TIRANE-  Në tryezën me përfaqësues të biznesit kryeministri Rama deklaron se është një situatë e papranueshme monopoli i pullave fiskale dhe se shumë shpejt do të çohet në Kuvend nismën për heqjen e të gjitha gjobave nga 1 marsi i 2013, pasi ishin gjoba arbitrate.

Në tryezën përballë biznesit, e cila ka nisur në orën 11: 20 dhe ka vazhduar deri në 13: 20, Rama u shpreh se me monopolin e pullave fiskale kemi të bëjmë me një problem shumë të madh që rëndon edhe biznesin edhe buxhetin e shtetit dhe nuk sjell asnjë përmirësim.

Rama foli dhe për një studim që ministrisë e Ekonomisë po e bën dhe më pas do të çohet në Kuvend për të shpëtuar biznesin dhe lehtësuar buxhetin sa i takon pullave fiskalë.

Për kryeministrin ka marrë fund koha e tallavasë si nga qeveria dhe nga biznesi.

"Ne për veten tonë jemi të vendosur e përditë bëjmë atë që mundemi që t’i ikim sa më larg tallavasë me koncesionet, kreditë, borxhet, superfuqitë e energjisë, turizmit etj. Ne nuk do ët lejojmë tallavanë me bilancet.”- tha Rama duke shpjeguar se qeveria nuk mund të merrte masa lehtësuese për fasonët jashtë marrëveshjes së FMN dhe se në pranverë do të dilet me një paketë të posaçme për fasonët.

Ai deklaroi se është ngritur sekretariati i Këshillit Ekonomik Kombëtar, i cili do të marrë e trajtojë të gjitha problemet, ankesat dhe kërkesat e biznesit.

PULLAT FISKALE,  SITUATE E PAPRANUESHME, DO SHPETOJME BIZNESIN NGA KY MONOPOL
"Koncensioni i  pullave fiskale është një problem shumë i madh pasi nuk ka garantuar asnjë lloj ndryshimi cilësor të këtij shërbimi. Nuk ka sjellë asnjë lloj investimi të konsiderueshëm dhe përmirësimi teknologjik të lavdërueshëm të quhet i besueshëm. Pasoja është që i merr arkës së shtetit një sasi parash që është e paarsyeshme duke rënduar edhe biznesin edhe buxhetin e shtetit dhe nuk sjell asnjë përmirësim. Është një situatë e papranueshme. Ministria e Ekonomisë është në fund të studimit dhe shumë shpejt qasja e zgjedhur do jetë publike dhe ne do e çojmë në Kuvend për të shpëtuar biznesin nga ky monopol dhe për të lehtësuar buxhetin."- tha Rama.

RAMA: SE SHPEJTI LIGJI PER HEQJEN E GJOBAVE NGA 1 MARSI 2013, ISHIN ARBITRARE
“Nuk do rrisimin taksat dhe ne nuk kemi taksë progresive për më tepër tek ju. 15 % është i barabartë për të gjithë biznesin e madh. Është një taksë minimale nëse bashkarisht nëse ne do të ulim së bashku taksën e korrupsionit, arbitraritetit. Shumë shpejt do çojmë në Kuvend heqjen e të gjitha gjobave nga 1 marsi i 2013 pasi ishin gjoba arbitrate, që të marrim çtë marrim sepse po ikim. Taksat janë më të ulëta se në BE”, - deklaroi kryeministri.

DO RISHIKOHEN TË GJITHA KONCENSIONET
“Nuk kemi qenë asnjëherë kundër koncesioneve por kemi qenë kundër kthimit të kësaj praktike për tu dhënë priviligje disave në kurriz të konkurencës. Anullimi i praktikave që është në kundërshtim të ligjit. Çdo koncesion kërkon analizë dhe vendimarrje mbi ligjin.”- tha Rama.

RAMA: BORXHET S’U MBLODHEN PER NJE MUAJ, S’MUND TE SHLYHEN PER NJE MUAJ
“Borxhet nuk janë mbledhur për një muaj dhe nuk mund të shlyhen për një muaj, nuk janë mbledhur për një vit e të shlyhen për një vit, por do të shlyhen. Do të ngrihet një institucion, komision i veccantë që të ndjekë këtë praktikë dhe kush ka shpenzuar do marrë atë që i takon."- tha Rama.

