E papranueshme është cilësuar nga Shqipëria dhe Bashkimi Europian deklarata e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ,shkruan se kjo deklaratë është fyese për viktimat e luftës dhe se se normalizimi i krimeve kundër njerëzimit minon pajtimin dhe se e ardhmja evropiane e rajonit mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe respektin për viktimat.

"Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës",- thuhet në reagimin e Hoxhës.

Po ashtu, edhe Bashkimi Evropian dënoi deklaratën e ministres serbe. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.

“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.

Sipas saj, ato bien ndesh edhe me zotimet që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, shtoi Hipper.

Paunoviç deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Millosheviçit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”, deklaratë që nxiti reagime dhe dënime edhe në Kosovë.

Millosheviç ishte president i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte.

“Kjo është deklarata më e ashpër që kam bërë ndonjëherë në jetën time”, tha Paunoviç.

Ajo tha se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.

Në një reagim të publikuar më 14 korrik, Paunoviç tha se nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë - pjesë e së cilës është që nga viti 1992.

“Ne jemi partia që e udhëhoqi Serbinë në rrethana jashtëzakonisht të vështira historike, partia që bëri sakrifica të mëdha - emri i së cilës është përmendur më së shumti në Hagë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Paunoviç është nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 2024.

Kryetari i kësaj partie, Ivica Daçiç, njëherësh ministër i Brendshëm i Serbisë, i cilësoi si “të turpshme dhe hipokrite” kritikat ndaj ministres.

Ai tha se ata që e akuzojnë Paunoviçin se “ka bërë thirrje për spastrim etnik”, prej disa vitesh, “heshtin për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”.

Zyrtarët serbë akuzojnë shpesh autoritetet e Kosovës për dëbimin e serbëve, por pa paraqitur prova që do t'i mbështesnin këto pretendime.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Mijëra trupa u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi.

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i cilësoi drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, nga marsi deri në qershor të vitit 1999.

Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.

Ish-gjenerali i Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviç, si komandant i Armatës së Tretë, u dënua nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg për dëbime, zhvendosje me forcë, vrasje dhe përndjekje të civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë gjysmës së parë të vitit 1999.

Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniç, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviç, gjenerali i policisë Sreten Llukiç dhe ish-zëvendëskryeministri i RFJ-së, Nikolla Shainoviç.

I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviç, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviç, u shpall i pafajshëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:08
'Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën', Majko reagon pas deklaratës së ministres serbe: Sinqeriteti i saj është peshë mbi qeverinë e Beogradit

1784034807_90001721997888xdeputetisocialistpandelimajko116.jpg

Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-deputeti Pandeli Majko, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh se, nëse do të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Majko u shpreh se deklarata e ministres serbe nuk duhet të shkaktojë habi, duke e cilësuar atë si një tregues të vazhdimësisë së një qasjeje politike që, sipas tij, ende ekziston në struktura të politikës dhe shtetit serb.

“Janë kujtimet ato që na përcaktojnë! Ndaj askush nuk ka pse të ndihet shumë i ‘çuditur’ nga deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç”, shkruan Majko.

Sipas tij, një deklaratë e tillë publike nga një zyrtare e lartë përbën një barrë për qeverinë serbe në përpjekjet e saj për integrimin europian.

“Kjo deklaratë publike (e një ministreje), është ndërkaq, një ‘peshë’ mbi qeverinë serbe e cila kërkon integrimin europian!”, shprehet ish-kryeministri.

Ministrja serbe Snezhana Paunoviç, ka deklaruar se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviçit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”.

Janë kujtimet ato që na përcaktojnë! Ndaj askush nuk ka pse të ndihet shumë i “çuditur” nga deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç! Kjo deklaratë publike (e një ministreje), është ndërkaq, një “peshë” mbi qeverinë serbe e cila kërkon integrimin europian!

Kujtimi i një lufte të humbur e bën paqen frustruese! Ministrja serbe ka shprehur me “sinqeritet” atë vullnet kolektiv i cili, për fat të keq, ekziston ende brenda strukturave të politikës dhe shtetit serb!

Sinqeriteti publik i ministres Snezhana Paunoviç nuk është vetëm “guxim”, por edhe vazhdimësi e një politike të një njeriu si Sllobodan Millosheviç, të burgosur në Hagë për krime lufte!

… Sot, në Hagë po gjykohen edhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Nëse Sllobodan Millosheviçi do ta realizonte atë që dëshiron publikisht, ministrja serbe Snezhana Paunoviç, të akuzuarit nuk kishin pse gjykoheshin, sot në Hagë! Ata, sot, nuk do të ishin të gjallë!…

Vetëdija e “fajësisë” për një krim të “papërfunduar” në kohë paqe, është po aq i rëndë sa një krim i kryer në kohë lufte",- shkruan Majko,

Ora 14:45
Ministrja serbe tha se do bënte spastrim etnik në Kosovë në 1999, Ferit Hoxha: Fyerje për viktimat e luftës, pajtimi nuk ndërtohet mbi mohimin e krimeve

Ministri i Punëve të Jashtme Ferit Hoxha ka reaguar pas deklaratës së ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, e cila në një intervistë tha se po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Milosheviç, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".

Hoxha shkruan se kjo deklaratë është fyese për viktimat e luftës dhe se se normalizimi i krimeve kundër njerëzimit minon pajtimin dhe se e ardhmja evropiane e rajonit mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe respektin për viktimat.

Reagimi i plotë:

Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës.

Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e sotme. Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagë që ende nuk janë shëruar.

Askush nuk mund të ndërtojë besim duke rikthyer hijet më të errëta të së kaluarës, aq më pak duke lartësuar politika dhe figura që mbajnë përgjegjësi për tragjedi, vuajtje dhe krime që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e rajonit tonë siç është "kasapi i Ballkanit".

Procesi i normalizimit dhe i pajtimit, për të cilin Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni ynë kanë aq shumë nevojë, kërkon para së gjithash përgjegjësi, reflektim dhe guxim për t’u përballur me të kaluarën.

Ai nuk mund të ndërtohet kurrë mbi deklarata që justifikojnë apo lartësojnë politikat që sollën aq shumë dhimbje e shkatërrim, por vetëm e vetëm mbi të vërtetën, respektin për viktimat dhe angazhimin e sinqertë për një të ardhme të përbashkët evropiane.