Një pallat është përfshirë nga flakët pasditen e së martës në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur te Farmacia nr. 10, përballë spitalit “Nënë Tereza”, në kompleksin “Arlis”.
Në lidhje me këtë ngjarje, eksperti për mbrojtjen nga zjarri, Fatjon Xhelilaj, në një analizë në studion e "Repolitix" duke iu referuar pamjeve filmike, u shpreh se zjarri mund të jetë zhvilluar nga disa mbetje që zakonisht grumbullohen në cepat e marketeve dhe dyqaneve. Sipas tij, nga pamjet nuk rezulton të ketë pasur kontakt elektrik në zonën ku ka nisur zjarri.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një djegie të fasadës së godinës dhe se përhapja e flakëve ka qenë e shpejtë, çka kërkon analizë të materialeve të përdorura në veshjen e saj.
“Nuk është normale kaq e shpejtë, duhet analizuar çfarë materiali është përdorur për fasadën”, u shpreh eksperti.
Më tej, Xhelilaj nënvizoi se pallati është i pajisur me rezerva ujore, sistem pompash për zjarrfikës dhe hidrante funksionale, të cilat janë përdorur gjatë ndërhyrjes. Megjithatë, ai theksoi se një problematikë mbetet zënia e hapësirave publike, që mund të ketë ndikuar në ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse.
Sipas tij, dëmet janë përqendruar kryesisht në pjesën e jashtme të godinës, konkretisht në veshjen e fasadës. Ai shtoi se fakti që materiali i brendshwm i fasadës është ende i pranishëm tregon se ka marrë flakë pikërisht veshja e saj.
Komente