RAMA: KA PËRFUNDUAR KOHA E TALLAVASË ME BILANCET E KOMPANIVE
"Informaliteti është këtu mes nesh dhe ato dy bilancet apo tre bilancet i bëni ju apo jo dhe ato hendeqet që i tregoni bankave dhe shtetit nuk krijohen nga ata ekstremistët në Europë po ju. Koha e tallavasë me financat ka mbaruar. E tallavasë si nga qeveria si nga biznesi. Kohën e re nuk mund ta sjellim menjëherë por duhet të punojmë muaj pas muaji. Ne për veten tonë jemi të vendosur e përditë bëjmë atë që mundemi që t’i ikim sa më larg tallavasë me koncesionet, kreditë, borxhet, superfuqitë e energjisë, turizmit etj. Ne nuk do ët lejojmë tallavanë me bilancet.”- tha Rama.

FASONËT, RAMA: NUK DILNIM DOT NGA MARRËVESHJA E FMN, NË PRANVERË PAKETA LEHTËSUESE
Pyetja e Lindita Legisi, prodhuesit e vjeshjeve. A mendoni se duhet të ketë një paket për politikat lehtësuese për fasonët dhe kur?
Rama: Kjo është një ndër pikat themelore të programit dhe të projektit tonë për punësimin dhe stimulimin e të gjithë aktiviteteve që sjellin punësim dhe investime të mëtejshme. Jeni njohur me marrëveshjen që kemi bërë me FMN-në, jemi në një program të ri që është shprehje e vullnetit tonë për të kthyer ekonominë dhe financat e vendit në binarët e një stabiliteti të qëndrueshëm ekonomik dhe drejt një modeli të ri zhvillimi.
 
Në kushtet kur kjo marrëveshje u diskutua, qeveria ishte e detyruar të respektonte pikë për pikë, të marrjes përsipër të borxheve që deri dje as nuk regjistroheshin si pjesë e borxhit publik dhe marrjes përsipër të shlyerjes së tyre. Do të ishte e tepër që të kërkohej nga qeveria që të shkohej më tutje për masa lehtësuese jashtë marrëveshjes. Ne kemi disa synime shumë të qarta që i pari është në lidhje me pyetjen tuaj: Që ne të lehtësojmë sa më shumë çdo aktivitet që lehtëson punën tuaj dhe brenda pranverës do të dalim me një paketë të posaçme që do të lehtësojë ata që janë në këtë aktivitet dhe do të thithë më shumë investime. Me qeverinë italiane përmes ambasadës dhe me dhomat italiane të tregtisë kemi nisur një proces komunikimi që të vijnë investime të tjera, duke nisur nga fasonët dhe kjo është një arsye për të qenë të gatshëm për këtë paketë.

TEMA TE TJERA QE U DISKUTUAN NE BASHKEBISEDIM

MASA LEHTESUESE PER NXITJEN E BIZNESIT PRODHUES

"Paralelisht për punën që po bëhet për fasonët ku ka nevojë jo vetëm për të lehtësuar sektorin siç është por për ti dhënë mundësi sektorit që ta lehtësojë këtu brenda pasi ka segmente të sektorit që ta çojnë deri në fund procesin ne po punojmë për të krijuar masa lehtësuese për nxitjen e bizneseve prodhuese. Bumi i ndërtimeve dhe dërgesat e emigrantëve kanë rënë dhe ne do fokusohemi tek investimet prodhuese dhe ne po punojmë pasi jo të gjitha lidhen tek taksat. Mund të kesh taksat më të ulëta në botë dhe nuk ke investime nëse nuk ke administratën, forcën e punës, titujt e pronësisë, një sistem drejtësie, e të gjitha këto në funksion të biznesit. “

RAMA: NA DUHET NDIHMA JUAJ TE LUFTOJME KORRUPSIONIN
“Nuk mund ta bëjmë dot vetëm luftën ndaj korrupsionit në fushën e doganave apo tatimeve. E nga ju kërkojmë që të na vini në dijeni neve e të mos keni frikë që të nesërmen do ju vijë një gjobë, por do ju vijë një falenderim. Ata që janë mësuar që ti shkojnë sipërmarrjes te dera me urdhër të atij lart, duhet të kuptojë që ju jeni lart dhe piramida e pushtetit ekzekutiv në të gjithë lartësinë e vet është e hapur për ju.”- tha Rama.

PLANI I PERGJITHSHEM KOMBETAR I DOMOSDOSHEM, BRENDA DY VITEVE DRAFTI I PARË
Pyetja: A do të kemi një hartim të planit kombëtar që ndërtimi informal t’ia lëjë vendin ndërtimit formal?

