TIRANE - Nuk ka ende asnjë gjurmë për Julian Çelën djaloshin 10=vjeçar të nëndrejtorit të Antiterrorit në SHISH, Skënder Çela i cili rezulton i zhdukur që prej 30 nëntorit. Ai është parë për herë të fundit në një qendër interneti në zonën e Laprakës në kryeqytet, në rrugën “Pandi Dardha” ku edhe banon familja Çela. Familjarët bëjnë apel për ndihmë dhe kanë shpërndarë në rrjetin social Facebook foton e të djalit 10 vjeç, si dhe luten që kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin 0696629077.

3 PISTA HETIMI
Pista e parë është natyrisht ajo e një rrëmbimi nga persona të interesuar dhe që lidhet me detyrën e Skënder Çelës, babait të Julianit. Ai është nëndrejtor në Drejtorinë e Antiterrorit në SHISH dhe mbulon Sektorin Kundër Krimit të Organizuar. Por e kaluara e 10-vjeçarit dhe rrethanat e fundit kur ai është parë nga disa njerëz kanë ngritur dhe dy pista të tjera.

Pista e dytë autoritetet policore janë informuar se 10-vjeçari edhe më parë ishte larguar disa herë nga shtëpia por megjithatë asnjëherë largimet e tij nuk kanë zgjatur kaq shumë. Kjo është një tjetër mundësi që hetuesit e kuotojnë, që Julian Çela të jetë larguar me vullnetin e tij, sikundër ka bërë edhe më parë.

Pista e tretë lidhet me një të ri 16-vjeçar të quajtur G.Prendi i cili dyshohej në ditët e para nga familja dhe hetuesit si personi që e kishte thirrur i fundit Julianin gjatë kohës që ai ishte në internet-kafe. Madje deri pasditen e së mërkurës policia i dinte “të zhdukur” që të dy, por të mërkurën 16-vjeçari G.Prendi u gjet dhe u mor në pyetje. Ai ka patur disa precedentë të lehtë penalë kryesisht për vjedhje. Por gjatë marrjes në pyetje ai mohoi kategorikisht të kishte shok Julianin duke thënë se thjesht e njihte atë. Me tepër forca G.Prendi ka mohuar faktin se mund të kishte qenë personi që e thirri i fundit kur Juliani ishte në internet. Pasi u pyet tre orë rresht 16-vjeçari G.Prendi u la i lirë nga policia.

DENONCIMI NE POLICI, FAMILJARET APEL PER NDIHME

Denoncimi në polici është bërë dy ditë pas zhdukjes së Julian Çelës në komisariatin numër tre në Tiranë. Të afërm të tij kanë shpërndarë në rrjetin social Facebook foton e djalit 10 vjeç, si dhe luten që kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin 0696629077.

Lidhur me zhdukjen e fëmijës, familjarët shprehen se nuk kanë pasur asnjë hasmëri apo konflikt që mund të ketë sjellë rrëmbimin e djalit të tyre. Ata kërkojnë ndihmë nga institucionet përkatëse për gjetjen e vogëlushit.

JULIANI HUMBI GJURMET NE 30 NENTOR
Dita kur Juliani ka humbur gjurmët ka qenë ajo e 30 nëntorit. Djali nuk kishte shkuar në shkollë pasi oraret e mësimit ishin të shkurtuara për shkak se ishte një ditë pas festave të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Vogëlushi ka qëndruar në orët e paradites në shtëpi, ndërsa është detyruar të dalë jashtë për shkak të shkëputjes së linjës së internetit në banesën e tij. Juliani ka shkuar në një qendër interneti në lagjen ku ai banon, në Laprakë.

DESHMIA E PRONARES SE QENDRES SE INTERNETIT

Pronarja e qendrës së internetit tregon se Juliani ishte djalë i shkathët e çapkën. Ajo thotë se sapo vogëlushi hyri në internet, i ofroi asaj flamurin kombëtar. “Po përse ma jep sot që mbaruan festat?”, rrëfen ta ketë pyetur pronarja e qendrës së internetit. “Ta kesh dhe ti një flamur”, i është përgjigjur 10-vjeçari. Sipas saj, tre minuta pasi hyri në qendër, djalin e thërriti dikush dhe ai doli.

Pronarja e qendrës së internetit thotë më tej se djali erdhi vetëm, pa shokët e tij. Sipas saj, Juliani priti disa çaste brenda qendrës së internetit, por asnjë kompjuter nuk u lirua që ai të ulej. Më pas atë e thirrën dhe ai doli. Ajo thotë më tej se nuk mundi dot të shikonte se cili ishte personi që e thirri djalin, pasi ishte ulur me kurriz nga rruga, por ajo lë të kuptohet se personi në fjalë ishte i njohur për Julianin.

KERKIMET NGA FAMILJARET, "S'KEMI HASMERI"
Familja ka filluar të shqetësohet për mungesën e djalit në orët e vona të së premtes kur dhe Juliani humbi çdo kontakt me të afërmit e tij. Babai i tij, Skënder Çela ka filluar të kërkojë në shtëpitë e shokëve të 10-vjeçarit, në qendrën e internetit dhe në lagje, për orë e orë të tëra, por nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të vogëlushit. Dëshmia më e prekshme mbetet ajo e pronares së internetit. Ndërkaq, ditën e shtunë familjarët kanë bërë denoncimin në polici ku edhe kanë dorëzuar një fotot të Julianit, e cila është shpërndarë në të gjitha drejtoritë e policisë në qarqe.

POLICIA ASNJE REZULTAT KONKRET
Edhe pse ka pothuajse një javë i zhdukur ende nuk ka asnjë informacion për gjetjen e të miturit. Ndërsa policia nuk jep asnjë detaj veç faktit se ka një denoncim për zhdukjen e tij, por nuk përjashton mundësinë që zhdukja e fëmijës të ketë lidhje me detyrën e lartë që kryen babai i tij. Skënder Çela, babai i Julianit 10-vjeçar, prej gati 20 vjetësh punon në Shërbimin Informativ Shtetëror. Aktualisht ai mban postin e nëndrejtorit të Antiterrorrit në SHISH.

Policia e Tiranës bën me dije gjithashtu, se janë mbledhur të gjitha dëshmitë e shokëve dhe familjarëve të tij, por hetimet nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret.

julian cela me logo
(Foto, Julian Çela)

Redaksia Online
(Lajmi fillimisht u publikua 20:25 te 6 dhjetorit, dhe më pas u përditësua në 08:00 të 7 dhjetorit 2012)


(Gre.M/hh/sg/Shqiptarja.com)