Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, ka premtuar se do të ndryshojë Kushtetutën për të larguar nga detyra shumicën e zyrtarëve të emëruar nga paraardhësi i tij Viktor Orbán, përfshirë edhe Presidentin e vendit, Tamás Sulyok.
Magyar deklaroi të hënën se presidenti nuk është i denjë për postin që mban dhe e akuzoi se ka zbatuar agjendën politike të Orbánit gjatë viteve të fundit.
Sulyok, i cili ndodhet në krye të shtetit që nga viti 2024, ka refuzuar kërkesën e kryeministrit për të dhënë dorëheqjen deri në fund të muajit maj.
“Hungaria nuk i përket Tamás Sulyok dhe as Viktor Orbánit. Ne do të ndryshojmë Kushtetutën dhe do të rikthejmë shtetin e së drejtës dhe demokracinë hungareze”, tha Magyar para gazetarëve.
Presidenti hungarez, i cili ka formim si jurist kushtetues, është zotuar se do të kundërshtojë çdo përpjekje për largimin e tij nga posti. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se do t’i kërkojë Komisionit të Venecias, organit këshillimor të Këshillit të Europës për çështjet kushtetuese, të japë një opinion mbi këtë çështje.
Megjithatë, Sulyok tha se do të bashkëpunojë me qeverinë e re, përfshirë edhe nënshkrimin e ligjeve të nevojshme për përmbushjen e kushteve të Bashkimit Europian, pas marrëveshjes së arritur javën e kaluar për zhbllokimin e më shumë se 16 miliardë eurove fonde të ngrira për shkak të shqetësimeve mbi shtetin e së drejtës gjatë qeverisjes së Orbánit.
“Presidenti e ushtron mandatin e tij sipas Kushtetutës. Është e qartë se ekziston një vullnet i ri politik për të riinterpretuar funksionin e presidentit”, deklaroi ai.
Sipas Sulyok, kërkesat për dorëheqjen e tij janë “politikisht të motivuara” dhe për këtë arsye “kushtetutshmërisht të parëndësishme”, ndërsa mund të shkaktojnë probleme shqetësuese për vendin.
Presidenti shtoi se nuk ka arsye për të menduar se ai do të pengojë apo bllokojë punën e parlamentit të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Edhe pse posti i presidentit në Hungari ka kryesisht rol ceremonial, kreu i shtetit mund të refuzojë nënshkrimin e ligjeve dhe t’i dërgojë ato për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Një veprim i tillë mund të vonojë hyrjen në fuqi të legjislacionit, por jo ta bllokojë atë plotësisht.
Magyar, partia konservatore Tisza e të cilit gëzon shumicë të cilësuar në parlament, ka kërkuar gjithashtu dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve të tjera të rëndësishme shtetërore. Mes tyre është edhe kreu i Gjykatës Kushtetuese, Péter Polt, të cilin e konsideron besnik të Orbánit, si dhe drejtuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe autoritetit rregullator të medias.
Përjashtim nga lista e zyrtarëve të vënë në shënjestër nga qeveria e re është guvernatori i Bankës Qendrore, Mihály Varga. Magyar ka deklaruar se ai duhet të mbetet në detyrë, pasi pavarësia e bankës qendrore është “e shenjtë”.
Të hënën, kryeministri dhe guvernatori zhvilluan takimin e tyre të parë për të diskutuar gjendjen e ekonomisë hungareze.
Komente