Rama: "Koha e bumit të ndërtimit në Shqipëri dhe ndikimi i ndërtimit në rritjen ekonomike ka kaluar. Kemi nevojë për formalizim të plotë të sektorit, por edhe për investime që të kenë një cilësi të re. Kemi shumë pak investime në ndërtim që mund të konsiderohen të standardeve të BE. Plani i përgjithshëm kombëtar është i domosdoshëm. Ritmet e planit sado të shpejta të jenë kërkojnë kohën e tyre, pasi në një vend si i yni vetëm mbledhja e informacionit është problem më vete. Duhet një kohë e detyrueshme por objektivi ynë është që brenda dy viteve të kemi draftin e parë. Kjo nuk do të thotë që të mos ketë ndërtime, apo të jetë i bërë nga e para, pasi në Shqipëri ka plane në fusha të ndryshme, të ndërtimit, energjisë, etj. Por të gjitha këto plane kërkojnë analizë dhe një integrim mes tyre. Nga njëra anë nuk e nisim nga zeroja por duhet të bëjmë një punë nga themelet.”

TURIZMI, DO FORMALIZOJMË SEKTORIN E HOTELERISË
“Për turizmin ndajmë kënaqësinë së bashku që Shqipëria u konsiderua si një prej pikave kryesore të referimit nga Nju Jork Times që e kishte rënditur të 4-rt. Nuk mund ta fsheh kënaqësinë që prishja e ndërtimeve në bregun e Jonit ishin arsyeja se pse vëmendja u tërhoq ndaj Shqipërisë dhe siç shkruante NYT, ishte një arsye për t’iu referuar vendit tonë. Ne e kemi thënë që zotimet tona janë marrë dhe do të mbahen përgjatë një mandati prej 4 vitesh. Në rastin konkret ka qenë pjesë e debatit dhe diskutimeve me FMN e BB. Ne kemi dashur ta bëjmë si një përjashtim nga pjesët e tjera. TVSH nga turizmi që mbledh qeveria është shumë e ulët pasi është një sektor informal. Në kohën që kemi përpara ne do e krijojmë këtë mundësi por paralelisht me këtë duhet që ta formalizojmë sektorin e hotelerisë. Na rezulton që në një hotel punon 1 njeri e gjysëm. Pra punonjësit e formalizuar në sektorin e hotelerisë do na rezultonin aq sa janë hotelet e 50 % më shumë. Duhet ta formalizojmë këtë sektor që edhe stimuli i qeverisë të jetë më i madh. Ministria e Mirëqënies Sociale është e vendosur që t’i regjistrojë punonjësit. ”

RAMA: DY ABUZUESIT ME TE MEDHENJ TE ENERGJISE JANE SHTETI E BIZNESI
“Dy abuzimet më të mëdhej me energjinë janë shteti dhe biznesi dhe nuk janë konsumatorët e varfër që nuk kanë mundësi ta paguajnë. Gropa më e zezë e humbjeve dhe e vjedhjeve të energjisë është në autostradën Tiranë-Durrës dhe gropat më të mëdha janë aty ku ka shtet dhe biznes dhe nuk do të ketë asnjë institucion që të mos paguajë energjinë apo të tolerohet. Çdo institucion pjesë të përgjegjësisë së vet do të ketë përgjegjësi edhe energjinë e harxhuar. Ne jemi të detyruar të godasin shumë fort çdo vjedhës të energjisë për qëllim fitimi. Çdo kush që vjedh energjinë për këtë qëllim do të ketë vetëm një destinacion. Fabrika që harxhojnë sa një familje s’mund të ketë. Çdo konsumator të paguajë aq sa harxhon. Nëse ju kujtohet ndonjëri që e bën këtë punë të marrë masa, pasi nëse do kapet do ballafaqohet me ligjin dhe nuk do të ketë tolerancë. Duhet të parandalojmë humbjet nga vjedhjet.”

TE MENDOJME SI TE HEQIM APARTAMENTET STOK
Pyetja e Ilir Kukelit, shoqata e ndërtuesve: Reforma rregullatore në këtë 8 vite për lejet e licencat, jo vetëm për qeverinë por dhe bashkinë është shumë e ngarkuar. Si do e riaktivizoni ndërtimin?
Rama: "Të mos flasim për shifra, pasi pallatet janë bërë sa të duash. Pyetja duhet të jetë jo si të ndërtojmë pallate të reja, por si ta heqim këtë stok, në bashkëpunim me bankat dhe se si mund ti heqim këto mijëra apartamente që kanë mbetur stok. Nevoja për apartamente në qytetet e mëdha është ezauruar. Në Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë janë të gjitha bosh. Koha e marrjes së një leje nuk është e gjatë, por procedurat janë shumë të gjata."

