Ish-ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme dhe deputetja Elisa Spiropali, ka dënuar deklaratën e ministrës serbe për Administratën Publike dhe Vetëqeverisjen Lokale, Snezhana Pnaunoviç, e cila gjatë një interviste tha se nëse do të kishte mundësi do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Përmes rrjeteve sociale, Spiropali shkruan se deklarata e ministres serbe nuk është mendim politik, por barbarizëm.

"E pabesueshme të dëgjosh nga një ministre e një qeverie të një vendi që aspiron integrimin europian të shprehë pa asnjë drojë keqardhjen se në Kosovë nuk u vranë mjaftueshëm fëmijë, gra, burra e të moshuar.

Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet.

Ky nuk është mendim politik.

Ky është barbarizëm verbal.

Europa nuk mund ta dëgjojë këtë gjuhë dhe të heshtë. Kush justifikon ose shpreh keqardhje për krime që nuk u kryen në përmasa edhe më të mëdha, nuk mund të jetë partner i vlerave europiane, duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale, por më së shumti humane.

Kosovës nuk ia fali kush Lirinë. Kosova Lirinë e fitoi me gjak. Është në nderin dhe detyrën e Europës të mbrojë kujtesën e viktimave, që përbën themelin e parimeve mbi të cilat është ndërtuar.

Nëse Serbia rrugën drejt Bashkimit Europian e ka seriozisht, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj këtij makabriteti verbal që, më së paku, e turpëron, më së shumti ia rrezikon bashkëjetesën paqësore me fqinjët",- shkruan Spiropali.


Lajmi kryesor:

‘Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën’/ Shqipëria dhe BE dënojnë deklaratën skandaloze të ministres serbe: E papranueshme! Hoxha: Pajtimi nuk ndërtohet mbi mohimin e krimeve