Konfidencialiteti i burimeve është një themel i profesionit të gazetarit, i mbrojtur edhe me ligj nga shumë sisteme juridike (në Itali është i tillë); megjithatë administrata Trump në vitin 2025 ka hequr një normë që i përjashtonte gazetarët nga dëshmia në procese mbi rrjedhje informacioni, dhe në konferencën e tij për shtyp të së hënës Donald Trump ka treguar një objektiv të parë të mundshëm të normës së re.
Një media, që Trump nuk e specifikoi, do të “detyrohet”, tha ai, të zbulojë burimin anonim që ka dhënë lajmin për aviatorin e zhdukur në Iran, më pas i shpëtuar. Nuk është e qartë për cilën gazetë bëhet fjalë: janë të shumta mediat që e kanë dhënë lajmin. Por «po kërkojmë me të gjitha mjetet të gjejmë autorin e rrjedhjes së informacionit. Nuk dihej që kishte një ushtarak të zhdukur derisa ky lajm doli. Prandaj kushdo që të ketë qenë do ta gjejmë: sepse do të shkojmë te media që e ka dhënë lajmin dhe do t’i themi “siguri kombëtare, na jepni këtë person ose shkoni në burg”». Një hetim, tha ai, është në zhvillim. Irani, sipas Trump, ka mësuar pikërisht nga mediat për zhdukjen e kolonelit, dhe kjo e ka komplikuar shpëtimin.
Burimi anonim, për Trump, është «një i sëmurë, që ndoshta nuk e ka kuptuar deri në ç’pikë është sjellë keq». Por nëse nuk do të thuhet se kush është, «gazetari që ka shkruar këtë artikull do të shkojë në burg nëse nuk na e thotë, dhe nuk do të zgjasë shumë».
Nga Reporters Without Borders deri te Knight First Amendment Institute, vëzhguesit e lirisë së shtypit në SHBA kanë lëshuar nota kritike dhe alarmi; prej muajsh “lufta” e Shtëpisë së Bardhë kundër të drejtës së raportimit duket se është ashpërsuar, paralelisht me hapjen e fronteve të ndryshme të luftës. Nuk është ende e qartë, për shembull, sa liri lëvizjeje do të kenë gazetarët e akredituar në Pentagon, të cilët Ministria e Mbrojtjes synon t’i zhvendosë në një strukturë të përkohshme jashtë ndërtesës, duke i “nxjerrë jashtë” nga salla e shtypit ku kanë punuar për dekada. Një gjykatës ka refuzuar një pjesë të madhe të “udhëzimeve” të reja për sigurinë kombëtare që rregullojnë aksesin e gazetarëve në Pentagon, por Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se do të apelojë, dhe ndërkohë gazetarët mbeten jashtë./CorrieredellaSera
Komente