KUR TE SHLYEJME BORXHET DO FILLOJME TE MARRIM FRYME 
Ne kemi një sistem bankar solid, që nuk ka mungesë parashë, përkundrazi fatkeqësisht jemi në një periudhë që trashëgojmë tek bankat që ka lidhje me zinxhirin e bllokuar të ekonomisë për shkak të borxheve që folëm dhe të bllokimit të kreditimit dhe kompanitë e infrastrukturës do të fillojnë të marrin frymë pas shlyerjes së borxheve që do të sjellë faktin që edhe bankat të japin para sepse do të ulen edhe kreditë e këqija. Përmes marrëdhënieve shumë të qarta, përmes mbikqyerjes së vetë Bankës së Shqipërisë në tërësi sektori është solid. Ne duhet të gjejmë rrugët e stimulimit të ekonomisë, të sipërmarrjeve dhe bankave. 1.1 miliardë që hyjnë në ekonomi këtë vit do të jetë një stimul shumë i madh për ekonominë. Në kuadrin e punës që po bën Ministria e Ekonimisë, kemi një kantier të tërë për klimën e biznesit. Flasim për taksat, por bëjmë gabimin e madh që përqendrohemi në një pikë të vetme, por ka të tjera problemeve. Ndryshimi 74 herë fiks në 8 vite i rregullave në sistemin fiskal, është një paparashikueshmëri dhe këto janë probleme që duhet të zgjidhen bashkarisht. 
Ne duam që e gjithë sipërmarrja të marrë pjesë në konkursin se cila është procedurat më idiote që janë gjetur dhe 10 të parat që do ti anullojmë. Ne duam të dimë se kush është procedura që ju nuk keni dëshirë ta shikoni më.”

BIZNESI I VOGEL,DUAM TE STIMULOJME PUNESIMIN E VETEPUNESIMIN
“ Ne kemi bërë një ulje të madhe të barrës. Kemi hequr taksën e biznesit të vogël, kemi ulur me 25 % tatim-fitimin e objektivi ynë do shkojë dhe më tutje, por kjo nga perfomanca e administratës që mund të sjellë një tjetër ulje. Ajo që dua të theksoj është se ne duam të stimulojmë punësimin dhe vetëpunësimin. Ne nuk duam që të hapim shkolla profesionale ku nuk ka praktikë. Ne duam të ndërtojmë shkolla profesionale të lidhura me biznesin. Ne nuk kemi forca të kualifikuara për këto investime që bëhen në energji, turizëm, miniera etj. Duam që të ndërtojmë një rrjet shkollash profesionale dhe ai që shkon në shkolla profesionale ti shërbejë kompanisë dhe shtetit. Ai që shkon në shkollë profesionale të shkojë 2-3 ditë në një kompani ku të marrë dhe para dhe të kuptojë që profesioni që ai po bën do i japë para dhe që nesër mund të hapë një biznes të vetin. Nevojat për punë që ka çdo kompani të publikohen dhe çdo kush që kërkon punë të shkojë të kërkojë punë nëpërmjet bazës online. Duhet një organizim për të bërë të mundur që çfarë ju keni mundësi të jepni si zanat të jepet përmes një trajnimi profesional që financohet nga shteti por që kush të trajnohet aty të vijë në atë sektor.”

PORTAL ONLINE ENKAS PER SIPERMARRESIT
Rama foli për ngritjen e një portal online enkas për sipërmarrësit përmes të cilit ata do të njihen me nismat ekonomike para se ato të kalojnë në qeveri

“Është ngritur një portal online enkas për sipërmarrjen, nëpërmjet të cilit biznesi do të njihet me nismat ekonomike para se këto nisma të shkojnë tek Këshilli Ekonomik, për të dhënë mendime dhe për të dhënë opinionet pro dhe kundër nismave, që më pas do të kalojmë në qeveri.” 

Portali do të jetë edhe për informimin në kohë reale për çdo biznes, për tatimet, doganat etj. “Kjo është një përpjekje për të ngritur një nivel të ri qasjeje dhe sjelljeje të administratës doganore e tatimore.”- tha Rama

NGRIHET KESHILLI EKONOMIK KOMBETAR
Gjatë fjalës së tij, Rama ka prezantuar edhe sekretarin e këtij Këshilli, avokat Boga të cilin kryeministri e falenderoi pasi ka pranuar që të kontribuojë në marrëdhëniet me biznesin.
"Arsyeja pse ne e kemi ngritur sekretariatin e Këshillit Kombëtar është që të kemi një urë lidhëse direkte me sipërmarrësin dhe ky i fundit kur të përballet me një sjellje të padenjë të ketë mundësi që  kwtw ndjesi të padenjë t’ia përcjellë qeverisë e të ja lejë përgjegjësinë qeverisë e nëse kjo e fundit nuk reagon i mbetet turpi asaj. Nëse këto raste bëhen të përsëritura dhe nëse ju këmbëngulni që të bëhen publike kjo do të ndodhë. "- tha Rama.

Redaksia online
(sg/ac/shqiptarja.com)