Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njoftoi se Elisa Spiropali, Drejtore e Përgjithshme e Doganave, mori pjesë në Takimin e Komitetit Drejtues të Projektit IPA AL 2011 “Mbështetje për Administratën Doganore Shqiptare”. Në takim merrnin pjesë gjithashtu Claus Lech, Delegacioni i BE; Natalina Cea, Drejtuese e Projektit (Projekti i Binjakëzimit), si edhe stafi teknik i Projektit.
“Kam kënaqësinë të jem me ju sot dhe t’ju shpreh falënderimin e Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e gjithanshme që i keni dhënë Administratës doganore ndër vite”- tha Spiropali. Qeveria Shqiptare, në mbështetje të aspiratave të popullit shqiptar, ka prioritet absolut anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Ne veçse do të intensifikojmë kërkesat dhe ambicien tonë për të aplikuar dhe fituar të gjitha Projektet e BE që modernizojnë sistemin tonë doganor” - tha ajo.
Ky Projekt, sipas Doganave, synon të përmirësojë performancën e kësaj administrate, me rritjen e kapaciteteve në fushat e Analizës dhe Menaxhimit të Riskut, të Kontrolleve pas zhdoganimit, të mbrojtjes së pronësisë intelektuale (IPR) dhe përafrimin e plotë të Laboratorit Doganor me praktikat dhe standardet më të mira të BE-së. Projekti deklarohet se është aktual dhe tepër i domosdoshëm për objektivin e kthimit të Doganës edhe në një instrument për lehtësimin e zhvillimin e tregtisë, duke siguruar në të njëjtën kohë minimizimin e evazionit fiskal.
Monitoruesit e Projektit e vlerësuan pozitivisht punën e bërë deri më tani dhe u shprehen optimistë për përmbylljen me sukses të tij (në mesin e vitit 2014). Drejtorja Spiropali theksoi rëndësinë që ka ekspertiza evropiane për stadin e zhvillimit të sistemit tonë doganor. “Përfitoj nga rasti t’i falënderoj për pasionin, angazhimin e profesionalizmin e tyre. Gjithashtu, falënderoj stafin e Administratës sonë pjesëmarrëse në këtë projekt, pasi ka paraqitur një interesim shumë të lartë për tematikat e trajtuara dhe implementimin e tyre”, shtoi ajo.
Në njoftim nuk u tha nëse është diskutuar nga palët lidhur me ”përplasje” të mundshme në objekt midis këtij projekti dhe angazhimit të shtetit shqiptar për pagesën e një kompanie private nga Britania e Madhe për të rritur performancën e Doganave.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)