Banorët e Orikut dhe Dukatit kanë protestuar sot në zonën e plazhit të Orikumit, duke kundërshtuar ndërtimet që sipas tyre u rrezikohen pronat.

Gjatë protestës, ata kanë paralajmëruar përshkallëzim të situatës, duke kujtuar edhe përplasjet e vitit 2009. “Do të rikthehen protestat e vitit 2009, kur e kemi përzënë policinë me gurë”, ka qenë apeli i  tyre të cilët kundërshtojnë ndërhyrjet në tokat që pretendojnë se u përkasin.

Në qendër të konfliktit janë rreth 700 hektarë tokë në zonën bregdetare të Orikumit. Banorët pretendojnë se janë pronarë të këtyre sipërfaqeve, të përfituara përmes ligjit 7501, ndërsa kundërshtojnë pretendimet e personave që synojnë të ndërtojnë në zonë.

Gjatë protestës, ata kanë bllokuar për disa momente rrugën e plazhit të Orikumit, duke kërkuar respektimin e të drejtave të pronësisë. Sipas protestuesve, një ditë më parë në zonë kanë mbërritur persona që synonin të nisnin ndërtimet në tokat që ata pretendojnë se u përkasin.

Ato paralajmërojnë se nuk do të lejojnë hyrjen e fadromave apo mjeteve të tjera për nisjen e ndërtimeve në tokat që pretendojnë se janë të tyre.

Ndërkohë, mbetet për t’u sqaruar ligjërisht pronësia mbi këto sipërfaqe teksa paralajmërojnë se do të vijojnë të kundërshtojnë çdo ndërhyrje që sipas tyre u cënojnë të drejtat.