Në 24 orët e fundit, Selaniku është përfshirë nga protesta të dhunshme të organizuara nga komuniteti Rom në Greqi për plagosjen e rëndë të një 16 vjeçari pas ndjekjes nga ana e policisë greke. Ngjarja ndodhi në Diavata të Selanikut në momentin që i mituri kishte mbushur me naftë mjetin e tij por ishte larguar pa paguar 20 euro.
Protestat e komunitetit rom janë përshkallëzuar në 24 orët e fundit, duke shkatërruar edhe biznese dhe duke dhunuar qytetarë të cilët nuk kanë lidhje me rastin e rëndë të ndodhur. Një prej shoferëve që ka qenë duke qarkulluar në rrugën ku po mbahej protesta, është dhunuar nga protestuesit të cilët më pas i kanë djegur edhe furgonin e punës.
Sipas mediave greke, kushërinjtë e 16 vjeçarit të plagosur bënë deklaratën e fortë duke thënë: Do ta marrim ligjin në dorë. Polici i cili qëlloi me armë zjarri të miturin kërkoi falje në gjykatë duke deklaruar se nuk e kishte në plan ta qëllonte por ta detyronte që të të mos arratisej. Ditën e djeshme u raportua se rreth 10 policë grekë janë plagosur nga përplasjet e dhunshme me protestuesit e komunitetit rom. Efektivët janë detyruar të përdorin edhe gaz lotsjellës për të mundësuar shpërndarjen e turmave.