Dogana e Shqipërisë ka penguar bujqit e zonës së Kukësit që të grumbullojnë grurin e prodhuar në fushat e tyre në fabrikën e miellit në Xërxë të Rahovecit në këmbim të miellit, shkruan e përditshmja Koha Ditore. Sipas shkrimit, deri te ky veprim që ndërmirret për herë të parë nga ana e Doganës së Shqipërisë, po bëhet në emër të luftës kundër evazionit fiskal, por edhe të mbrojtjes së prodhimit vendas.

Drejtori i Doganës së Kukësit, Ali Tota, thotë për “Kohën Ditore” se shkëmbimi i grurit me miell që bëhet në fabrikat e Kosovës është në kundërshtim me Kodin Doganor, por që e kemi toleruar më parë.
Sipas shkrimit, ky veprim i doganës shqiptare po vie si kundërpërgjigje nga Republika e Shqipërisë si formë reciprociteti me Kosovën.

Ndërkohë, Sindikata e Pavarur e Shqipërisë u ka bërë thirrje zyrtarëve në Kosovë që të heqin tarifën e çimentos, në të kundërtën ajo ka paralajmëruar protesta para Ambasadës së Kosovës në Tiranë. Taksa për çimenton e importit vazhdon të mbahet në fuqi nga ana e Kosovës, pavarësisht premtimeve për heqjen e saj edhe nga Hashim Thaçi, ditë më parë në Tiranë.
/rg/shqiptarja.com/