KAKAVIJE/KAPSHTICE- Për katër orë, pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës u paralizuan plotësisht për shkak të grevës së doganierëve grekë.
Nga ora 05:00 deri në 09:00, në Kapshticë nuk kaloi asnjë automjet. Gjatë kësaj kohe, në anën shqiptare u krijuan radhë të gjata me automjete të vogla, autobusë dhe kamionë që prisnin të kalonin kufirin.
E njëjta situatë u regjistrua edhe në pikën kufitare të Kakavijës, ku greva u zhvillua nga ora 07:00 deri në 11:00. Pas përfundimit të protestës, lëvizja rifilloi, fillimisht me përparësi për automjetet e vogla.
Një turist, i cili udhëtonte nga Zvicra drejt Greqisë, tha se nuk kishte dijeni për grevën dhe se kishte pritur mbi tre orë e gjysmë në radhë.
Një tjetër udhëtar nga Italia u shpreh se, ndryshe nga hera e kaluar kur kalimi ishte i menjëhershëm, këtë herë u përball me radhë të gjata dhe pritje në temperatura të larta.
Ndërsa një qytetar tjetër tha se kishte mbi dy orë në pritje, duke shtuar se nuk kishte informacion se çfarë po ndodhte në pikën kufitare.
Për katër orë qëndruan të mbyllura edhe dy pika të tjera kufitare me Greqinë, Qafë-Bota në Sarandë dhe Tre Urat në Përmet.












Komente
Komento