashtu, disa modele të krevateve Flou, ndër të cilët i famshmi Nathalie, kapak të kuzhinës Schiffini, karrige, poltrona dhe tavolina e famshme Vidun e De Padova.

Përurimi i ekspozitës do të fillojë me një prezantim të Lorenzo Imbesi, profesor i dizajnit në Sapienza Universiteti i Romës. Profesor Imbesi do të bëjë një përshkrim të shkurtër të fenomenit kulturor dhe prodhues të dizajnit italian, lindur në Milano menjëherë pas lufte, dhe do të ndalet më pas mbi veprën e Vico Magistretti-t si dizajner.

Me rastin e ekspozitës së parë në Tiranë kushtuar dizenjuesit italian do t'i prezantohet publikut edhe edicioni ndërkombëtar i Çmimit "Compasso d'Oro", kushtuar Design for Food and Nutrition frymëzuar nga tema e Expo 2015./ATSH/