Rozmarina është një nga bimët më të vjetra dhe më të vlerësuara në mjekësinë natyrore, e njohur për aromën e saj të veçantë dhe për vetitë e shumta shëruese që ka ofruar ndër shekuj. Që nga kohët e lashta, ajo është përdorur jo vetëm si erëz në kuzhinë, por edhe si një aleat i fuqishëm për shëndetin e trurit dhe të gjithë organizmit. Në kultura të ndryshme, rozmarina është lidhur me përmirësimin e kujtesës, rritjen e përqendrimit dhe mbështetjen e qartësisë mendore. Në “Rreze Dielli” në Report Tv, me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja, ndalemi tek “fuqia e fshehur” e rozmarinës, si ndikon ajo në funksionin e trurit, si ndihmon në forcimin e sistemit imunitar dhe si kontribuon në pastrimin natyral të trupit.
“Emri i saj vjen nga latinishtja ros -vesë dhe marinus -det, duke përshkruar natyrën e saj të lidhur ngushtë me brigjet mesdhetare. Kjo bimë e gjelbër, e fortë dhe aromatike rritet në toka të thata, por qëndron e qëndrueshme edhe në vapën më të fortë si një simbol i qëndrueshmërisë, qartësisë dhe forcës natyrore. Rozmarina nuk është thjesht një bimë aromatike, ajo është një urë mes trupit dhe mendjes, mes kujtesës dhe natyrës. Aroma e saj zgjon një ndjesi të thellë qartësie dhe përqendrimi, duke u përdorur prej shekujsh në kultura të ndryshme si bima që ruan kujtimet”, thekson Merja në fillim të bisedës.
Rozmarina është e pasur me përbërës bioaktivë që i japin vlera të shumta, me vajra esencialë që ndihmojnë frymëmarrjen, qarkullimin dhe lehtësimin e dhimbjeve. E pasur me acid rozmarinik dhe karnozik, antioksidantë që mbrojnë qelizat nga stresi oksidativ. Gjithashtu me flavonoide që qetësojnë inflamacionin dhe mbështesin sistemin nervor si dhe terpene dhe acide natyrale që mbështesin mëlçinë, imunitetin dhe metabolizmin.
“Kjo përbërje e pasur e bën rozmarinën një nga bimët më të studiuara dhe të përdorura në fitoterapi dhe mjekësinë alternative”, nënvizon Merja.
Efektet e Rozmarinës në shëndet
Rozmarina stimulon funksionet e trurit: përmirëson kujtesën dhe përqendrimin, mbështet trurin në rast lodhjeje mendore, ndihmon në qartësinë e mendimit dhe fokusin, rrit energjinë trupore dhe lufton lodhjen.
Rozmarina ndikon në disa sisteme të organizmit: për tretjen dhe mëlçinë, nxit prodhimin e tëmthit, lehtëson fryrjen dhe spazmat, mbështet funksionin e mëlçisë së dhjamosur.
Për qarkullimin e gjakut: përmirëson qarkullimin periferik, ndihmon në rastet e duarve dhe këmbëve të ftohta, përdoret për zvogëlimin e venave të zgjeruara.
Për mushkëritë: lehtëson frymëmarrjen, ndihmon në eliminimin e sekrecioneve.
Për flokët dhe lëkurën: stimulon rritjen e flokëve, përmirëson qarkullimin e gjakut në scalp, lufton inflamacionet në skalpin e kokës dhe ndihmon në qetësimin e irritimeve të lëkurës.
Si përdoret Rozmarina
Si çaj: Në 200 ml ujë zieni 1–2 minuta 1 lugë gjelle rozmarinë. Konsumoni 1–2 gota në ditë
Përzierje bimore për qetësi: rozmarinë, mente, bar blete, borzilok dhe lule basani
Për bronket: rozmarinë dhe dafinë
Për pastrimin e mëlçisë: rozmarinë, angjinare dhe rradhiqe
Për masazh të kyçeve dhe muskujve kombinohet me vaj ulliri
Per dhimbjet reumatizmale: vaj ulliri, rozmarinë, spec djegës, kanellë, hithër
Në kozmetikë përdoret në shampo, kremra dhe vajra për flokë dhe lëkurë: rozmarinë e kombinuar me hithër.
Komente












