Në kulmin e krizës së çmimeve, ku karburanti është në pragun e 200 lekëve për litër, koncesionari i kontrollit të pompave Noa Control ka kërkuar rritje të tarifës për shërbimin që kryen.  Kjo kërkesë po vlerësohet nga ministria e Financave, edhe pse në rast se miratimit, kostot për konsumatorët do të rriten në mënyrë të papërballueshme.

“Kemi një kontratë koncesionare që i jep të drejtën koncesionarit të kërkojë rishikim të tarifave nëse ka baza për të vlerësuar se kushtet kanë ndryshuar dhe tarifat duhen rishikuar. Koncesionare ka bërë një kërkesë, ministria e Financave dhe Ekonomisë në zbatim të kontratës, ka ngritur një pune që po vlerëson nëse jemi në kushtet e ndryshimit të tarifave dhe grupi teknik ende nuk ka dalë me një rezultat. Nuk ka asnjë nismë tonën, për ndryshimin apo dyfishimin e tarifave dhe grupi do dalë në një rezultat, me gjithë profesionalizmit pasi këto tarifa mund të kenë ndikim tek çmimi i karburanteve sidomos në këtë moment kur çmimet e karburanteve janë në nivelet më të larta historike”, tha ministrja e financave Delina Ibrahimaj në konferencë për shtyp.

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj nuk bëri të ditura argumentet e privatit për këtë kërkesë, dhe as shifrën se sa kërkohet rritja e tarifës. Aktualisht tarifa e kontrollit të pompave në pikat e karburanteve është 14,400 lekë me TVSH në vit për çdo pompë, pasi ndryshe nga sa ndodhte kur shërbimi ofrohej nga metrologjia që e bënte kontrollin një herë në vit, me marrjen e kompetencave nga privati, kontrolli bëhet dy herë në vit me nga 7200 lekë për çdo pompë. Në Shqipëri janë rreth 25 mijë pompa karburanti, dhe rritja e tarifës do të sillte shtim të kostove për qytetarët, me të paktën 3 milionë euro në vit.

Ministrja Ibrahimaj foli edhe për rritjen e çmimeve në përgjithësi për të cilat tha se pritet një stabilizim i çmimeve nga gjysma e dytë e vitit 2022.

“Pritshmëritë janë që në gjysmën e dytë të këtij viti çmimet të stabilizohen. Çmimi i naftës në vend është rritur nga mospërputhja në tregjet ndërkombëtare mes kërkesës së shtuar dhe ofertës së limituar. Çmimi i gazit u rrit me ardhjen e dimrit, gjë që solli dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në vijim, të gjithë parashikimet ndërkombëtare, parashikojnë uljen graduale të çmimit të naftës dhe gazit, duke filluar nga 6-mujori i dytë i këtij viti”, tha ministrja. 

Ibrahimaj tha gjithashtu se kanë mbetur edhe pak ditë dhe Ministria do të nisë kontrollet në terren në lidhje me informalitetin e pagave të punonjësve, ashtu siç ishte paralajmëruar më parë

“Në fund të këtij muaji nisin kontrollet në terren në lidhje me informalitetin e pagave. Kontrollet do të realizohen nga inspektorati i punës për të evidentuar shkeljet e mundshme” tha Ibrahimaj, duke nënvizuar se deri tani ka pasur një reflektim në këtë drejtim. 

Ministrja tha se shifrat e ekonomisë janë shumë premtuese. Sipas saj Shqipëria ka pasur një rikthim ekonomik më të fortë se vendet e rajonit.

“Kjo ka qenë një politikë e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të dhënë efekt në rritjen ekonomike. Edhe janari i këtij viti ka të dhëna shumë premtuese. Të ardhurat e janarit janë rritur me 29% në krahasim me janarin e 2021. Kjo është një shenjë që konsumi vijon të rritet. Këto shifra që punësimi ka ardhur në rritje, por edhe formalizimi i ekonomisë ka ardhur në rritje. Dua të theksoj këtu reformat e qeverisë, duke u ndalur te reforma e fiskalizimit. Sipas të dhënave, 89% e biznesit të madh ka filluar procesin e fiskalizimit. Bizneset që kanë përfunduar procesin e fiskalizimit janë mbi 72 mijë. Sipas të dhënave, Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike më të lartë se vendet e rajonit. Shqipëria ka pasur një rikthim ekonomik më të fortë krahasuar me të gjithë vendet e rajonit”, tha ndër të tjera Ibrahimaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:43
Shoqata e Transportit ka paralajmëruar ndërprerje të shërbimit, reagon ministrja e Financave: Do të ketë një vendimarrje

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një komunikimi me gazetarët tha se do të ulen në në tryezën e diskutimi me Shoqatën e Transportit, e cila ka paralajmëruar ndërprerje të shërbimit nga 1 Marsi, për shkak të rritjes së çmimit të naftës.

Ibrahimaj u shpreh se rritja e çmimit të naftës është tranzitore dhe jo e qëndrueshme, ministrja theksoi se mund të ketë dhe një vendimmarrje lidhur me kërkesat e Shoqatës së Transportit, duke qenë se sipas saj, ka qenë ndër sektorët më të goditur nga pandemia.

“Do t’i marrim në shqyrtim kërkesat e shoqatës së transportuesve. Ne mendojmë e besojmë se rritja e çmimeve do të jetë tranzitore, por jo e qëndrueshme. Nuk mund të ndërhyjmë në nisma për efekt të luhatjes së çmimeve, që kanë ndodhur dhe më parë e do të ndodhin dhe në të ardhmen. Për sektorë të veçantë mund të diskutojmë mbi efektet që këto sektorë kanë nga rritja e çmimeve. Patjetër që do të kemi tryeza konsultative me sektorin përkatës, për të diskutuar mbi ecurinë e tyre, mbase dhe për të marrë një vendimmarrje. Sektori i transportit ka qenë i goditur fort nga pandemia. Çmimet e transportit kanë reflektuar goditjen që sektori ka pasur. Ministria e Financave ka mbajtur një qëndrim mbështetës, e ka stimuluar sektorin, duke e nxitur në mënyrë që të mos vuajë pasojat e krizave. Ne presim që çmimet të jenë kalimtare dhe jo të qëndrueshme”, theksoi ministrja Ibrahimaj.