Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, sot ka depozituar Kallëzim Penal ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviç. Kjo lëvizje vjen pas deklaratave të ministres serbe, e cila tha se nëse do të kishte pasur mundësi do ta kishte ‘spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998’.

Gërvalla pas kallëzimit ka deklaruar se deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike, pasi sipas saj, ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore.

Më tej, Gërvalla ka theksuar se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës gjatë luftës, ku mbi 10 mijë civilë shqiptarë humbën jetën dhe 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur.

“Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente. Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Mbi 10,000 civilë shqiptarë humbën jetën, 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur, afër një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, rreth 20,000 gra, burra e fëmijë u përdhunuan dhe mbi 100,000 shtëpi u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë. Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor”, theksoi mes të tjerash ministrja Gërvalla.


Lajmi kryesor:

‘Spastrim etnik Kosovës’, ministrja serbe s’tërhiqet: Falje vetëm Vuçiçit! 53 deputetë serbë duan shkarkimin, Marta Kos: Habi që qëndron ende në detyrë